Synetet e Abdesit

Duke pasur parasysh se abdesi nuk ka vaxhibe, po kalojmë menjëherë në synetet e tij. Në terminologjinë e sheriatit, “Synet” quhen ajo vepër që Profeti a.s. e ka kryer vazhdimisht ose në përgjithësi dhe që ua ka këshilluar besimtarëve, por që nuk hyjnë në grupin e farzeve apo vaxhibeve.

Synetet e abdesit janë:

1. Të fillosh me bismil-lah (Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim), sepse Islami porosit që në çdo punë të vlefshme të fillohet me Bismil-lah. Shprehja më e kompletuar është të thuhet “Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim”, edhe pse mund të thuhet vetëm Bismil-lah. Pejgamberi a.s. ka thënë: “S’ka abdes, ai i cili nuk fillon me Bismil-lah.” (Ibni Maxheh)

Abdesi mund të merret edhe në banjë, por nëse ka ndonjë vend jashtë banjës ku do të merret abdes, ai është më e preferuar sepse në të mund të thuhen edhe duatë e abdesit, kurse nëse merret abdes në banjë, atëherë duatë do të thuhen pasi të dilet nga ajo.

2. Të bërit nijet me qëllim nënshtrimi – adhurimi për vepra, të cilat nuk lejohet veprimi i tyre pa abdes, edhe pse nijeti është vendosmëria e zemrës për të vepruar diçka, shqiptimi i nijetit është synet.

3. Larja e duarve deri në nyja.

4. Pastrimi i gojës dhe i hundës tri herë radhazi për çdo namaz në mënyrë që pas pastrimit të hundës të ndihet freskia e ujit, përveç namazet në muajin Ramazan.

5. Të pastruarit e dhëmbëve me misvak. Përdorimi i misvakut tri herë bashkë me ujë, kur të pastrohet goja.

6. Fërkimi i pjesëve mes gishtave të njërës dorë me gishtat e dorës tjetër e po ashtu edhe fërkimi mes gishtave të këmbëve.

7. Fërkimi i mjekrës së rritur (të shpeshtë) me gishta, duke filluar nga fundi i mjekrës e përpjetë, sepse kështu vepronte Pejgamberi a.s..

8. Pastrimi i çdo pjese gjatë abdesit të përsëritet nga tri herë.

9. Përfshirja e tërë kokës mes’h me dorë të lagur, por vetëm një herë.

10. Mes’h kokës t’i jepet duke filluar nga pjesa e përparme e kokës.

11. Mes-hi i veshëve të kryhet me dorë të lagët.

12. Pjesët e trupit ku kryhet abdesi të lahen njëra pas tjetrës sipas radhitjes (tertib) dhe pa u tharë njëra të pastrohet pjesa tjetër.

13. Fërkimi i pjesëve të pastruara të abdesit kryhet duke ecur dorën mbi gjymtyrën e pastruar dhe duke e shpërndarë ujin me kujdes për të mos shpenzuar ujë tepër.

14. Larja të fillojë nga ana e djathtë.

15. Larja e duarve dhe e këmbëve të fillojë nga gishtat.

16. Të shmanget harxhimi i tepërt i ujit.

Postime të ngashme