A mund ta shpëtojë nijeti (qëllimi) njeriun?

Nijeti që e drejton njeriun në një punë ose veprimtari praktike, patjetër që në përfundim mund të bëhet edhe shpëtuesi i tij. Në të kundërt, nijeti që nuk shkakton ndryshime në vendime dhe në zell, nuk do të jetë kurrë i aftë për të sendërtuar diçka të atillë…

Nijet do të thotë kast dhe prirje, vetëdijë dhe vendosmëri. Njeriu e di se nga priret vetëm në saje të nijetit, nëpërmjet tij e di se ç’kërkon e prapë në saje të tij njeriu fiton vetëdijen e kërkimit e të realizimit. Ashtu si nijeti është baza e të gjitha veprimtarive të njeriut, njëkohësisht, është edhe shkaku i atyre gjërave, të cilave ai u del për zot duke i përvetësuar. Po ashtu, nijeti është piedestali më i palëkundshëm i vullnetit dhe themeli më i shëndoshë i aftësisë ndërtuese të njeriut. Madje, mund të themi se çdo gjë në gjithësi dhe në vetveten, egon e njeriut, si në pikëpamje të fillimit, ashtu edhe në pikëpamje të vazhdimësisë, është e lidhur drejtpërsëdrejti me nijetin. Pa iu mbështetur atij është krejt e pamundur t’i japësh diçkaje ekzistencë apo vazhdimësi.

Fillimisht çdo gjë formësohet në mendje, shfaqet aty si një projekt. Mandej, në një etapë të dytë përparuese, zë fill planifikimi. Më pas, me zell dhe vendosmëri, i jepet formë përfundimtare. Ashtu si çdo punë e filluar pa projektim dhe planifikim do të mbetej pa fryte, po ashtu, çdo projekt a plan,i pashoqëruar me vullnet dhe vendosmëri nuk do të ketë as vazhdimësi, as rezultat. Ekzistojnë shumë gjëra që do të sinjalizonin, do të udhëzonin drejt kësaj aftësie dhe forca ndikuese të nijetit. Por ç’e do që shumica, duke mos qenë të vetëdijshëm për jetën që jetojnë, nuk e njohin siç duhet, ose aspak, këtë aftësi dhe forcë njëkohësisht.

Nijeti aspiron një rëndësi mjaft të madhe edhe në aspekt të të mirave dhe të këqijave të njeriut. Në këtë moment ai bëhet një eliksir që vjen me njëmijë shërime e të mira, ose përfundimi i drejtpërdrejtë i veprimeve dhe sjelljeve, dhe një stuhi e tufan që përlan e asgjëson çdo lloj fryti. Sa gjëra të vogla në dukje ka, që në sajë të nijetit rriten e fitojnë përmasa: kokrra bëhet kalli dhe pika e ujit, det. Dhe ç’energji e ç’favore në përmasat e një “mali”, shumë herë mbeten distrofe e shterpë, thjesht si pasojë e një nijeti të ligë!

Jetesa me konceptimin dhe vetëdijen e përulësisë e të adhurimit, të tërhequrit mënjanë, ndenjja pa ngrënë e pa pirë, duke u ndarë prej një pjese të kërkesave dhe dëshirave legjitime, ia lartësojnë kryet njeriut drejt botëve sublime, duke e kthyer saora në një sovran. Kurse të njëjtat veprime, e mijëra të tjera të mbetura larg këtij konceptimi, nuk vlejnë për asgjë, veçse bëhen një shtrat për lindjen e ankthit dhe lodhjes. Kjo do të thotë se në udhën e arritjes së miratimit të Krijuesit, njeriu lartësohet edhe me ato që kreu, edhe me ato që braktisi, duke fituar kështu cilësitë e krijimit të përkryer. Sepse jashtë miratimit të Tij, një mijë punë e energji s’vlejnë për asgjë…

Nijeti është tharm i tillë, që shfaq një mijë variacione e që atë që s’është, e bën të qenë, kurse gjërat që duken si të qena, si pasojë e defekteve në të, vdesin e mbeten pa ndikim.

Ashtu siç janë të paktë ata, që rënë në luftë me rrobë të përgjakur, rrokullisen në humnerën skëterrore, nuk janë të paktë as ata, që në saje të nijetit të kthjellët, vdesin në dyshek të butë e shkojnë në parajsë. Pranë e pranë trimave që pa marrë parasysh asnjë kundërvënie, përfyten me grindavecët me qëllim që të ndriçojnë të nesërmen, ata që i hyjnë kësaj përfytjeje për llogari personale e për përfitime mediokre, zotërojnë një kastë që nuk mund të mos përfillet. Duke shënuar lartësi të reja, të dytët, teksa do të rrokullisen teposhtë, do të përfundojnë në ferr.

Në jetën e kësaj bote të kufizuar e të përkohshme, nijeti është një çelës enigmatik që hap dyert e dritaret drejt të pakufishmes, dhe në një jetë të caktuar, është një gjuhë e jashtëzakonshme që premton lumturi të amshuar ose fatkeqësi. Të ndërgjegjshmit në detyrën personale, që e përdorin mirë e bukur këtë mjet, pa lejuar që në jetën e tyre të ketë ndonjë çast të errët ose vdekje, duke hapur dritë mjediseve të tyre, mund t’ia arrijnë ndriçimit dhe kënaqësisë së amshuar. Sepse, nëse detyrat ditore, javore, mujore, etj., kryhen me ihlas, sinqeritet, vlera dhe dobia përkatëse e atyre detyrave nuk do të kufizohet me kohëzgjatjen e kryerjes, përkundrazi, ajo do të shfaqë ndikim dhe përhapje aq të gjerë, sa do të përfshijë gjithë sekondat dhe minutat e një jete të tërë.

Një luftëtar i gatshëm për në luftë, edhe kur nuk ndodhet praktikisht në luftë, do të fitojë të mirat që u bien për pjesë luftëtarëve. Edhe ushtari që pret në kazermë ardhjen e orës së rojës, do të përfitojë të mirat që i përkasin adhurimeve të dikujt, që mund të ketë qenë duke e kryer atë detyrë. Madje edhe të një personi që mund të ketë muaj e muaj të tërë, me radhë, që ia kushton veten adhurimit.

Ja, kjo është ajo e fshehta sipas së cilës, ashtu siç njeriu besimtar do t’ia arrijë pavdekësisë dhe lumturisë së amshuar në një jetë të përkohshme, edhe mohuesi do të jetë kandidat për të jetuar prapësi e fatkeqësi. Ndryshe, sipas domosdoshmërisë së drejtësisë formale, çdo njeriu do t’i përshtatej mirësia dhe shpërblimi sipas masës së adhurimit dhe të vlerave morale, ndërsa mjerimi dhe vuajtja – sipas madhësisë së pafytyrësisë dhe poshtërsisë së tij, gjë që do të thotë se të mirët do të mbeteshin në parajsë vetëm për aq kohë sa jetuan si njerëz të mirë, kurse të këqijtë do të mbeteshin në ferr po aq kohë jetuan si njerëz të këqij. Mirëpo, Amshimi, si për të mirët, dhe për të këqijtë është shpërblimi i fundit që merituan, përtej të cilit është krejt e pamundur të mendosh diçka tjetër.

E kështu, pra, edhe lumturia edhe vuajtja a hidhërimi i pafundmë fshihen vetëm brenda nijetit të njeriut. Ashtu siç besimi i amshuar dhe mendimi i orientuar do të bëheshin shkak i një lumturie të amshuar, ashtu edhe mohimi i përhershëm dhe mendimi pervers do të sillnin një fatkeqësi të amshuar si përfundim.

Një njeriu të mbushur plot vetëdijë nënshtrimi e adhurimi, zemra do t’i trajtohet e kushtëzuar nga nijeti, meqë kontribuoi në orientimin e botës së të menduarit, si pasojë e atij nijeti dhe vendosmërie, duke iu pranuar vepra si ekuivalente e nijetit, në çastet e fundit të rrahjeve. Nijeti i besimtarit është më i dobishëm se vepra e tij[1]3). Po ashtu, një mohuesi që jeton çastet e fundit brenda atyre mendimeve mohuese ateiste do t’i jepet dënimi sipas atij nijeti, meqë u udhëhoq nga nijeti i nxirjes së mijëra e qindra mijëra viteve të së ardhmes.

Kjo do të thotë se ajo që është esenciale në këtë subjekt, më shumë se shkak i jetës së mangët e të kufizuar që jetuan ata – në të vërtetë, edhe ajo jetë e kufizuar është identitet i mishërimit të nijetit – është nijeti i tyre. Besimi ndaj lumturisë së amshuar, qoftë ky i lidhur pas miliona vitesh, e çon individin besimtar në fitimin e Xhenetit, parajsës së amshuar, ndërsa në të kundërtën, e shpie mohuesin – në fitimin e Xhehenemit, skëterrës së përjetshme.

Ashtu siç mohuesi do të vuajë ndëshkimin e mohimit që mbajti të gjallë në vetvete duke e ditur dhe dëshiruar këtë gjë, edhe shejtani, djalli që është shkaktari i të gjitha mohimeve, kundërshtimeve e teprimeve, do të vuajë prej ndëshkimit që meriton e mendimi mohues që ai ushqeu vazhdimisht në gji, në trajtën e një vuajtjeje pa mbarim. Në të vërtetë, duke u nisur nga gjërat që përcaktojnë krijimin e djallit, atij i përkasin edhe një sërë punësh e shërbimesh. Tek progresi i një pjese dhuntish dhe kapacitetesh tek njeriu, tek zbulimi e pastrimi i shumë elementeve pozitive të ndodhura në natyrën e njeriut, madje tek mbajtja zgjuar e në proces shqyrtimi e zemrës dhe shpirtit, pothuajse pamundësisht i mohueshëm duket ndikimi i djallit…

Sigurisht, ai u varet në qafë individëve, madje edhe vetë e kolektivit. Duke hedhur farën e helmuar në ndjesitë e tyre, ai përpiqet t’i shndërrojë ata në ara ku mbijnë e rriten e keqja dhe errësira. Si kundërveprim i këtij zelli intrigues e çorientues të tijin, ndjenjat shpirtërore kalojnë në gjendje alarmi, njësoj si zgjimi i vigjilencës së trupit dhe fuqizimin e sublimes tek njeriu, madje, shpesh mbështetjen dhe strukjen e njeriut tek Krijuesi, kundër këtij armiku shpirtrrëmbyes, gjë që do të thotë se, përballë mundësisë së paktë të dëmeve, qofshin ato ndjesore apo shpirtërore të jetës së njeriut, të arrihen përfitime të shumta. Fshikullimi i vullnetit për të luftuar me një ndikim të tillë (jomaterial) tek Biri i Njeriut dhe kalimi i tij në vigjilencë e përgatitje, është bërë shkak për shndërrimin e të gjithë atyre njerëzve të vyer e të përsosur, për edukimin e të gjithë atyre luftëtarëve e heronjve fitimtarë!

Por ç’e do që në këtë përzgjedhje as që mund të bëhet fjalë për ndonjë përfitim të djallit, të kundërt me hedhjen e njerëzve në luftën e shenjtë e fitimtare dhe mundësimit për të përfituar prej tyre, sepse çka ai bën, s’i bën me qëllim që të lartësohen miqtë e të Vërtetit, përkundrazi i bën për t’i hedhur në mëkat ata e për t’i shkatërruar…

Kjo do të thotë se djalli e ka të prishur si nijetin, ashtu edhe veprën. Ai do të kushtëzohet jo me lartësimin që u mundësoi të tjerëve, por sipas sëmundjes së tij, sipas së keqes së nijetit dhe sjelljeve të tij.

Djalli e ka nijetin të prishur, prandaj edhe sjelljet e tij janë të karakterizuara nga e keqja. Së pari, kundërshtimi i tij është i vetëdijshëm dhe mbrapshtia e tij është e paramenduar.

“(Allahu) Tha: Çfarë të pengoi ty të bësh sexhde, ndërsa Unë të urdhërova? Ai (Iblisi) tha: Unë jam më i vlefshëm se ai, Ti mua më krijove nga zjarri, ndërsa atë e krijove nga balta! (Allahu) Tha: Zbrit nga ai (Xheneti)! Nuk të takon të bësh kryelartësi në të, dil jashtë, nuk ka dyshim që ti je i poshtëruar. (Iblisi) Tha: më jep kohë gjer në ditën kur ata të ringjallen (njerëzit)! (Allahu) Tha: Koha të është dhënë! (Iblisi) Tha: Ngase më bëre mua nga të humburit, unë do t’i pengoj ata (do t’u thurë atyre kurthe) në rrugën Tënde të drejtë.”[2]

Kjo revoltë dhe kryengritje e parë është një polemikë e vetëdijshme dhe njëkohësisht, zgjedhja e rrugës së mohimit. Kurse betimi i tij se do ta nxjerrë njeriun nga udha, është esenca e dramës së pafundme të njerëzimit!

Si rrjedhojë e këtij nijeti dhe vendosmërie që mbart djalli, i cili edhe pse një pjesë e ndjenjave të zgjuara në saje të armiqësisë së tij, janë të atilla që e çojnë të zotin drejt vlerave, kurrë nuk do t’i sjellin përfitim vetë djallit.

Si përfundim, mund të themi se nijeti është gjithçka në jetën e besimtarit. Ashtu siç është ai që u jep gjallëri veprimeve të vdekura të individit, është prapë ai që e shndërron tërë jetën e një bote të kufizuar. Është përsëri po ai që hap të gjitha dyert e dritaret që shohin kah lumturia e amshuar, ashtu siç është po ai që përgatit fatkeqësinë e amshuar dhe humbjen përjetshme!

Veprat vlerësohen sipas synimeve”[3]; edhe vlerësimi do të jetë sipas këtij parimi.

[1] Taberani, el mu’xhem’ul kebir 6/185-186; Bejhaki, sunenu sugra, fq.20.

[2] Sureja A’raf, 12-16.

[3] Buhari, bed’ul vahj 1; Muslim, imaret 155; Ebu Davud, talak 11.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: