Vlera e modestisë

Ajo që i shkon për shtat natyrës njerëzore nuk është mendjemadhësia dhe krenaria, por modestia dhe thjeshtësia. Njeriu që e ka bërë pjesë të karakterit modestinë, e ka zbukuruar veten në kuptimin figurativ. Ky moral ishte një nga elementët më dallues të sjelljes së Profetit Muhamed (s.a.s), i cili shërben si shembull i përsosur për të gjithë njerëzimin.

Profeti i Zotit qëndroi gjithnjë mbi parimet e tij të moralit dhe asnjëherë nuk e ndryshoi sjelljen e tij, pavarësisht situatave të ndryshme në jetë. Pas çdo mirësie të Zotit, ai qëndroi gjithnjë i përulur dhe u shfaq i thjeshtë para njerëzve. Modestia dhe thjeshtësia mbetën gjithnjë pjesë të natyrshmërisë së tij. Ai vetë shprehet: “Allahu i dhuron robit falës veçse dinjitet dhe kush tregohet i thjeshtë për hir të Allahut, Ai veçse do ta lartësojë atë.”

Çfarë është thënë për modestinë:

Fudajl b. Ijad ka thënë: “Modesti do të thotë të përulesh dhe ta pranosh të vërtetën. Të vërtetën duhet ta pranosh edhe nëse e dëgjon nga një fëmijë apo nga një i paditur.”

Ebu Sulejman ed-Daraniu ka thënë: “Njeriu që nuk e njeh veten, nuk mund të jetë modest!” Kjo tregon se modestia lidhet ngushtë me njohjen e njeriut, të pozitës që ka përpara Krijuesit.

Fjala e Hz. Ebu Bekrit e shpjegon shumë mirë modestinë. Ai ka thënë: “Dinjitetin e gjetëm në devotshmëri, pasurinë shpirtërore në bindje dhe nderimin në modesti.”

Postime të ngashme