ISLAMI DHE SHKENCA: NJË VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM

Abasi Kiyimba

 

Parashtrimi i problemit

Marrëdhënia mes të Islamit dhe shkencës ka qenë një pikë qendrore e debateve dhe polemikave mes dijetarëve që prej një periudhe mjaft të gjatë kohore. Në vitin 1983, Jameelah e sulmoi kështu shkencën moderne:

Shkenca moderne nuk udhëhiqet nga asnjë vlerë morale, por nga materializmi i zhveshur dhe arroganca. E gjithë sfera e dijes, ashtu si edhe fushat e saj të zbatimit, janë kontaminuar nga e njëjta e keqe. Shkenca dhe teknologjia janë krejtësisht të varura mbi bashkësinë e idealeve dhe vlerat e ushqyera nga anëtarët e saj. Nëse rrënjët e një pemë kalben, atëherë kalbet e gjithë pema; prandaj të gjitha frytet e saj janë të kalbura.1

Gati 700 vjet më parë, dijetari i njohur mysliman Imam el-Gazaliu,2 kishte shprehur frikën se qartësia dhe saktësia e demonstrimeve matematikore, mund t’i çojë ata që i studiojnë ato (në mënyrë sipërfaqësore), të mohojnë cilësitë e Allahut. Kundërshtimi i tij nuk kishte të bënte me matematikën si shkencë, por me pasojat e saj të mundshme, siç vërehet në fragmentin e mëposhtëm:

Edhe pse gjeometria dhe aritmetika nuk përmbajnë nocione që janë të dëmshme për besimin fetar, unë prapseprapë kam frikë se dikush mund të tërhiqet nëpërmjet tyre drejt doktrinave që janë të rrezikshme.3

Pikëpamje të ngjashme janë shprehur edhe nga studiues të ndryshëm, secili sipas bindjeve të tij dhe kohës në të cilën ka jetuar. Por, siç pritet, nuk ekziston ndonjë konsensus mes dijetarëve myslimanë mbi këtë temë. Jamal al-Din el-Afgani4 është shprehur haptazi:

Ata që ndalojnë shkencën dhe dijen në fe me argumentin se janë duke mbrojtur fenë islame, në të vërtetë janë duke u sjellë si armiq të kësaj feje. Feja islame është më e afërt se çdo fe tjetër me shkencën dhe dijen, dhe nuk ka asnjë mospërputhje ndërmjet shkencës e dijes dhe shtyllave kryesore të fesë islame.5

Seyed Ahmed Khan,6 një dijetar mysliman, i cili ka shprehur një qëndrim të ngjashëm, megjithëse më të butë, ka deklaruar se shkenca është vepër e Allahut, të cilën herë pas here shkencëtarët kanë nderin ta kuptojnë:

Unë jam plotësisht i bindur se Vepra dhe Fjala e Allahut nuk mund të jetë kurrsesi antagoniste me njëra-tjetrën; ka raste kur për faj të njohurive tona të pamjaftueshme, ndonjëherë ndodh të bëjmë gabime në të kuptuarët e thelbit të Fjalës Hyjnore.7

Në ditët tona, Sardar ka shprehur një pikëpamje, e cila gëzon popullaritet të konsiderueshëm në mesin e dijetarëve bashkëkohorë dhe liderëve të opinionit publik mysliman:

Ndërsa shkenca në vetvete është neutrale, është qëndrimi me të cilin ne i qasemi shkencës ai që e bën atë laike apo islamike. Qasja islame i njeh kufizimet e mendjes dhe arsyes njerëzore, dhe pranon që e gjithë dija është pronë e Zotit.8

Të tilla pikëpamje dhe të tjera si këto, tregojnë se dijetarët myslimanë nuk pajtohen në lidhje me idenë se çfarë qëndrimi duhet të mbajë Islami në drejtim të shkencës moderne. Debati kohët e fundit është zhvendosur nga refuzimi i zbulimeve shkencore si “të rrezikshme” për Islamin, në kërkimin e mënyrave më të përshtatshme të bashkëekzistencës së tij me shkencën moderne. Këndvështrimet variojnë që nga pranimi i përgjithshëm i metodave dhe paradigmave perëndimore, e deri në një refuzim total të tyre, dhe thirrjet për krijimin e një shkence alternative islame. Ky debat ka angazhuar si dijetarët myslimanë ashtu edhe ata jomyslimanë.

 

Identifikimi i çështjes

Në këtë artikull, unë jam përpjekur të trajtoj mënyrën se si Islami i qaset shkencës moderne, duke u përpjekur që të paraqes një sfond në lidhje me debatin aktual përsa i përket kësaj çështjeje. Probleme të tilla mund të shërbejnë si referencë, për diskutime, debate apo studime të ndryshme. Përveç kësaj, meqenëse pikëpamjet tona rreth Islamit dhe shkencës ndryshojnë sipas kohës dhe vendit, unë do t’i përkufizoj ato në vijim.

Islami është një besim fetar dhe mënyrë jetese që ia atribuon gjithë fuqinë dhe rregullin Qenies Supreme, Zotit, i Cili ka krijuar çdo gjë dhe na ka urdhëruar për të adhuruar vetëm Atë. Ai e ka udhëzuar njerëzimin nëpërmjet Librit të Tij, Kuranit, si dhe nëpërmjet të Dërguarve të Tij dhe profetëve, prej të cilëve Profeti Muhammed është i fundmi.9 Islami i ofron sukses njerëzimit si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, nëpërmjet një pakete e cila përfshin paqen dhe mirëqenien ndërmjet çdo personi dhe Zotit, si dhe midis çdo personi dhe fqinjit të tij ose të saj. Ai na mëson rrugën për të nxjerrë përfitim nga çdo gjë që përmban krijimi, duke qenë njëkohësisht të vetëdijshëm për fatin tonë shpirtëror. Islami pra, ofron një kod të plotë të udhëzimeve morale, shoqërore, politike, ekonomike si dhe një gamë të gjerë çështjesh të tjera.

Shkenca është një pjesë e njohurive që kemi fituar përmes vëzhgimit dhe analizës. Termi është mjaft i gjerë, për shkak se pothuajse çdo degë e hulumtimit dhe studimit të njeriut, mund të quhet një shkencë. Duke pasur parasysh këtë, ne mund të flasim në lidhje me shkencat fetare dhe sociale. Në këtë punim, unë kam përdorur termin shkencë për të paraqitur shkencat fizike, qofshin ato teorike apo aplikative, të cilat përdorin eksperimentimin konsistent, vëzhgimet dhe që nxjerrin përfundime, në një përpjekje për të kuptuar universin fizik dhe material. Një marrëdhënie e tillë mes shkencës dhe Islamit, është çështja thelbësore e këtij debati.

Gjendja aktuale e shkencës në botën islame ka qenë një pikë kyçe në disa nga këto diskutime. Në disa raste, studiues të tillë si Hoodbhoy, kanë arritur në përfundime tepër të pasakta rreth Islamit dhe shkencës.10 Për të qenë të drejtë në vlerësim, ne duhet t’i kujtojmë vetes sonë se gjendja e shkencës në botën e sotme myslimane, nuk reflekton pozitën e lartësuar që Islami i jep shkencës dhe formave të tjera të dijes. Në të kaluarën, udhëheqësit myslimanë e kanë trajtuar kërkimin shkencor si një përparësi dhe kanë siguruar nxitje dhe lehtësira për shkencëtarët, duke sjellë si rezultat një lulëzim të shkencës në mbarë tokat myslimane. Kështu, kjo periudhë e prosperitetit shkencor përbën një pjesë të domosdoshme të sfondit në këtë diskutim.

 

Shkenca nuk është diçka e huaj për botën myslimane

Shkenca moderne është paraqitur shpeshherë si një diçka huaj me të cilën Islamit i duhet të përshtatet, ose për të cilën duhet gjetur një vend në Islam, si një domosdoshmëri e diktuar nga ndryshimi i periudhave kohore. Prandaj është e nevojshme të theksohet fakti se historia islame regjistron një mori shembujsh veprimtarish shkencore nga shkencëtarët myslimanë, të cilët ishin njëkohësisht edhe teologë edhe filozofë të shquar të fesë islame. Ghiles vëren se:

Në kulmin e vet, pra rreth një mijë vjet më parë, bota myslimane dha një kontribut të çmuar për shkencën, matematikën e avancuar dhe mjekësinë. Bagdadi në kulmin e tij dhe Spanja Jugore ndërtuan universitete në të cilat u dyndën me mijëra njerëz. Sundimtarët e rrethuan veten me shkencëtarë dhe artistë.11

Kjo meritë është një nga të shumtat që studiuesit perëndimorë po ia njohin, megjithëse me mjaft vonesë, qytetërimit mysliman. Sarton shprehet:

Që nga gjysma e dytë e shekullit të tetë e deri në fund të shekullit të njëmbëdhjetë, arabishtja ishte gjuha e shkencës dhe e progresit për mbarë njerëzimin […], kujtdo që dëshironte të ishte i mirëinformuar me të rejat më të fundit, i duhej të studionte arabisht…12

Ai, mandej, paraqet një listë të gjatë të shkencëtarëve myslimanë, të cilët mbartnin pishtarin e qytetërimit, ndërsa, sipas fjalëve të Hoodbhoy, “evropianët ishin të zënë me nxjerrjen e zorrëve të heretikëve .”13 Duke cituar punën e një shkencëtari mysliman, Sarton shkruan në vijim në lidhje me përkthimit nga ana e Robertit të Chester-it të veprës së el-Khuarizmit14: “Vështirë të quhet ekzagjerim rëndësia e këtij përkthimi të veçantë. Ajo mund të thuhet pa frikë se shënon fillimin e algjebrës evropiane.”15

Gandz e përpunon edhe më tej shpjegimin rreth idesë së borxhit që shkenca moderne i ka qytetërimit islam:

Jemi mjaft të vonuar në njohjen e algjebrës se Al – Khuarizmit si baza dhe guri themeltar i shkencës. Në njëfarë kuptimi, është më e drejtë të quhet el-Khuarizmi si “babai i algjebrës”, sesa Diophantusi, pasi Al-Khuarizmi ishte i pari që e shpjegoi algjebrën në një formë elementare për qëllimet e tij, [ndërsa] Diophantusi u mor kryesisht me teorinë e numrave.16

Rosenthal i mëshon të njëjtës ide kur shkruan:

Shkenca dhe mjekësia islame janë të rëndësishme si pjesë e vazhdimësisë së traditës klasike, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim, ku ky i fundit, në një masë të madhe, është borxhli ndaj qytetërimit mysliman përsa i përket këtyre fushave.17

Profesor de Santillana i Massachusetts Institute of Technology shprehet kësisoj në lidhje me al-Biruni-n:

Tek El-Biruni, shkencëtari më i madh i Islamit, ne ndeshemi me një mendje të ndritur, aspak të ndryshme nga mendjet më të ndritura në fushën e shkencës në Perëndim. Besimi i tij fetar është solid, por … megjithatë kjo nuk e pengon lirinë e tij të gjykimit, dashurinë e tij për faktet, kuriozitetin e tij të pakufishëm, sarkazmën e tij të lehtë, kultin e tij të rreptë dhe të kujdsshëm të integritetit intelektual.19

Hoodbhoy, ndërsa është mjaft kritik ndaj shkencës islame, thotë fjalë të mira për shkencëtarët e Epokës së Artë të qytetërimit islam:

Sot sjellim ndër mend Nasir al-Din al-Tusi [1201-1274] për trigonometrinë e tij, `Khayyam Umar’-in për zgjidhjen e ekuacioneve kubike, Xhabir ibni Hajran-in, [shek. 8-9] për gjenialitetin e aparatit të tij kimik, Al-Jazari-in [shek. 12] për makinat e tij të ndërlikuara…20

Shpikja e zeros nga matematikanët myslimanë është një nga kontributet më spektakolare të qytetërimit islam në shkencën moderne. Është e vështirë të imagjinohet një matematikë moderne pa të. Në lidhje me këtë kontribut, el-Daffa vëren se:

Krijimi i zeros hapi rrugën për konceptimin e tërë numrave algjebrikë pozitivë dhe negativë, të cilët përdoren për llogaritje, identifikimi e ngarkesave elektrike, në lundrim, etj.21

Natyrisht që shkencëtarët myslimanë u paraprinë nga të tjerë, sidomos ata të civilizimeve të hershme greke dhe romake. Larg anashkalimit dhe konsiderimit të tyre si të parëndësishme, myslimanët e studiuan veprën e tyre dhe nxorrën përfitim nga puna e Euklidit (lulëzoi rreth 300 p.e.s.), Arkimedit (v. 211 p.e.s.), Apollonios (l. 212 p.e.s.), Pitagoras (v. 497 pes), Efes, Vitruvius Pergam, Ptolemeu, dhe të tjerët. Për ta, shkenca ka qenë një disiplinë e eksperimentit dhe vëzhgimit korrekt. Një shkencëtar, Ebu Abdullah al Faraj Ta’ib (vd. 1043) thekson:

Në studimet tona kemi ndjekur gjurmët e paraardhësve tanë dhe jemi lodhur mjaft për të kuptuar siç duhet veprat e tyre. Për sa i takon pohimeve të mjegullta dhe shpjegimeve të tyre të paqarta, ne kemi zbuluar gjithashtu një numër idesh që shkojnë përtej asaj që ata kanë thënë.

Shkencëtarët e hershëm myslimanë punonin në një atmosferë përfitimi, pranimi, dhe rinovimi të veprës së pararardhësve të tyre. Shkenca moderne, shumëçka prej së cilës i atribuohet Perëndimit, ka huazuar mjaft nga shkencëtarët që kanë jetuar në botën islame (prej të cilëve jo të gjithë ishin myslimanë), edhe pse ky fakt rrallëherë është pranuar. Al-Hassan dhe Hill raportojnë se el-Muradi, një shkencëtar mysliman i shekullit të njëmbëdhjetë, e pati huazuar teknologjinë gjetkë (përfshirë edhe pjesën veriore të Evropës) për të ridizenjuar orën e famshme arabe me ujë.22 Më vonë, orët e tij u përhapën në të gjithë Evropën dhe ende mund të vërehen nëpër ato zona evropiane ku vlerësohet veçanërisht antikiteti.

Është e qartë se ka ekzistuar një marrëdhënie e fortë e ndërvarësisë shkencore midis qytetërimit mysliman dhe domenit aktual të shkencës moderne: qytetërimit perëndimor. Megjithatë kur përshkruajmë shkencën moderne, shpeshherë harrojmë të përmendim faktin se shkencëtarët myslimanë luajtën një rol të madh historik në formësimin e saj, siç shprehet edhe Hoodbhoy:

[Shkenca] është si një ndërtesë gjithmonë në përdorim, por në riparim të përhershëm, vazhdimisht në zgjerim në madhësi, duke shtuar në vetvete hapësira dhe ndarje të reja …. [dhe] individët shkencëtarë, ashtu si milingona punëtore që rropaten përditë duke punuar, janë ndërtuesit më të vlefshëm të cilët ndihmojnë në krijimin e kësaj depoje gjigande të dijes njerëzore.23

Myslimanët duhet ta shohin këtë deklaratë në kontekstin e vëzhgimit të Sardar, sipas të cilit e gjithë dituria është pronë e Zotit. Bota myslimane ka kontribuar përmes shkencëtarëve që ajo ka prodhuar. Ne gjithashtu duhet të theksojmë, se këta shkencëtarë myslimanë patën sukses pjesërisht edhe për shkak të interesit dhe mbështetjes së udhëheqësve të asaj epoke. Suksesi i vëllezërve Benu Musa të Bagdadit, të favorizuar zyrtarisht, është një shembull i mirë në këtë pikë. Al-Hassan dhe Hill raportojnë në lidhje me Kalifin el-Mutakid (v. 902), se: “Kalifi Mutakid, për shembull, u ka siguruar atyre strehim të pallatin e tij, madje edhe dhoma për të gjitha degët e shkencave, dhe profesorët paguheshin me shpërblime të posaçme për të dhënë mësim atje.”24

 

Postime të ngashme