Vlera e dynjasë dhe Ahiretit

Muhamed bin Mukediri transmeton prej Xhabir bin Abdullahut r.a. se ka thënë:

“Isha i pranishëm në një tubim me të Dërguarin s.a.v.s. Erdhi një njeri me fytyrë të ndritshme, me flokë të krehura dhe me fytyrë të rregulluar, i veshur me tesha të bardha, e tha:

‘Esselamu alejke, o i Dërguar i All-llahut!’

I Dërguari s.a.v.s. iu përgjigj: Alejkes-selam dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi ju.

Njeriu i tha: “O i Dërguari i Allllahut, çka është dynjaja??

Ai u përgjigj: Ëndërr njerëzore dhe njerëzit të cilët janë në të do të shpërblehen ose do të dënohen.

Njeriu pyeti: “O i Dërguar i All-llahut, çka është Ahireti?’

Ai u përgjigj: Amshueshmëri. Njëra grup do të hyjë në Xhennet e tjetra në Xhehennem.

Njeriu përsëri e pyeti: “O i Dërguar i All-llahut, çka është Xhenneti?’

Ai u përgjigj: Ndërrim për dynjanë, për atë që e lë dynjanë. Aty janë kënaqësitë e përhershme.

Njeriu më tej pyeti: “O i Dërguar i All-llahut, çka është Xhehennemi?’

Ai u përgjigj: Zëvendësim i dynjasë, për atë që ia mësynë dynjasë. Atë asnjëherë nuk do ta lëshojë.

“E cilët janë njerëzit më të mirë të këtij ummeti?”

Ata të cilët në dynja punojnë, të përulur Allllahut.

“E si të sillet njeriu në dynja?’

Ashtu si sillet ai që e ka humbur karvanin dhe e kërkon.

“E sa do të qëndrojë në të?’

Aq sa do të qëndrojë ai që e kërkon karvanin.

“Sa ka në mes dynjasë dhe Ahiretit?’

Aq sa çel e mbyll sytë.

Pastaj njeriu shkoi dhe nuk dukej më. I Dërguari s.a.v.s. tha: Ky ishte Xhibrili i cili erdhi që t’ua mësojë juve bazat e zuhdit në dynja dhe t’iu motivojë që t’ia mësyni Ahiretit”.

Postime të ngashme