Zoti është një dhe ndodhet në çdo vend. Si shpjegohet?

Zoti është një i vetëm, por, gjithashtu, me fuqinë dhe diturinë e Tij, është i gatshëm dhe veprues në çdo kohë e në çdo vend. Duke thënë kështu ne nuk mendojmë që Ai zë ndonjë vend ose vëllim sikurse sendet. Duke thënë kështu, ne shprehim lartësinë dhe madhështinë e Tij. Duke thënë se Zoti ndodhet në çdo vend, ashtu siç ndodhet larg nesh aq sa s’do të mund t’ia arrinim ndonëse me Mëshirën, Mirëbërësinë (1), diturinë, fuqinë, si të thuash – mos qoftë bërë përngjasim – me rrezet e diellit na fërkon kokën, ashtu siç edhe ndodhet më afër nesh se vetja jonë duke na rrethuar me këto atribute të Tij, është edhe pafundësisht i lartë sa të mos mundemi t’i afrohemi me dimensionet tona. Po, Zoti urdhëron: …Ne jemi më afër tij se damari (që i rreh) i qafës së tij. (Kur’ani, Kaf:16). Kjo do të thotë se Zoti që ndodhet i gatshëm e veprues në çdo vend, pa cilësi e pa sasi. …dhe ta dini se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij. (Kur’ani, Enfal:24). Kjo do të thotë se Zoti më është më pranë edhe se zemra ime. Do të ishte e drejtë po të thosha se Zotin e kam në zemër. Sepse Ai më njeh mua më mirë se unë veten time. Tjetër: …dhe ti nuk i gjuajte (në të vërtetë) kur i gjuajte ata, por Allahu (të ndihmoi) i gjuajti… (Kur’ani, Enfal:17), gjë që do të thotë se në luftën e Bedrit dhe në sa e sa vende të tjera ka qenë Zoti ai që ka qëlluar në emër të Profetit tonë. Po qe kështu, Zoti është në çdo vend me Mëshirën dhe Bamirësinë, me Bukurinë, Lartësinë, Përsosmërinë, Fuqinë, Vullnetin dhe emra e atribute të tjera të Tij.

Dhe po në të njëjtën kohë, Zoti është Një. Kjo është shprehja e të vërtetave në gjithësi dhe e dogmave në Kur’an. Po qe se – hasha! (2) – do të kishte dy zota në gjithësi, toka e qielli do të hynin në grindje. Edhe fjala e Allahut nuk do të thotë gjë tjetër veç kësaj. Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota pos Allahut, ato të dyja do të shkatërroheshin. (Kur’ani, Enbija:22). Me një fjalë, do të përplaseshin yjet me njëri-tjetrin, molekulat dhe grimcat, etj. Për pasojë, përballë rrezeve dhe rrezatimeve të ardhura nga dielli, uraniumi në sipërfaqe të tokës do të bombardohej dhe, përmes reaksioneve zinxhir, çdo gjë do të shkatërrohej. Kelamistët (3) e vjetër i thoshin kësaj ”provë përjashtuese” (4). Sipas këtij argumenti, Zoti është Një i Vetëm. Nuk mund të jetë dy. Sepse në nivelet më të ulëta, për shembull, në timonin e një vapori, po vepruan dy duar të ndryshme, drejtimi prishet. Ashtu siç do të ndodhte që të bëhej rrëmujë nëpër rrugë po qe se në të njëjtën makinë do të kishte nga një shofer në secilin krah, do të ishte e pashmangshme edhe grindja, dhe rrëmuja në gjithësi, po qe se do të administrohej nga dy fuqi përgjegjëse. Për pasojë, brenda mekanizmit të kësaj gjithësie të stërmadhe që vazhdon funksionimin e saj në harmoni, shohim se vepron një kader, një fat i paracaktuar. Nga makrobota në botën normale e prej kësaj në mikrobotë, në çdo gjë ndihet prania e një rregulli, akordi dhe harmonie marramendëse. Kjo kërkon një plan dituror. Dhe për kalimin e kësaj nga plani dituror në qenie, duhet fuqi dhe vullnet. Pastaj është kusht që gjithçka të mbahet nën vrojtim dhe kujdes. Prandaj edhe nuk duhet të përzihet kush veç me një dorë të vetme. Sepse kur edhe njerëzit nuk pranojnë t’u përzihet tjetërkush në punët e veta, – gjë që quhet ”Ligji i Kundërveprimit” (5) – si mund të ndodhë që t’i përzihet tjetërkush Zotit në punët e tij në dimensionet e kësaj gjithësie? Prandaj edhe themi se po qe që do të përziheshin dy duar përnjëherësh në librin, fabrikën apo sahatin e kësaj gjithësie të stërmadhe, pa diskutim që çdo gjë do të ngatërrohej. Meqë nuk përzihen, i Zoti, Pronari dhe Administratori i gjithësisë është Një i Vetëm.

Tani le ta trajtojmë çështjen në aspekt të ndërgjegjes. Ndodhitë që marrin udhë në mjedisin tonë, edhe në botën tonë të brendshme, edhe në realitet, vërtetojnë se Zoti është e vetmja strehë dhe e vetmja mbështetje, sepse, për shembull, unë si një njeri i varfër e i pafuqishëm, i ndërgjegjshëm për këtë, i ndodhur mbi një copë dërrasë të thyer midis dallgëve të tmerrshme të detit, ngre duart lart dhe them O Zot! O Zot!, e di në thellësitë e ndërgjegjes se është dikush që do të më dëgjojë… E që të më dëgjojë mua, ai duhet të jetë Zoti i gjithësisë (6), i tillë që në atë çast që të dëgjojë lutjen time, të dëgjojë edhe lutjen dhe kërkesën e një milingone me të folurën e saj të posaçme. Kjo do të thotë se edhe tek milingona Ai është më i afërt se damari i qafës siç thuhet për ne. Të gjitha lutjet e pranuara në dimensionet botërore, janë nga një shprehje e kësaj të vërtete e nga një pohim i fuqishëm.

I Dërguari i Allahut tregon: “Një nga Profetët e shkuar mblodhi fisin dhe doli në rrugë për lutjen e shiut. Në rrugë pa një milingonë që ish shtrirë në shpinë, luante duar e këmbë e lutej me gjuhën e saj. Profeti u tha njerëzve: Mund të kthehemi, sepse Zoti do të dërgojë shi me lutjen e dikujt tjetër nga ju. Pastaj bëri të ditur se ai dikush tjetër ishte një milingonë. Çdo qenie, nga më e vogla gjer te më e madhja, e mbetur në detyrim, i lutet Zotit, ndërsa Zoti u përgjigjet lutjeve. Me ajetin Kush është ai që i përgjigjet nevojtarit kur ai e thërret? (Kur’ani, Neml:62) (7), Zoti na bën të ditur për zbatimin e kësaj të vërtete. Fundja, a nuk janë ndërgjegjet tona dëshmitar i kësaj?

Atëherë, Zoti është në çdo vend i gatshëm dhe veprues. Ai ia sheh hallin çdokujt, ia dëgjon zërin, i vrapon në ndihmë, i shfaqet me Mëshirën dhe Bamirësinë e Tij. Për pasojë, është i Gjithëfuqishëm, nuk ka nevojë për ndihmën e tjetërkujt. Çdo gjë e bën vetë, pranverën dhe parajsën i krijon me lehtësi. Ky është një rezultat që buron nga madhështia, Lartësia dhe Uniteti i Tij. Zoti është në çdo vend dhe hapësirë i gatshëm dhe veprues, veçse jo duke qenë lëndor e duke zënë një vend, por emrat dhe atributet e veta, kthjellësisht i përjashtuar dhe i pastër nga cilësia dhe sasia (8). Dhe kjo është një variacion i Njësisë, Bukurisë, Mëshirës dhe Bamirësisë së Providencës Hyjnore.

Ja, për shembull, dëshmia!

Po qe se do të ma hiqte lagështirën nga syri (9), do të bëhesha viktimë e një sëmundjeje që ka të bëjë me mungesën e kësaj lagështie. Kjo do të thotë se ai ma sheh vazhdimisht syrin që ma mban të lagësht për të më ruajtur nga sëmundja. Që të kryhen këto punë, duhet të jetë dikush që më ka dhënë syrin mua, që e ka bërë atë një shkak dhe mjet për të parë gjërat, që në të njëjtën kohë njeh edhe syrin tim, edhe ato çka sheh syri im. Tjetër, duhet të jetë një person që, për të përvetësuar unë të ngrënat, ma njom kafshatën në gojë, dërgon shifër në stomak, ma vë në lëvizje kokën, që ndan nëpër qeliza në formën më të drejtë lëndët ushqimore të ndodhura në trupin tim në mënyrë që jeta ime të vazhdojë. Prandaj dhe për këtë arsye ne themi: Emrat e Zotit tonë shfaqen mbi ne me Mëshirën dhe Bamirësinë e Tij. Po qe se Zoti nuk do të ndodhej në çdo vend i gatshëm e veprues, kafshata në gojë do të na mbetej e thatë, ushqimi në stomak do të zbriste si gur dhe qelizave nuk do t’u ndahej drejtësisht asgjë. Pikërisht nga këto kuptojmë se Zoti është më pranë nesh se vetë ne. Po, Providenca Hyjnore, me shfaqjen e emrave të Tij, është më pranë nesh se damari i qafës, mirëpo ne, me të veçantat tona përkatëse jemi shumë larg prej Tij…

Tani le të përpiqemi ta shpjegojmë me një shembull, dielli është pranë nesh, kurse ne jemi shumë larg prej tij. Në vetveten e tij, dielli është një, mirëpo çdo ditë, me valë drite të lartësive të ndryshme, na fërkon kokën dhe, për llogarinë tonë, çdo ditë përgatit fruta në kazanin e tij – degët e pemëve. Nxehtësia, drita dhe ngjyrat e diellit janë krejt si atributet e Tij. Po qe se nxehtësia do të ishte fuqia e tij, drita-dituria, shtatë ngjyrat-shqisa të tilla si shikimi, dëgjimi, etj., duke qenë më pranë nesh se ne, do të krijonte prodhim tek ne. Mbetet të themi se dielli është një qenie materiale. Zoti nuk është rreze, rrezatim apo atom. Ai është krijuesi i tyre, prandaj këto janë tjetër gjë… Allahu i Lartë është Dritëdhënës. Është Ai që i jep dritës shkëlqim, që e formëson atë; Ai është burimi i dritës, Ai është krijuesi i dritës. Të gjitha dritërat, ndriçimet, nxehtësitë, ngjyrat janë në dorën e Tij prodhimtare. Kur dielli të jetë ashtu siç e përshkruam, sigurisht që Allahu, me eternitetin e Tij do të jetë edhe Një i Vetëm, edhe në çdo vend i gatshëm dhe veprues…

 

Shënime:

  • Zoti, Allahu, sipas konceptit Islam, përmendet me këto dy atribute të Tij; Rrahman dhe Rrahim, Mëshirues dhe Bamirës. Shih edhe në fund të librit.
  • Hasha! – Zoti na ruajttë!
  • Teoricienët e Kelamit, fjalës së Zotit.
  • Në origjinal: burhan-u temanu (arab.) në filozofi quhet “ekskluzion” (frëngj. exclusion, përjashtim).
  • Red-i mudahale (arab.)
  • Në origjinal: Rabbu’l Alemin (arab.)
  • Interpretim i vetë autorit
  • Në origjinal: Kejfijet ve kemmijetten myberra ve mynezzeh (arabisht, osmanisht.)
  • Lagështirë: lëngu (likuidi) që rrethon gjithë syrin dhe pjesët e tij që siguron funksionin, pastrimin dhe mbrojtjen e tij nga infeksionet.
  • opake: jo e tejdukshme, e dendur dhe e fortë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: