Zhvillimi i ndjenjës së bujarisë tek fëmijët
Në këtë çështje, rruga më e drejtë është shembulli personal. Fjala vjen, kur vjen dikush te dera dhe shtrin dorën dhe burri me gruan dalin me duart plot me gjëra për të dhe, me një sjellje përvujtnie, ia dëgjojnë me kujdes hallet, kjo bëhet për fëmijën mësimi më me efekt për edukimin e tij si njeri i dhembshur e bujar.
Ndjenja e dhembshurisë te fëmijët është edhe e trashëgueshme. Për shembull, disa fëmijë, qysh të vegjël, përloten shpejt. Kjo është shenjë se ata në të ardhmen do të bëhen njerëz pak a shumë të ndjeshëm, të brishtë, delikatë. Ç’është e vërteta, disa herë fëmijët përloten për të tërhequr vëmendjen ose për të arritur që t’u plotësohen dëshirat, por përlotja e ndjerë është diçka tjetër. Qoftë kështu apo ashtu, po qe se mendojmë t’i kemi ose të na bëhen fëmijët të butë, bujarë dhe të dhembshur, duhet ta bëjmë familjen një mjedis të ngrohtë, të butë, plot dashuri dhe dhembshuri mes pjesëtarëve të saj.
Rritja e fëmijës si koprrac ose, siç thotë populli, dorështrënguar, të dhënë pas interesave dhe mirëqenies materiale, mund të quhet shkak që, në vartësi të disa kushteve të caktuara, ai të bëhet egoist, interesaxhi, ambicioz, ekspansiv dhe kundërshtues. Po qe se një fëmijë i tillë nuk rritet sipas moralit hyjnor, kjo gjendje përbën për të fatkeqësi si për jetën e kësaj bote, ashtu dhe për jetën e pasosur të tij.
Mëshira dhe dhembshuria janë shumë të rëndësishme. Bujaria është shfaqje e një shpirti të tillë. Heronjtë e dhembshurisë janë gjithmonë të humbur materialisht. Por bujari mund të hyjë në xhennet edhe në qoftë mëkatar apo heretik, kurse mundësia e besimtarit koprrac për të hyrë në xhennet është e ulët. Prandaj fëmijëve u duhet zhvilluar ndjenja e keqardhjes dhe dhembshurisë, u duhet shtuar ndjenja e dhënies dhe mirëbërësisë me qëllim që të mos bëhen ambiciozë e të jepen pas interesave të kësaj bote, për rrjedhojë, t’i harrojnë Allahun dhe njerëzit. Sigurisht, do t’ia mësosh fëmijës të dhënët që të mos bëhet materialistë, që në jetën shpirtërore të lidhet pas Allahut. Ndërkaq, le ta kujtojmë edhe një herë se, të dhënët, përsa i përket vlerës si shembull personal i edukatorit, po s’u tregua praktikisht dhe po s’u mbështet edhe me fjalë, nuk ka ndikim.