Ezani dhe Ikameti si duhen thirrur?

Ezani, i cili dëgjohet pesë herë në ditë nga minaret e xhamive, do të thotë “njoftim, lajmërim, thirrje”, kurse në kuptimin terminologjik të Sheriatit islam do të thotë: thirrje (informim) i veçantë i myslimanëve për faljen e namazeve farze dhe për hyrjen e kohës së namazit. Ezani nuk thirret për namazin e xhenazes, namazin e Bajrameve dhe namazin e vitrit. Personi që thërret ezanin quhet myezin.

Para fillimit të praktikimit të ezanit, kur Pejgamberi a.s. nisi të banonte në Medinë, grumbullimi i besimtarëve për në namaz bëhej duke thirrur “es’salah, es’salah” (namazi, namazi), ose “es-salatu xhami’a” (tubohuni për në namaz). Me ndërtimin e Xhamisë së Profetit a.s. në Medinë, nisën bisedimet për mënyrën e thirrjes së myslimanëve për në namaz. Si përfundim, megjithëse para se ezani të pranohej si thirrje për namaz, Pejgamberit a.s. i qenë ofruar edhe mundësi të tjera deri dhe me fryrje të borive, por që nuk u pranuan, duke qenë se disa sahabe kishin parë në ëndërr ezanin, u vendos për një grishje (thirrje) të tillë. Meqë njerëzit do të thirreshin për namaz, atëherë kjo thirrje duhet të bëhej me disa fjalë që shembëllejnë shpirtin dhe esencën e namazit, ndaj kështu u bë.

Dispozita e ezanit dhe ikametit është synet i fortë (sunneh muekkede), por arrin deri në gradën e vaxhibit, nëse në një zonë nuk thirret fare. Kjo dispozitë është për meshkujt e jo edhe për femrat dhe për namazet farze e jo për namazet nafile. Ezani dhe ikameti thirren pas hyrjes së pesë kohëve të namazit, ditën e xhumasë, pavarësisht se është fjala për namaz eda apo kaza, vetmas apo me xhemat, në udhëtim apo në shtëpi. Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit a.s., i cili ka thënë: “Kur të vijë koha e namazit, thirrni ezan dhe bëni ikamet, kurse më i madhi (më i vjetri) nga ju le të bëhet imam.”

Teksti i ezanit

Teksti i ezanit përmban 15 fjali, përveç ezanit të sabahut dhe ikametit që përmbajnë nga 17 fjali. Ezani, të cilin e ka pranuar Pejgamberi a.s. dhe është kënduar për herë të parë nga Bilal Habeshiu r.a., dhe që vazhdon të këndohet edhe në ditët tona, është ky:

Allahu Ekber Allahu Ekber

Allahu është më i madhi,

Allahu është më i madhi

أللهَ أكبر ُالله أكبر
Allahu Ekber Allahu Ekber

Allahu është më i madhi,

Allahu është më i madhi

أللهَ أكبر ُالله أكبر
Eshhedu en la ilahe il-la-llah

Dëshmoj se nuk ka zot tjetër

përveç Allahut

أشهد أن لاإله إلا الله
Eshhedu en la ilahe il-la-llah

Dëshmoj se nuk ka zot tjetër

përveç Allahut

أشهد أن لاإله إلا الله
Eshedu en-ne Muhammeden resulull-llah

Dëshmoj se Muhamedi është

i Dërguari i Allahut

أشهد أنّ محمدا رسول الله
Eshedu en-ne Muham-meden resulull-llah

Dëshmoj se Muhamedi është

i Dërguari i Allahut

أشهد أنّ محمدا رسول الله
Hajje ales-salah

Eja në namaz

حي على الصلاة
Hajje ales-salah

Eja në namaz

حي على الصلاة
Hajje alel felah

Eja në shpëtim

حي على الفلاح
Hajje alel felah

Eja në shpëtim

حي على الفلاح
Allahu Ekber, Allahu Ekber

Allahu është më i madhi,

Allahu është më i madhi

ألله أكبر الله أكبر
La ilahe il-lAllah

Nuk ka zot tjetër, përveç Allahut.

لا إلــه إلا الله

Ezani i sabahut ndryshon nga ezanet e katër kohëve të tjera. Pas pjesës “Hajje alel felah”, këndohet dy herë:

Es-salatu hajrun minen-neum

Namazi është më i mirë se gjumi

الصلاة خير من النوم

Es-salatu hajrun minen-neum

Namazi është më i mirë se gjumi

الصلاة خير من النوم

Nëse ezani është thirrur para kohës së namazit, atëherë duhet të përsëritet. Gjatë thirrjes së ezanit myezini duhet të qëndrojë në këmbë, sepse është e urryer ulja gjatë thirrjes së ezanit, me përjashtim nëse ekziston pengesë.

Ikameti

Kur meshkujt do të falin namazin individualisht ose kur namazi do të falet me xhemat (popull), atëherë menjëherë para faljes së namazeve farz këndohet edhe ikameti. Ikameti është si ezani. I vetmi ndryshim është se pas pjesës “hajje alel’felah”, këndohet “kad kametis’salah” (po fillon namazi).

Dispozitat e ezanit dhe ikametit

Personi që e këndon ezanin apo ikametin duhet të jetë mashkull, të ketë arritur moshën e pjekurisë, të jetë me abdes dhe i devotshëm. Këndimi i ezanit dhe ikametit nga një i paditur, nga një fëmijë, pa pasur abdes, nga një mëkatar apo nga një grua, është mekruh, pra e papëlqyeshme.

Për çdo kohë namazi ka nga një ezan dhe një ikamet. Vetëm për namazin e xhumasë ka dy ezane. Për këtë arsye, nëse në një xhami është kënduar ezani dhe ikameti, kushdo që vjen më pas nuk i përsërit ato. Nëse falet në shtëpi individualisht ose kolektivisht është e pëlqyeshme (mustehab) të këndohet ikameti.

Ikameti është synet i namazeve farz, për këtë arsye, nëse dikush do të falë disa namaze kaza, atëherë është synet të këndojë një ezan dhe për çdo namaz farz nga një ikamet.

Gjatë thirrjes së ezanit dhe të ikametit myezini drejtohet kah kibla. Në ezan, kur thotë “hajja alas’salah” kthehet pak djathtas, kur thotë “hajja alal’felah” kthehet pak majtas dhe më pas drejtohet përsëri kah kibla. Ezani këndohet ngadalë dhe me zë sa më të plotë, ndërkohë që mes fjalive të tij bëhen pushime 3-5 sekondëshe, kurse ikameti këndohet më me nxitim.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: