Mënyrat dhe llojet e shpalljes

Në koleksionin e imam Buhariut përfshihet edhe hadithi të cilin e transmeton Aishja r.a. se Harith bin Hishami e ka pyetur të dërguarin e Allahut: “Si të vjen shpallja ty? I Dërguari i Allahut iu përgjigj: Nganjëherë më vjen sikur zëri i ziles dhe ky lloj është më i vështirë për mua, pasi që t’i kem kushtuar kujdes atij se çka tha. Nganjëherë më paraqitet meleku në formë të njeriut, më flet e unë i kushtoj kujdes se çka më thotë.

Hadithi në fjalë tregon mënyrën praktike të zbritjes së shpalljes, kurse mënyrat të cilat përmenden në hadith janë:

1) Shpallja i zbret të Dërguarit në formë shushurime të zërit, ose si tingujt e ziles. Kjo mënyrë është më e vështirë, më e rëndë për të Dërguarin.

2) Meleku vjen në formën e njeriut dhe i flet atij fjalë me lejen e Allahut xh.sh.

Muhamedi a.s., gjatë zbritjes së shpalljes (gjatë frymëzimit), haste në vështirësi, skuqej, ngushtohej, lodhej. Kjo gjë ishte normale, sepse ai ishte i vetëdijshëm se prej kujt inspirohej, me kë bisedonte, kush ishte Dërguesi i tij dhe i asaj që po i dërgohej atij. Sesa ndiente lodhje Muhamedi a.s. pas zbritjes së shpalljes, pas frymëzimit, këtë më së miri na e përshkruan Aishja r.a.h., e cila thotë: “E kam parë të Dërguarin duke i zbritur atij shpallja në ditën më të ftohtë të dimrit, kur i ndërpritej, vetullat e tij ishin të përmbushura me djersë.

Sa i përket llojit të shpalljeve, Allahu xh.sh. thotë:

وَ مَا كَانَ لِبَشَرٍ أَن يُكَلِّمَهُ اللَّهُ إِلاَّ وَحْيًا أَوْ مِن وَرَاء حِجَابٍ أَوْ يُرْسِلَ رَسُولا فَيُوحِيَ بِإِذْنِهِ مَا يَشَاء إِنَّهُ عَلِيٌّ حَكِيمٌ

Nuk ka asnjë njeri që t’i ketë folur Allahu ndryshe, veçse me anën e frymëzimit, ose pas ndonjë perdeje, ose t’i dërgojë të dërguar (melek), e ai t’i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Vërtet, Ai është më i Larti, më i Urti.  (Shura:51)

Në bazë të këtij ajeti Kur’anor mund të konstatojmë se shpallja ndahet në tri lloje:

  • Shpallja ose frymëzimi pa ndërmjetësues

Ky lloj i shpalljes është kur në zemrën e Pejgamberit rrënjoset shpallja, qoftë ai i zgjuar, qoftë duke fjetur. Në këtë lloj të shpalljes bën pjesë shpallja e cila i zbriste Pejgamberit a.s. në formë të zërit të ziles. Gjithashtu në këtë lloj bën pjesë edhe inspirimi (ilhami) dhe ëndrra në gjumë. Ky lloj i shpalljes, i frymëzimit, arrihet ashtu që Allahu xh.sh. krijon në zemrën (shpirtin) e Pejgamberit dituri të vërtetë dhe të domosdoshme që të mund të kuptojë atë që ka dëshiruar Allahu xh.sh. prej Fjalëve të Tij dhe t’i shpallet Pejgamberit. Ky lloj frymëzimi u manifestua tek Ibrahimi a.s. dhe te Muhamedi a.s. me rastin e Israsë dhe Miraxhit. 

  • Shpallja ose frymëzimi me ndërmjetësues

Ky lloj i shpalljes është kur Allahu xh. sh. i flet të dërguarit të Tij pas ndonjë perdeje, ose pas ndonjë druri, guri etj. Këtë lloj të shpalljes mund ta dëgjojnë edhe të tjerët që gjenden pranë të dërguarit. Ky lloj frymëzimi u manifestua te Musai a.s. dhe këtë e dëgjuan edhe të pranishmit që ishin me Musain a.s., 70 vetë prej Beni Israilëve.

 

  •  Shpallja ose frymëzimi me ndërmjetësues duke ia dërguar melekun

Lloji i tretë është kur Pejgamberit i zbret meleku në formën e njeriut dhe i flet atij me fjalë. Ky lloj i shpalljes u manifestua më së shumti te të gjithë Pejgamberët e Allahut xh.sh.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: