Vetëm nëse dëshiron Allahu!

Shtrihemi në mbrëmje me plane të shumta për ditën e nesërme.
Planifikojmë punët që do bëjmë, oraret që do zbatojmë, vendet ku do shkojme, apo edhe njerëzit që do takojmë.

Zgjohemi të nesërmen dhe që në momentet e mëngjesit, kuptojmë se planet kanë ndryshuar ashtu pa e kuptuar.
Jemi bërë vonë diku, diçka ka dal pa planifikuar dhe të ka prishur planin e ditës, etj etj.
Si përfundim, në mbrëmje kur kthehemi në shtëpi, kuptojmë se nuk e kemi zbatuar siç patëm planifikuar një mbrëmje më parë.

Ky është njeriu, i pafuqishëm për të zbatuar edhe atë që vetë ka menduar të zbatoj.

Sa bukur na edukon Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik :”Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje:“Unë do të bëj këtë nesër!”
“Vetëm (nëse i shton): “Në dashtë Allahu!” – Kehf 23,24.

Një nënshtrim absolut i robit kundrejt Zotit të tij.
Një nënshtrim, që e bën njeriun të gjejë mbështetje vetëm tek Zoti i Madhërishëm dhe vetëm tek Ai të mbajë shpresat.

Njeriu është i paditur për gjithçka, përveçse asaj çfarë ai di.
Por ajo çfarë njeriu di, është shumë e pakët në krahasim me atë që ai nuk e di.

I Dituri Absolut është vetëm Zoti!

Askush nuk e di se çfarë do t’i ndodhë (çfarë do të punojë) nesër.
Askush nuk e di, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. All-llahu është më i dijshmi, më i njohuri. – Lukman, 34

Ne nuk mund të dimë a do jetojmë nesër apo jo?!
Nuk e dimë a do realizohen planet tona apo jo?!
Nuk e dimë a do takojmë njerëzit e afërm nesër apo jo?!
Nuk e dimë dhe nuk e dimë!…

Nëse marim mësim prej të dërguarit të Zotit, Muhammedit (a.s), do të mësojmë se ai ka thënë:” punët varen sipas qëllimit”.

Gjithashtu ai ka thënë: “Nëse dikush ka qëllim që të bëjë një punë të mirë dhe ai e realizon atë, ka 10 sevape.
Nëse ai ka qëllim të bëjë një punë të mirë dhe nuk arrinë ta realizojë atë, ka 1 sevap”.

Me gjithë paditurinë tonë për atë çfarë do të ndodhë të nesërmen, ne mund të edukojmë vetën tonë që e nesërmja të na gjejë me qëllime të mira që do të donim të vepronim.
Këto qëllime të mira do të ishin në dobinë tonë, si në rast realizimi apo mosrealizimi, sepse të jetosh nën atmosferën e punëve të mira, ka dobi të mëdha në zemrën e njeriut.

Imagjino sikur për shkak të një tërmeti, ne mund të ndrronim jetë duke qënë në gjumë, siç ka ndodhur së fundmi.

Sa shpresëdhënëse do të ishte për besimtarin takimi me Zotin tij, nëse besimtari para se të flejë, të flinte me qëllimin për të bërë punë të mira.

Sikur të bënte nijet për namaz nate!
Sikur të bënte nijet për tu zgjuar për namaz sabahu!
Sikur të bënte nijet për të gëzuar prindërit!
Sikur! Sikur dhe sikur…!

Një përfundim që është qëllimi i jetës së besimtarit.
Një përfundim që është argumet për një besim të sinqertë në zemrën e tij.
Një përfundim që do e bënte besimtarin banorë të xhennetit.

Sepse edhe pse nuk do e bënte punën, qellimi i mirë i besimtarit do e konsiderote atë punë të bërë.

Dhe një besimtarë që bën punë të mira ka si muzhde premtimin e Zotit :”S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vendpritje për ta janë Xhennetet e Firdeusit. – Kehf, 107.

Zoti na bëftë prej tyre.
Amin!

Leonard Çela

Postime të ngashme

%d bloggers like this: