Ebu Bekri Siddik!
Ai ishte shoku më i afërt i Profetit Muhamed (a.s) dhe ndër të parët që pranoi Islamin. Lindi më 23 gusht të vitit 573 në Mekë dhe vinte nga një familje shumë e respektuar. Kur pranoi Islamin, u quajt “Es-Siddik” (i sinqerti). Profetin a.s e njihte më mirë se çdokush tjetër. Tek ai e kishin tërhequr gjithmonë ndershmëria, fisnikëria, drejtësia dhe sinqeriteti. Prandaj dhe e besoi pa mëdyshjen më të vogël.
Çastin që pranoi të vërtetën, jeta dhe pasuria e tij u vunë në shërbim të saj. Sakrifica dhe përpjekje pa fund! Vetëm e vetëm që fjala e Zotit të ngadhënjente mbi tokë. Sakrifica e tij shihet dhe në çastin më vendimtar të historisë islame. Kur Profetit a.s iu desh të emigronte për në Medine, Ebu Bekri vendosi të emigrojë bashkë me të. Jo vetëm kaq, por zgjodhi dy devetë më të mira dhe mori me vete gjithë pasurinë e tij. Qëndrimi në shpellë për tre ditë me radhë, ishte një ndër sprovat që përjetoi në rrugën për te Zoti. Zoti e përgëzoi këtë figurë të lartë islame me Xhenetin më të Lartë, që në këtë botë.