Si i priste Profeti Muhamed (s.a.s.) mysafirët?

Profetit tonë (sas) nuk i mungonin asnjëherë mysafirët. Atij i vinin shumë mysafirë nga vende të largëta e nga vende të afërta. Vinin delegacione private dhe zyrtare nga disa shtete dhe fise dhe qëndronin për ditë të tëra. Profeti ynë (sas) kujdesej personalisht për këta mysafirë, i mirëpriste dhe i shërbente.

Profeti ynë personalisht i shërbeu delegacionit të ardhur nga Abisinia. Sahabët i thanë: “Na lejoni ne t’i shërbejmë o i Dërguari i Allahut”. Por Profeti ynë (s.a.s) u tha: “Ata u kanë shërbyer shokëve tanë më parë. Tani unë jam i nderuar dhe e kam kënaqësi t’u shërbej atyre.”

Ai (s.a.s) priti në xhami dhe respektoi delegacionin e fisit Sakif të ardhur nga Taifi. Përsëri u shërbeu vetë atyre. Pastaj ata u kthyen në atdheun e tyre, të gjithë si myslimanë.

Kur Profeti (a.s) nuk ishte i përshtatshëm të priste mysafirë në shtëpinë e tij, si shtëpi mysafirësh shërbente shtëpia e Ensareve Remle dhe Ummu Sherike. Këto gra ishin dashamirëse dhe bujare. Ndonjëherë kur  kishte shumë mysafirë, për t’i mirëpritur sa më mirë i ndanin në shtëpi të tilla.

Profeti ynë (s.a.s) nuk bëri asnjë diskriminim fetar ndaj të ftuarve. Ai do të tregonte të njëjtin respekt, mirëkuptim dhe dashamirësi për të gjithë.

Ebu Basra e përshkruan Profetin tonë (sas) si vijon: “Unë nuk kam qënë mysliman dhe shkova mysafir tek i Dërguari i Allahut. Natën u zgjova, mola të gjithë dhitë dhe ia piva qumështin, kështuqë i lashë pa ngrënë të Dërguarin e Allahut dhe familjen e Tij. Por Ai (s.a.s) nuk më tha asgjë.”

Sipas Ebu Hurejres, një ditë Profetit tonë (s.a.s) i erdhi si mysafir një nga idhujtarët. Profeti ynë (sas) i ofroi të pinte qumësht. Ai (s.a.s) i ofroi përsëri dhe ai e piu atë. Pas mirësisë së ofruar nga Profeti ynë (s.a.s) idhujtari në mëngjes u bë mysliman.

Por të ftuarit e vazhdueshëm të Profetit tonë (sas) ishin As’habi Suffe, sahabët e varfër që jetonin në anë të Mesxhidit dhe nuk kishin shtëpi apo fëmijë. Profeti ynë (sas) i konsideronte ata si anëtarë të familjes së Tij. Ai (s.a.s) kujdesej për edukimin dhe arsimimin e tyre.

Ndonjëherë te Profeti ynë (s.a.s) vinin shumë mysafirë. Ai (s.a.s) u ofronte mysafirëve atë që kishte në shtëpi, duke e kaluar natën të uritur bashkë me familjen e  Tij (s.a.s). Profeti ynë (sas) zgjohej natën dhe i pyeste mysafirët nëse kishin ndonjë nevojë. Ai përpiqej t’ua plotësonte të gjitha nevojat derisa ata të niseshin sërish për rrugë.

Sipas transmetimit të Ebu Hurejres, Profeti ynë (s.a.s) ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, t’i shërbejë mysafirëve! Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, të vizitojë të afërmit! Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, të flasë mirë, ose të heshtë!”

Në historinë Islame shënohet një vit i njohur si “Amul-Vufud” (viti i delegatëve), përkatësisht viti i nëntë pas çlirimit të Mekës. Pas kthimit nga ekspedita e Tebukut dhe pasi u bënë myslimanë fisi i Sakifit, njerëz nga vende të largëta e të afërta filluan të mblidheshin në Medine për t’u takuar me Profetin (s.a.s), për t’u bërë myslimanë ose për të bërë traktate në kushte të caktuara. Këto ditë të jetuara në Medine, Allahu i bën të ditura në suren Nasr: “Kur erdhi ndihma e All-llahut dhe çlirimi (ngadhënjimi) dhe i pe njerëzit që po hyjnë turma-turma në fenë e All-llahut.”(Surja Nasr, 110/1-2)

Në thelb nuk kishte asnjë dallim midis pritjes së mysafirëve diplomatikë dhe pritjes së mysafirëve të tjerë. Ata mirëpriteshin me atë që iu ndodhej në shtëpi. Kur delegacioni i Benî Hanife po respektohej, është regjistruar se atyre u jepej bukë dhe mish në shtëpinë e Remle binti Hâris në mëngjes dhe në mbrëmje, bukë dhe qumësht, e në një kohë tjetër iu servirej bukë dhe vaj.

Shtëpia e Remle bin Harisit është transmetuar të jetë shtëpia kryesore ku priteshin mysafirët diplomatikë e jo vetëm. Kjo shtëpi është përdorur për të njëjtin qëllim edhe në kohën e kalifatit të Hz. Ebu Bekir (ra). Përveç kësaj edhe shtëpia e Abdurrahman Ibni Avfit, e cila u quajt “shtëpi e madhe”, sepse ishte shtëpia e parë e ndërtuar nga një prej emigrantëve në Medine, ishte një nga vendet ku i Dërguari i Allahut priste mysafirët e tij. Në fakt, ajo u quajt “Shtëpia e Vizitorëve”. Edhe shtëpia e Ferve b. Amrit njihej si shtëpi që priteshin vizitorë. 14 delegatët nga të Krishterët e famshëm të Nexhranit, Profeti (s.a.s) i priti në shtëpinë e Hz. Ejjub bin Ensariut. Ndërsa shumë delegatë të ndryshëm që vinin në numër shumë të madh, mikpriteshin edhe në oborrin e mesxhidit në tenda.

Me mikpritjen e mysafirëve është transmetuar të kenë qenë sahabët Halid bin Velid, Bilal el-Habeshi ose edhe shërbëtori i Profetit (s.a.s) Sevbani. Ndërsa mysafirët e pritur në shtëpinë e Remle bin Harisit mirëpriteshin nga personat e shtëpisë, për të cilët nuk janë dhënë detaje.

Nëse Profeti (s.a.s) në ndonjë farë mënyrë informohej për ardhjen e  mysafirëve diplomatikë, ai do t’i mirëpriste ata me veshje të bukura. Ai madje dëshironte që miqtë e tij të ngushtë të visheshin në të njëjtën mënyrë. Cyndeb b. Mekîsin transmeton: “Kur erdhi delegacioni Kinde, Profeti kishte një veshje të bukur nga Jemeni. Hz. Ebu Bekër dhe Hz. Omer ishin veshur si ai.” Hz. Xherir bin Abdullah transmeton: “Kur erdhi një delegacion arab tek i Dërguari i Allahut (s.a.s) më lajmëroi edhe mua. Unë i shkova pranë vetëm pasi ndërrova veshjen time…”

Profeti (sas) interesohej për delegatët që vinin në Medinë, qofshin këta mysafirë diplomatikë ose jo, pavarësisht nga numri i tyre dhe kudo nga vinin, qoftë muslimanë apo jo, kushdo që vinte si përfaqësues, mirëpritej nga i Dërguari i Allahut në një mënyrë modeste dhe të sinqertë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: