Mrekullitë shkencore të Kuranit, zgjerimi i universit

Mrekullitë Shkencore të Kuranit-2, Zgjerimi i Universit

Mendoni për një libër i cili më shumë se 1,400 vjet më parë përmend një fakt shkencor që shkenca arriti ta zbulonte vetëm para 100 viteve. Mendoni rreth një njeriu i cili para më shumë se 1,400 viteve kishte dijeni për një informacion që shkenca ishte në gjendje ta zbulonte vetëm kohët e fundit.

A mund të dyshojë dikush se ky libër është libër hyjnor dhe se ky person është një person i jashtëzakonshëm?

Kur’ani përmend para më shumë se 1,400 viteve që universi vazhdimisht zgjerohet.

Në ajetin e 47-të në suren Dharijat citohet:

“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë (dhe aftësinë) Tonë dhe Ne e zgjerojmë atë.”

Fraza arabe إِنَّا لَمُوسِعُونَ do të thotë që ne po e zgjerojmë atë; fjala مُوسِعُونَ rrjedh nga folja أَوْسَعَ (zgjerohet). Shkronja “lam” (L) në fillim të kësaj fjale përdoret për të theksuar emrin ose mbiemrin që i paraprin dhe do të thotë shumë ose më shumë. Prandaj, në këtë frazë kuptohet: “Ne jemi duke e zgjeruar shumë universin”.

Pas analizimit të ajetit të Kuranit që na informon për zgjerimin e universit, le të shqyrtojmë se çfarë thotë shkenca për këtë çështje:

Që herët kishte vetëm një pikëpamje që mbizotëronte në lidhje me këtë çështje deri në fillim të shekullit të 20-të. Kjo pikëpamje pohonte se universi kishte një strukturë statike dhe se ka ekzistuar kështu që nga fillimi i tij. Asnjë shkencëtar nuk e pati përmendur zgjerimin e universit deri në shekullin e 20-të. Jo vetëm që nuk e pati përmendur dikush, por askush nuk e imagjinonte atë.

Në fillim të shekullit të 20-të, fizikani rus Alexander Friedmann dhe kozmologu belg George Lemaitre, llogaritën teorikisht se universi po lëvizte vazhdimisht dhe po zgjerohej. Ky fakt u vërtetua përmes vëzhgimit në vitin 1929. Ndërsa shqyrtoi qiellin përmes një teleskopi gjigand, astronomi amerikan, Edwin Hubble, zbuloi se yjet dhe galaktikat lëviznin vazhdimisht duke u larguar prej njëri-tjetrit. Yjet dhe galaktikat u larguan jo vetëm nga ne, por edhe nga njëra-tjetra. Në vitet në vijim, përmes vëzhgimeve u vërtetua që universi po zgjerohej. Një univers në të cilin gjithçka largohet vazhdimisht nga njëri-tjetri, do të thotë një univers që zgjerohet vazhdimisht.

Për të kuptuar më mirë zgjerimin e universit, mund të mendojmë si më poshtë: Supozoni se universi është sipërfaqja e një tullumbaceje të fryrë. Pikat në tullumbace largohen nga njëra-tjetra; në mënyrë të ngjashme largohen në univers objektet nga njëri-tjetri ndërkohë që universi zgjerohet.

Kur ky fakt shkencor nuk dihej nga askush dhe kur njerëzit mendonin se dielli ishte aq i vogël sa një mollë, Kurani përmendi këtë fakt shekuj më parë dhe ai qartësisht ka deklaruar se universi është vazhdimisht në zgjerim.

Përgatiti: Indrit Isufi
© URTESI.AL

Postime të ngashme

%d bloggers like this: