Unë, njeriu mbi tokë, shkatërrova gjithҫka

Nga Ferit Lika

Unë, njeriu! Erdha në këtë botë si një qenie e brishtë, krejt i pafajshëm dhe i pambrojtur nga rreziqet.

Nuk dija asgjë për botën e re në të cilën kisha mbërritur. Ditë pas dite fillova të vëzhgoj, të shoh dhe të dëgjoj. Më pas fillova të imitoj sjelljet e qenieve të tjera njerëzore që kishin ardhur përpara meje në tokë.

Ditë pas dite fillova të zvarritem, kacavirrem deri sa u ngrita në këmbë. Aty mendova se bota ishte e imja, u gëzova pa masë dhe nisa të vrapoj, kur krejt pra pritur u plandosa përdhe, rënia qe më e fortë se ngritja, por unë nuk u dorëzova, më me ngulm e kërkova ngritjen.

Rrëzohesha, ngrihesha prap, rrëzohesha, ngrihesha, me qindra herë, deri sa ia arrita.

Më pas filluan të më joshin tingujt, zërat dhe nisa të belbëzoja, kërkoja që e gjithë vëmendja të ishte mbi mua. Ecja dhe vrapoja ҫdo ditë dhe kërkoja të mësoja më shumë, më shumë, më shumë, dëshiroja të rritesha sa më shpejt.

Ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti rritesha, mësoja, kërkoja dhe merrja atë ҫ’ka doja, nga mbrapa kisha familjen që më mbështeste, që më ndihmonte, që unë të rritesha, të bëhesha i denjë për të trashëguar tokën.

I mbusha 18. Tani vetja më dukej i plotësuar, mjaftueshëm i mësuar, nuk ia kisha më nevojën atyre që më kishin mbështetur. Tashmë isha zot i vetes. Tani mund të sundoja botën, ika u largova nga shtëpia, duhej të isha i pavarur.

Por edhe këtë herë rrëzimi ishte i fortë. Aq i fortë sa pa ndihmën e familjes do ta kisha patur të vështirë rikthimin, mbase të pamudur.

Unë njeriu, tashmë kisha aritur fazën ku duhej t’i jepja botës, pasi kisha marrë për kaq vite, vetëm kisha marrë.

Po ҫfarë bëra?

Vazhdova të kërkoj edhe më shumë, gjithmonë e më tepër. Gjithҫka duhej të ishte e imja.

Unë njeriu, prisha ekosistemin, stinët kanë marrë nga njëra-tjetra, akujt po shkrihen, ekuilibrat janë prishur. Të gjitha këto i bëra për shkak të babëzisë, pangopësisë.

Kudo ku unë shkel, sjell shkatërrim. Natyra është krijuar kaq bukur, por unë e rrënova atë. Nuk u përshtata dot, por e bëra atë sipas vizionit tim dhe vizioni im e shkatërroi atë.

Vitet kalonin me një shpejtësi marramendëse dhe e gjeja veten vetëm duke kërkuar për të arritur diku, ҫdo herë kishte një pikësynim të ri, një qëllim, një dëshirë, një ëndërr për të prekur, realizuar, deri kur e pashë veten në moshën e tretë.

Ky ishte edhe rrëzimi im final dhe më fatali, pasi tashmë shpresa për t’u ngritur sërish ishte shuar.  Tani i gjithë rrugëtimi im në këtë jetë, aq sa mund të ketë mbetur, vazhdon vetëm rënie, deri sa të prek fundin.

Unë, njeriu mbi tokë, shkatërrova gjithҫka. Preva pyjet, ndota natyrën me plehra masive, me fabrika dhe gazra të ҫliruara në ajër.

Ҫfarë kuptova nga e gjithë kjo?

Kuptova që ekziston vetëm një kohë në të cilën jeton njeriu, dhe ajo është sot, tani, ky moment, pra e tashmja.

E shkuara iku u bë pluhur nuk ekziston më, ndërsa e ardhmja s’ka ekzistuar ndonjë herë.

Pra në gjithë këtë rrugëtim unë jetova duke kërkuar, punuar dhe luftuar për të ardhmen që s’erdhi kurrë, e shpesh herë humbisja në kujtimet e të kaluarës, pa asnjë dobi, kështu unë e humba të tashmen, pra unë nuk jetova. Nuk jetova jetën time! E sot teksa pres fundin, unë njeriu, po largohem nga kjo botë, teksa e pyes vetën a e përdora unë botën apo bota më përdori mua?

Kur erdha, erdha duke qarë, e bota qeshi për mua. Po tani që po iki sërish, a do të qajë bota për mua, apo unë për botën që lashë pas?

Postime të ngashme