Ta ndiesh të gjithë Ramazanin me tërë thellësinë e vet
Ta ndiesh Ramazanin me tërë thellësinë e vet është e lidhur paksa edhe me thellësinë e njeriut që përpiqet ta ndiejë atë. Cilido që të jetë niveli në të cilin e ndien Ramazanin, njerëzit nuk duhet të gjykohen së jashtmi se si e jetojnë atë. Edhe pse mund të mos konsiderohet thellë, dikush që agjëron, fal teravitë, i fiton shpërblimet e tyre dhe çlirohet nga përgjegjësia e tyre. Por shpërblimet që do të fitojë do të jetë sipas thellësisë së mendimeve të veta. Nga ana tjetër, dikush që i përmbush këto me vetëdije të plotë, do ta marrë të shumëfishtë shpërblimin e kësaj, si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën.
Patjetër, çdokush që e mban agjërimin dhe i fal teravitë, në një formë apo në tjetrën, pa diskutim, do ta marrë shpërblimin e tyre. Por, kur ky është një muaj që Allahu u shpërndan dhurata të gjithë njerëzve, pse ai të mos shfrytëzohet në mënyrën më rentabël të mundshme? Pse të gjitha privimet dhe vështirësitë e përballuara gjatë këtij muaji të mos kthehen në kallinj që japin një me njëmijë!
Kryerja në këtë mënyrë, kryesisht e të gjitha adhurimeve, është shenjë dalluese e një myslimani fatlum. Në një farë mënyre ne jemi myslimanët fatkeq të një epoke fatkeqe. Ka një sërë burimesh të ndryshme nga ushqehet njeriu shpirtërisht. Kur ushqehet nga këto burime, besimtari bëhet një njeri që e jeton Islamin plot e përplot. Dhe në krye të këtyre burimeve vjen familja. Ne po jetojmë në një periudhë të atillë që familjet tona – edhe pse ndoshta jo të gjitha, por shumica – mund të konsiderohen injorante për sa i përket përkapjes së shpirtit të fesë dhe të jetuarit të saj. Fatkeqësisht, Islami nuk jetohet me tërë thellësinë e vet nëpër familje. Për rrjedhojë, fëmijët e rritur nëpër këto familje formohen larg shpirtit të fesë. Edhe nëse mund t’i kryejnë adhurimet, ata nuk i ndiejnë dot ato thellësisht, por mbeten të mbërthyer pas formës dhe dukjes. Në fakt, edhe rruga nuk ka shumë dallim nga familja. Madje rruga është edhe më e pamëshirshme. Ajo ia rrëmben fëmijës edhe atë pak kulturë fetare gjysmake, të cilën e ka marrë në familje. Jam shumë i mërzitur që e them këtë, por xhamitë janë kthyer në vende ku çdo gjë që kryhet nuk është më shumë sesa një formalitet. Të mos vijmë te shkollat, të cilat janë më se të varfëra në dimensionin shpirtëror dhe nuk u ka mbetur më asgjë që mund t’ua japin fëmijëve.
Këto, nisur edhe nga funksioni kryesor i tyre, janë vendet ku njeriu ushqehet shpirërisht. Po, fëmija duhet të ushqehet mirë edhe në familje, në rrugë duhet të ketë shokë të mirë, kur të shkojë në xhami, duhet të shohl që feja jetohet thellësisht, por ai duhet të marrë një farë ushqimi shpirtëror edhe nga shkolla, në mënyrë që të mund të bëhet mysliman. Sa keq që pothuajse në të gjitha këto burime është duke u përjetuar një ngrirje paralizuese. Për rrjedhojë, besimtari që nuk është i ushqyer nga të gjitha këto burime nuk mund ta jetojë muajin e Ramazanit me të gjithë thellësinë e vet. Tani, pasi e përcaktuam problemin, le të ndalemi për pak edhe mbi çështjen se çfarë mund të bëjmë në lidhje me zgjidhjen e tij.
Me vend do të ishte luajtja paksa me formatin, në mënyrë që të kapërcehet disi kjo ngrirje paralizuese që ka prekur burimet, por edhe për ta shpëtuar jetën fetare nga formalitetet. Për shembull, shoqëria mund të përfshihet në një diskutim të gjerë mes veti dhe të thotë: “Ejani, këtë Ramazan ta lexojmë Kuranin pak më ndryshe. Teksa e lexojmë në gjuhën arabe nga njëra anë, të ndalemi paksa edhe te kuptimi në gjuhën tonë, por edhe te tefsiri i atyre ajeteve. T’i japim fjalën njëri-tjetrit, që t’i falim teravitë me hatme. Dhe teksa falim teravitë, të dërgojmë salavate plot kumbim, të lexojmë libra lutjesh si Xheusheni dhe Eurad-i Kudsije. Të bëjmë gjithçka që është e nevojshme, vetëm ta ndiejmë pak më thellë praninë e Ramazanit.” Zaten e pëlqyeshme për teravitë është që të ulesh e të lexosh diçka sa koha e faljes së namazit pas çdo dhënieje të selamit. Nëse falni dy rekat, aq kohë sa duhet për të falur dy rekate, nëse falni katër rekate, aq kohë sa për katër rekate, të uleni dhe të lexoni diçka. Do ta mbani vazhdimisht të gjallë dhe të fortë atë ndienjë duke lexuar çdo ditë nga një lutje të re. Do t’i ushqeni adhurimet e kryera përditë duke ua ndryshuar atyre nga pak ngjyrën dhe motivet.
Pra, bashkësitë mund të merren vesh dhe të bëjnë një diskutim të tillë. Vetëm se kur ta bëjnë këtë, ata duhet të tregohen të kujdesshëm që të mos i ngarkojnë njerëzit me përgjegjësi të rënda, të cilat do të jenë të papërballueshme për ta. Ata mund të bien dakord në një masë që do ta vërë paksa në vështirësi egon, por nuk do t’i fusë njerëzit në pesimizëm; t’i marrin ato përgjegjësi përsipër dhe me sa të mundin, t’i jetësojnë.
Për shembull, mund ta lexojmë që gjatë ditës kuptimin e ajeteve që do të këndojmë gjatë faljes së teravive. Kësisoj, në vend që të kaplohemi nga gjithfarë mendimesh që i përkasin kësaj bote, gjatë faljes së namazit, në mendje të na vijnë e të ndalemi të paktën te domethëniet e atyre ajeteve.
Një anë tjetër e çështjes është edhe kjo: teravitë nuk duhet të falen me mendimin që ejani t’i falim e t’i përfundojmë sa më shpejt dhe të shohim secili punën e vet, por t’i kryejmë ato duke i ndjerë në shpirt. Shumë njerëz përpiqen që t’i falin dhe t’i kryejnë teravitë sa më shpejt, madje për këtë, ata zgjedhin edhe suret dhe ajetet më të shkurtra. Çfarë dallimi ka nga ushtrimet gjimnastikore një namaz i këtillë? Namazi do të falet për Allahun e Madhërishëm, në mendje do të sillet vetëm Ai Lartësi e lartësive në çdo pjesë të namazit, do të kryhet me edukatën dhe principet që kërkon të qenët përpara Tij, nuk do të bëhet asgjë që e prish këtë prani dhe do të shmanget çdo sjellje apo qëndrim që ndikon për keq në atë atmosferë. Kurani i lexuar shpejt e shpejt ku nuk kuptohet asgjë, rukutë dhe sexhdet e përbëra veçse nga ulje-ngritje të shpejta e të njëpasnjëshme, nuk i kanë kurrsesi hije të qenit përpara Allahut. Ashtu siç leximi dhe këndimi në këtë mënyrë vështirë se mund të quhen lexim apo këndim, edhe namazi i falur vështirë se mund të quhet namaz. Me pak fjalë, në mënyrë që njeriu ta ndiejë Ramazanin me tërë thellësinë e vet, njeriu duhet ta fitojë njëherë brenda vetes atë thellësi.