Lexo, ky ishte urdhri i parë që iu shpall Profetit (s.a.s.)

Përkundër faktit se i Dërguari i Zotit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) nuk mori asnjë lloj edukimi dhe nuk dinte të shkruante ose të lexonte deri ditën që vdiq, “Lexo” ishte urdhri i parë që mori nga Zoti i tij përmes engjëllit të shpalljes, Xhebrailit (a.s). Ajetet e para që iu shpallën janë si në vijim:

  1. Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).
  2. Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës).
  3. Lexo! Se Zoti yt është më bujari!
  4. Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me penë.
  5. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.

Këto vargje ngulitën tek Profeti (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) rëndësinë e edukimit dhe e bënë atë të vetëdijshëm për rolin e madh që luan në jetën e kombeve, veçanërisht në formimin e një shteti të ri.

Në një rast, Profeti (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) hyri në xhami para kohës së faljes, ku gjeti grupe njerëzish të ulur. Një grup po lutej, një tjetër po përmendte Zotin, ndërsa një tjetër ishte ulur në një cep i zënë me kërkimin e diturisë. Njerëzit e grupit të fundit kishin mësuar të lexonin dhe të shkruanin dhe diskutonin mësimet e Islamit dhe zbatimin e tyre në jetën e tyre të përditshme.

Duke parë këto grupe, Profeti (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) tha: “Ata po merren me punë të dobishme. Unë jam dërguar si mësues, kështu që do të bashkohem me grupin që është mbledhur për të mësuar.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: