Xhenneti

Fjala xhennet, kuptimi leksikor i së cilës është “vend/kopsht i mbuluar me pemë dhe gjelbërim”, në terminologjinë fetare emërton vendin e jetës tjetër, të pajisur me të mira e mrekulli, ku besimtarët do të jetojnë përjetësisht. Pas hyrjes në xhennet nuk ka më dalje prej tij.

Pafundësia e jetës së Xhenetit kurrsesi nuk do t’i mërzisë njerëzit. Sepse ai është vend pa dhimbje, pa derte, pa sëmundje, thjesht vend kënaqësie pa monotoni. Ata që do ta meritojnë këtë jetë, do të zhvishen nga ndjenjat negative si urrejtja, neveria dhe mërzitja, të ngulitura në krijimin e tyre tokësor mbështetur mbi disa urtësi të caktuara.

Kur’ani bën të ditur se Ahireti nuk është i sistemuar si jeta e kësaj bote, atje ka tjetër sistem. Për shembull, specifika e pastrimit të zemrës nga urrejtja shprehet kështu në Kur’an:

وَ نَزَعْنَا مَا فِي صُدُورِهِم مِّنْ غِلٍّ تَجْرِي مِن تَحْتِهِمُ الأَنْهَارُ

Në Xhenet, ndërsa nën ta do të rrjedhin lumenj, Ne do t’ua shkulim prej zemre tërë urrejtjen. (Araf:43) Kështu, ata do ta jetojnë çdo çast në lumturi dhe hare.

Pejgamberi a.s. lidhur me Xhenetin tregon se është një sihariq mjaft emocionues për ata që e besojnë: Allahu urdhëron: -Për robtë e mi të mirë, Unë kam përgatitur gjëra që nuk i kanë parë sytë, që nuk i kanë dëgjuar veshët dhe që e kapërcejnë përfytyrimin e njeriut.

Xheneti fitohet vetëm falë mëshirës së Allahut xh.sh. i mbështetur mbi veprimtarinë tonë. Ngase veprimtaria e njeriut nuk mjafton për të fituar Xhenetin që do t’i jepet atij në të ardhmen. Lidhur me këtë, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Asnjë punë e një njeriu nuk mund ta bëjë atë që të hyjë në Xhenet”. Sahabet e pyetën: “A edhe puna jote s’të fut dot ty në Xhenet, o i Dërguari i Allahut?” Atëherë, i Dërguari i Allahut iu përgjigj: Po të mos ishte mëshira dhe falja gjithëpërfshirëse e Allahut, as puna ime s’do të më fuste mua në Xhenet.

Kënaqësia dhe lumturia më e madhe për banorët e Xhenetit do të jetë kur Allahu t’ua tregojë Veten atyre.

Këtë situatë Allahu e bën të ditur në Kur’an:

وُجُوهٌ يَوْمَئِذٍ نَّاضِرَةٌ إِلَى رَبِّهَا نَاظِرَةٌ

Ka fytyra që atë ditë do të vezullojnë plot dritë dhe do ta shikojnë Zotin e tyre. (Kijame:22-23) Kurse në një transmetim të saktë, që e mbështet domosdoshmërinë e kuptimit në këtë mënyrë të këtij ajeti, Pejgamberi a.s. thotë: Pa dyshim, siç e shihni këtë Hënë, do ta shihni edhe Zotin tuaj si dhe nuk do ta dëmtoni njëri-tjetrin për shkak të grumbullimit të madh aty.

Në këto kushte, çdo besimtar në Xhenet do ta shohë Allahun. Në një mënyrë të panjohur për ne. Do të ndodhë në atë masë sa ç’e ka zhvilluar besimin dhe afrimin ndaj Allahut në këtë botë. Sipas kësaj, shikimi i Allahut nga ana e besimtarit do të jetë i ndryshëm nga shikimi i Allahut prej Pejgamberëve.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: