Rëndësia e pastërtisë dhe gradat që fitohen me të
Pastërtia është pjesë e Imanit, andaj çdo njeri i cili vendos të kryejë ndonjë detyrim fetar, patjetër duhet të jetë i pastër.
Fjala “Et-tahare” në kuptimin gjuhësor do të thotë: pastrim, mënjanim nga ndyrësirat lëndore-materiale që shihen me anë të syrit, e gjithashtu nënkupton pastrimin figurativ, siç janë të metat dhe mëkatet.
Shprehja “Et-tahare” në kuptimin terminologjik të Sheriatit islam do të thotë: “Veprim, (pastrim) me të cilin lejohet falja e namazit duke filluar prej abdesit, pastërtisë së trupit (guslit) e tejem-mumit dhe duke larguar papastërtinë.” Allahu xh.sh. thotë:
فِيهِ رِجَالٌ يُحِبُّونَ أَنْ يَتَطَهَّرُوا وَ اللَّهُ يُحِبُّ المُتَطَهِّرِينَ
“Aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e Allahu i do të pastërtit.” (Teube,108)
Gjithashtu kemi edhe hadithe të Profetit a.s. që thonë: “Pastërtia është gjysma e imanit.” “Allahu është i pastër dhe i pëlqen të pastrit.” “Çelësi i namazit është pastërtia.”
Edhe në shumë ajete të tjera të Kur’anit, si dhe në hadithet dhe jetën shembullore të Pejgamberit a.s., është folur me këmbëngulje mbi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e pastrimit dhe të pastërtisë. Janë sjellë një sërë kriteresh dhe parimesh lidhur me pastrimin me qëllim adhurimi në kuptim të përgjithshëm. Gjithashtu pastrimi është konsideruar parakusht për disa adhurime.
Prandaj, dijetarët myslimanë e shohin pastrimin si një veprimtari në tri plane: pastrimi fizik, pastrimi figurativ dhe pastrimi moralo-shpirtëror.
Në Kur’an bëhet fjalë për pastërtinë e mjedisit dhe vendit të adhurimit, si dhe bëhet e ditur se Allahu xh.sh. i do ata që tregohen të rreptë në pastërti. (Bekare:125; Teube:108; Haxh:26).
Pastërtia (taharet) është kushti i parë i domosdoshëm për kryerjen e namazit që realizohet përmes një mënyre të caktuar. Pastrimi i kryer para fillimit të namazit është çelësi i namazit. Për rrjedhojë, personi që nuk e ka bërë këtë pastrim, do të thotë se nuk ka hyrë dot në namaz. Namazi është një adhurim i shkëlqyer që përmban katër gradë pastrimi dhe pastërtie. Në emër të përgatitjes për të, së pari, me marrjen e abdesit dhe guslit, trupi, organet dhe gjymtyrët pastrohen prej këllirës dhe fëlliqësive.
Pastrimi i trupit është grada e parë. Në radhën e dytë, sipas shprehjes së ajetit që thotë “Mbaje të pastër rrobën” (Muddeththir, 74/4), vjen pastrimi nga njeriu i veshjes së vet, i mjedisit ku ndodhet dhe i vendit (truallit) ku do të falë namaz. Në këtë mënyrë, syri që kalon nëpër këtë proces pastrimi, nuk sheh të ndaluarën (haramin), goja nuk thotë fjalë të keqe, dora nuk bën punë të keqe, këmba nuk hedh hap në drejtim të keq dhe kështu të gjitha gjymtyrët shmangen nga mëkati. Sipas një hadithi të rrëfyer nga Ebu Hurejre r.a., i Dërguari i Allahut a.s., këtë situatë e shpreh kështu: “Sapo një besimtar të marrë abdes, me larjen e fytyrës, bashkë me ujin apo pikën e fundit të ujit, i derdhen poshtë të gjitha mëkatet që ka bërë me anë të shikimit; me larjen e duarve, bashkë me ujin apo pikën e fundit të ujit, i derdhen poshtë të gjitha mëkatet që ka bërë me anë të duarve; me larjen e këmbëve, bashkë me ujin apo pikën e fundit të ujit, i derdhen poshtë të gjitha mëkatet që ka bërë me anë të këmbëve; kështu, pasi ta plotësojë abdesin, del krejtësisht i pastër, i qëruar nga mëkatet.” Ndoshta për këtë arsye Pejgamberi a.s. ka marrë abdese të veçanta për çdo namaz. Madje, dihet se gjer në çlirimin e Mekës, ai nuk i ka falur dy namaze me të njëjtin abdes.
Në gradën e tretë është pastrimi i zemrës, e cila, duke ardhur në një gjendje të kthjellët me anë të pastrimit prej ndjenjave dhe mendimeve të këqija, pas kësaj sheh pëlqimin e Allahut xh.sh.. Po me anë të gjërave për të cilat i ka urdhëruar njerëzit, Allahu xh.sh. dëshiron të kujdeset për njerëzit dhe këtë kujdes e bën pretekst që njerëzit t’i drejtohen Atij: “Kthehuni ju nga Unë dhe lutuni, që edhe Unë të kthehem nga ju e t’i jap përgjigje lutjes suaj.” E shprehur ndryshe, nëse një njeri qëndron në namaz i përkulur para Allahut, do të thotë se edhe Allahu sheh nga ai dhe i përgjigjet lutjes së tij!
Në një ajet urdhërohet: “Kujtomëni Mua që edhe Unë t’ju kujtoj ju.” (Bekare:152). Hadithi i Pejgamberit a.s. e zbërthen kështu kuptimin e këtij ajeti: Kujtojeni Allahun në çastin tuaj të gjerë që Ai t’ju kujtojë ju në çastet tuaja të shqetësuara. Kujtomëni Mua në këtë botë, që edhe Unë t’ju kujtoj ju në varr, në mahsher, në sirat, kur t’ju bien sipër shkëndijat e Xhehenemit…” Ja, këtë kuptim shprehin ajeti dhe hadithi. Ashtu si flutura që vërtitet rreth dritës, njeriu duhet ta kërkojë Allahun xh.sh. duke u rrotulluar pa pushim rreth Tij, në mënyrë që ta gjejë një ditë. Ja, këtë kthim nga Allahu e siguron namazi. Besimtari që bën përgatitje për namaz, dashur pa dashur, me anë të pastrimit e rifreskon dhe e rinon veten, pastaj vrapon për të dalë para Zotit dhe kthehet në drejtim të Tij. Atëherë, edhe Zoti nuk mbetet indiferent ndaj këtij kthimi, por i hap dyert kat më kat! Grada e katërt i përket konceptit të Pejgambereve a.s., të Cilët ishin të mbyllur kryesisht nga çdo gjë e kësaj bote, që nuk i shërbente afrimit me Allahun.