Bazat e besimit (I)

Baza e para e besimit ka të bëjë me besimin në ekzistencën dhe njëshmërinë e Allahut. Një mysliman, para së gjithash beson se Allahu ekziston, Ai është një dhe kjo gjithësi është vepër e krijimit të Tij. Ai nuk ka ortak, të njëjtë dhe të ngjashëm në qenien, atributet dhe veprat e Tij. Cilësitë e tij nuk i ngjajnë cilësive të krijesave.

Çdo gjë që ekziston tregon për ekzistencën dhe njëshmërinë e Krijuesit. Allahu është pafillim dhe i pafund, i papërfshirë brenda dimensioneve vend-kohë, larg çdo nevoje, dobësie dhe mangësie. Nuk mund të mendohet për asnjë qenie tjetër, që t’i ketë këto cilësi.

Cilësitë e Allahut kanë përfshirë çdo gjë dhe çdo gjë është e varur nga vullneti i Tij. Ai është posedues i emrave të bukurisë si; Mëshirues, Falës dhe i Dashur, po ashtu edhe i emrave të madhështisë si; Fuqiplotë, Nënshtrues dhe Hakmarrës. Atyre që e besojnë, Ai i trajton me butësi dhe për ata që mohojnë dhe kundërshtojnë do të ketë dënim.

Adhurimi mund t’i bëhet vetëm Allahut. Lumturia e njerëzve në këtë botë dhe ahiret, arrihet vetëm duke i’u bindur urdhërave të Tij. Ky është një ligj hyjnor, për të cilin nuk mund të mendohet ndryshimi.

Mendja e njeriut nuk mundet dot ta kuptojë qenien dhe esencën e Allahut, sepse mendja është e krijuar dhe e kufizuar. Është një e vërtetë e qartë, se e kufizuara nuk mundet dot ta përfshijë të pakufizuarin. Pra, Zoti është ndryshe nga çdo përfytyrim që mund të na vijë në mendje.

Allahu nuk ka ortak as në Veten dhe as në veprat e Tij. Ai është Krijuesi i vetëm i gjithësisë, Poseduesi dhe Sundimtari i saj. Allahu është ai që ka krijuar shkaqet dhe është po Ai, që krijon rezultatet e shkaqeve. Ai krijon pemët dhe frutat e tyre.

Falënderimi, adhurimi dhe çdo lloj i lavdërimit i përket vetëm Atij. Besimtarët ashtu sikurse adhurojnë vetëm Allahun, edhe ndihmën e kërkojnë vetëm prej Tij. “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (Fatiha, 1/5)

Kur kryejnë ndonjë gjynah, pendimin i’a shfaqin direkt Allahut. Sepse, gjynahet që bëjnë njerëzit, askush tjetër përveç Allahut, nuk mundet t’i falë.

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: