Ç’është hipokrizia dhe cilat janë shenjat e saj?

Njëra prej cilësive që sahabët i frikësoheshin më së shumti ishte hipokrizia. Thuhet se njëri prej tabiinëve kishte takuar rreth 30 sahabë dhe të gjithë ata kishin shumë frikë nga kjo cilësi. Hipokrizia njihet në gjuhën arabe me termin ‘nifak’. Të jesh hipokrit, në kuptimin terminologjik të fjalës do të thotë që në zemër të fshehësh mohimin dhe me gjuhë të pretendosh besimin dhe njeriu të jetë i vetëdijshëm për këtë gjendje. Hipokriti kërkon ta tregojë veten për atë që ai nuk është. Në thelb të kësaj cilësie qëndron gënjeshtra dhe mashtrimi. Sipas një dijetari, gënjeshtra është një prej shtyllave kryesore mbi të cilat qëndron edhe mohimi.

Në mesin e njerëzve që ndiqnin Profetin (a.s) kishte edhe një grup të tillë, të cilët ishin hipokritë. Hipokrizia e madhe, ajo e fshehjes së mohimit dhe shpalljes së besimit, është qartazi një gjendje mohimi. Allahu thotë në Kuran: “Padyshim, hipokritët do të jenë në shkallën më të ulët të Zjarrit dhe për ta s’do të ketë mbrojtës.” Profeti (a.s) ia kishte treguar emrat e hipokritëve vetëm sahabiut Hudhejfe ibn el-Jemanit (r.a) dhe askush tjetër nuk i dinte. Në kohën kur Omeri u bë kalif, edhe pse ai ishte tanimë nga të përgëzuarit me Xhenet që në këtë botë, ai do të shkonte pranë Hudhejfes dhe do t’i kërkonte t’i tregonte emrat e hipokritëve. Në fakt, shqetësimi i tij më i madh ishte për veten dhe e pyeti: “A më përmendi Resulullahu edhe mua mes tyre?” Përgjigja do të ishte: “Padyshim që jo!”

Dijetarët e kanë ndarë hipokrizinë në dy kategori të mëdha, hipokrizia e madhe dhe hipokrizia e vogël. Hipokrizia e madhe është ajo për të cilën folëm pak më lart, ku qartazi njeriu e di gjendjen e tij të fshehjes së mohimit. Në anën tjetër, çdo njeri mund të jetë i rrezikuar nga hipokrizia e vogël, e cila njihet nëpërmjet shenjave të saj. Qëllimi i rreshtave të mëposhtëm është zbulimi i këtyre shenjave, që të kuptojmë gjendjen tonë dhe më pas marrja e masave përkatëse për t’u mbrojtur nga një sëmundje e tillë e zemrës së njeriut.

Profeti (a.s) ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tre. Kur flet, gënjen. Kur premton, e thyen premtimin dhe kur i besohet diçka si amanet, ai e tradhton atë.” Siç vihet re, shenja e parë e hipokrizisë është gënjeshtra. Ajo që vazhdimisht bën një hipokrit është të gënjejë, të shtiret dhe të mashtrojë njerëzit e tjerë. Në fjalën e tyre është e rrallë që të gjesh ndonjë të vërtetë, sepse gënjeshtra është natyra e tyre e re. Allahu thotë: “Allahu dëshmon se hipokritët janë padyshim gënjeshtarë.” Përveçse gënjejnë, ata nuk e mbajnë premtimin e dhënë dhe nuk e çojnë në vend amanetin. Ata bëjnë premtime duke qenë të vetëdijshëm që nuk do t’i mbajnë ato.

Dijetarët kanë përmendur rreth 30 apo 40 shenja të hipokrizisë, duke marrë për bazë edhe cilësitë e tyre që përmenden në Kuran. Allahu thotë: “Kur çohen për t’u falur, janë dembelë.” Ajo që e dallon një besimtar të sinqertë nga një hipokrit, është se këta të fundit nuk duan vërtetë të falen. Momentet e tyre të faljes janë ato kur duan të duken para të tjerëve. Në kohën që thirret ezani, në zemrat e tyre nuk lind asnjë lloj emocioni, përkundrazi, e konsiderojnë namazin si barrë.

Po në vazhdim të këtij ajeti thuhet: “Dhe nuk e përmendin Allahun, veçse pak.” Kuptimi i kundërt i këtij ajeti është edhe ilaçi më efektiv i hipokrizisë, përmendja e shumtë e Allahut (xh.sh). Hipokritët e përmendin Allahun shumë pak, ndoshta vetëm në momentet kur janë mes njerëzve të tjerë dhe duan të tregojnë se janë palë me ta. Hipokrizia konsiderohet si një sëmundje e zemrës. Ajo e gërryen zemrën përbrenda deri sa ta shkatërrojë tërësisht atë. Shenjat si gënjeshtra, mashtrimi, thyerja e premtimit, tradhtia ndaj amanetit, përtacia në të falur, përmendja e pakët e Allahut, etj., janë të gjitha shenja të hipokrizisë. Besimtari duhet ta marrë me seriozitet këtë sëmundje të rrezikshme dhe të kujdeset sa më tepër që të mos preket prej saj. Askush nuk e ka të garantuar mbrojtjen prej saj. Imam Hasan el Basriu ka thënë: “Nuk është i sigurt nga hipokrizia veçse një hipokrit dhe nuk i frikësohet asaj veçse një besimtar.”

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: