Si bëhet nijeti për të agjëruar?

Një ndër kushtet e rëndësishme të agjërimit është edhe nijeti, sepse agjërimi është adhurim, i cili për t’u llogaritur i saktë dhe i vlefshëm, duhet të ketë edhe nijetin (qëllimin).

Për agjërimin e Ramazanit, nijeti mund të bëhet nga mbrëmja (akshami), por  normalisht, më mirë është sikur të bëhet pas ngrënies së syfyrit. Mirëpo, në qoftë se një person nuk arrin të zgjohet në syfyr dhe dita ka zbardhur, ai ka të drejtë që nijetin ta bëjë deri në drekë, nëse nuk ka bërë ndonjë veprim që e prish agjërimin.

Personi që nuk dëshiron të ngrihet në syfyr, nijetin duhet ta bëjë paraprakisht në mbrëmje dhe kështu nuk ka nevojë të zgjohet (në syfyr) vetëm sa për ta bërë nijetin. Edhe vetëm zgjimi për të ngrënë syfyr, është, në vete, nijet dhe konsiderohet i saktë dhe i mjaftueshëm.

Nijeti i agjërimit vetëm me zemër është më se i mjaftueshëm, por, në qoftë se ai shoqërohet edhe me gjuhë, atëherë është edhe më i vlefshëm. Prandaj, agjëruesi është mirë ta bëjë nijetin edhe me zemër edhe me gjuhë, duke thënë: “Vendosa që ta agjëroj ditën e nesërme të Ramazanit.”, kur e bën nijet në mbrëmje, ndërsa nëse e bën në syfyr, imsak, atëherë thotë: ditën e sotme. Këtë e bën për çdo ditë të Ramazanit, por ka mundësi edhe në fillim të muajit të bekuar ta bëjë nijetin për tërë muajin e Ramazanit.

Ndërkaq, për agjërimin e ditëve të mbetura të Ramazanit, të agjërimit kefaret, të prishur dhe atij të premtuar (i përcaktuar në kohë), për të gjitha këto nijeti bëhet natën, para se të kalojë koha e imsakut (periudhë e shkurtër kohe prej vetëm disa minutash, para se të fillojë agjërimi).

Postime të ngashme

%d bloggers like this: