Nga Hafiz Ali Korça
E nxë, harron; e shkruan, qëndron.
Të mos ish e uruara pendë, mësimi do t’ish fort i rëndë.
Vijat e pendës janë pikat (bebet) e syrit dhe bardhësia e zemrës.
Mendjet e njerëzve ndodhen në mes të dy çatajve të pendës.
S’ka më e lart se shkall’e diturisë, ajo të bën të parin e njerëzisë dhe t’afron pranë Perëndisë.
Kush është me Zotin e vërtetë, është i shumët edhe sikur të jetë vet.
Kush nuk është me Zotin, edhe i shumët të jetë, s’quhet fare gjë në jetë.
Të mirat e punëve janë të mesmet.
Trupi merr fuqi nga hamja e pimja, e mendja forcohet nga dituritë e filozofitë.
Mos u çudit me petkat e bukura e të hijshme që mvesh i padituri. Është trup i vdekur fshtjell në qefin të kristaltë.