A bëhet fjalë për ndryshim niveli mes emrave dhe atributeve të Zotit?

Po qe se emrat tanë do t’i merrnim jo duke na i vënë prindërit, por sipas mjeshtërive që do të përftonim më pas, kur të rriteshim, dikush do të quhej “Furrtar” ose “Bukëpjekës”, dikush tjetër “Marangoz”, etj.

Mirëpo emrat tanë na jepen jo sipas mjeshtërive që do të fitojmë më vonë, kur të rritemi, por sipas dëshirës së prindërve. Madje, nganjëherë, ndodh që të na vihen emra krejt të papërshtatshëm ose që s’kanë të bëjnë fare me ne.

Një paralelizëm i tillë me çështjen e emrave të Zotit, në pamje të parë mund të duket vulgar dhe i padëshirueshëm. Por ç’e do që për parashtrimin e të vërtetave abstrakte që në krye të herës është përdorur e njëjta rrugë, konkretizimi dhe zbritja në nivelin e gjërave të thjeshta e të kuptueshme.

Emrat që i përkasin Zotit janë emra të vënë në përputhje me vëzhgimin tonë të akteve të Zotit në gjithësi, si dhe që na janë mësuar prej Tij përmes robërve të Tij të zgjedhur. Për shembull, në gjithësi ka një bukuri të përgjithshme që ne e shohim krejt hapur. Bukuritë, si të ishin një ylber, e kanë rrethuar ekzistencën gjithandej, ato janë në vetë ekzistencën. Në fushë e në mal, në lule e në pranverë, në sy e në vetull një valle bukurie sundon! Ka mijëra vite që mijëra poetë e shkrimtarë, duke parë vetëm shfaqjen e jashtme të këtyre bukurive, janë përpjekur, me anë të fjalës, të shprehin mahnitjen e vet e t’i legjendarizojnë ato, megjithatë, në raport me ç’mund të thuhet, prapë se prapë kanë mundur të thonë fare pak! Sigurisht, të gjitha bukuritë që nuk do t’i mbaronim dot së treguari, mbështeten në një emër të Zotit që e shpreh këtë realitet e që është “I Bukur”.[1]

Gjithashtu, në gjithësi, brenda një rregullsie të hollë, bëhet një ndarje racionesh. Nga njëqelizori e gjer te rinoceronti, çdo gjallesë ushqehet me një racion ushqimor[2] të përshtatshëm për të në lloj e në cilësi. Ndërsa adhurimet dhe refrenet[3] janë caktuar si ushqim për engjëjt, mishi është caktuar për njeriun, kurse kockat për xhindët. Ja, pra, kjo veprimtari ushqyese për gjallesat, që e shohim me sy, vërteton emrin “Ushqyes” të Zotit.[4]

Po qe se nuk do t’i dinim emrat “I Bukur” dhe “Ushqyes” të Zotit, pasi të shihnim veprimtarinë e Tij, do t’i drejtoheshim duke i thënë Ti je I Bukur, Ti je Ushqyes! Po kështu, edhe për emrat përkatës të veprimtarive të tjera. Por Zoti, pasi na ka treguar veprimtarinë e gjerë të Tij, për të na shpëtuar nga një lajthitje e mundshme, na i ka prezantuar vetë emrat e Tij. Kështu që emrat hyjnorë janë të caktuar dhe të dhënë një herë e përgjithmonë. Ne nuk mund të sajojmë nga koka jonë emra për Individualitetin e Lartë!

Këto emra tek Zoti mbështeten, bazohen në atribute të caktuara nga të cilat lindin veprimtari të caktuara, sipas të cilave Zoti merr emra të caktuar. Duke iu rikthyer paralelizmit që bëmë në krye, nëse dikush nuk zotëron aftësinë për të punuar drurin apo dërrasën, përgjithësisht lëndën drusore, pra, aftësinë e marangozit, nuk mund të quhet “marangoz”, etj.

Emri “I Bukur”, që e pranojmë tek Zoti, i Cili e ka ngulitur këtë me bukuri të panumërta në fytyrën e gjithçkaje e që disa njerëz të një niveli të lartë të caktuar janë në gjendje ta vëzhgojnë tek Ai, bazohet në atributin “Bukuri”[5] që është burimi i të gjitha gjërave dhe tipareve të bukura.

Po kështu, të gjithë emrat mbështeten në atribute nga burojnë ata emra, kurse atributet mbështeten në Fenomenalitetin Hyjnor[6], që mund të vihet në analogji me mundësitë (kapacitetet), dhuntitë dhe talentet e njeriut, analogji kjo që, në fund të fundit, është sa për lehtësi shpjegimi dhe jo e drejtë. Ndërsa emrat mbështeten në atributet dhe këto në Fenomenalitetin Hyjnor, ky mbështetet në Individualitetin e Zotit. Këtu ndalemi dhe, ashtu si i Dërguari i Allahut, themi: “Nuk të njohëm dot ashtu siç është e vërteta, o i Gjithëditur!” Dhe themi, po si Hz. Ebu Bekri, “Të jesh i paaftë për të të kuptuar Ty, do të thotë të të kuptosh Ty!” dhe përkulemi më dysh me drojë e edukatë!

Ai ekziston. Dhe ne e ndjejmë ekzistencën e Tij gjer në palcë! Por jemi të paaftë për ta perceptuar dhe njohur Atë. Nuk ka diçka që të jetë më i qartë se Ai, por Ai prapë është një qenie e panjohur!

[1] Në origjinal: Xhemil.

[2] Në origjinal: Rizk.

[3] Në origjinal: Tesbih, përsëritja e emrit dhe e atributeve të Zotit si një formë adhurimi e lartësimi për Të.

[4] Në origjinal: Rezzak.

[5] Në origjinal: Xhemal.

[6] Në origjinal: Shuunat-i Ilahije.

Postime të ngashme