Surja Kefirun-109

1345  بسم الله الرحمن الرحيم

  1. قُلْ يَا أَيُّهَا الْكَافِرُونَ
  2. لا أَعْبُدُ مَا تَعْبُدُونَ
  3. وَلا أَنتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُدُ
  4. وَلا أَنَا عَابِدٌ مَّا عَبَدتُّمْ
  5. وَلا أَنتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُدُ
  6. لَكُمْ دِينُكُمْ وَلِيَ دِينِ

Shqipërimi

  1. Thuaj: “O ju mohues! 
  2. Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni! 
  3. As ju nuk jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! 
  4. Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që ju adhuroni! 
  5. Por, edhe ju nuk jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! 
  6. Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)!” 

 

E zbritur në Meke, ka gjashtë ajete. Kjo sure e ka marrë emrin prej ajetit të parë. Kjo sure, na informon se myslimanët qëndrojnë të palëkundur përballë mohuesve duke u kapur fort pas teuhidit (monoteizmit), dhe, në të njëjtën kohë nuk ja imponon mosbesimtarëve me forcë Islamin por i lejon ata që të bëjnë zgjidhjen e tyre. Dhe kështu, thekson principin e lirisë së fesë në Islam.

Kjo sure quhet edhe “Surja Ibadet” apo “Surja Ihlas”. Për këtë arsye, surja “Kul hue Allahu ehad” dhe kjo sure quhen të dyja së bashku “Ihlasejn”, pra, dy ihlas. Po ashtu, në transmetimet e Ibn Omerit (r.a) dhe Aishes (r.a) vërehet që, Profeti (alejhi selam) këndonte në namazin e sabahut e të akshamit “kul je ejuhel kefirrun” dhe “kul hue Allahu Ehad”, që në transmetim përmenden si “Ihlasejn”.[1]

Profeti ynë (s.a.s) thotë në një hadith: “A t’ju tregoj një sure që ju ruan nga shirku (politeizmi)?”, më pas vijon: “Para se të flini këndoni suren (Kul je ejuhel kefiru)”[2].

Në një tjetër hadith ka thënë: “Kjo sure është sa një e katërta e Kuranit.[3] Rreth interpretimit të këtij hadithi ka pasur mendime të ndryshme, më i thjeshti është ky: Sipas një mendimi, temat që trajton Kurani janë këto: Adhurimet, marrëdhëniet, ahireti dhe ngjarjet historike. Kjo sure, duke qenë se urdhëron bërjen publike të teuhit dhe ihlasit (sinqeritetit) që janë shpirti i fesë, ka kuptimin e një të katërtës së Kuranit.

 

Shkaku i zbritjes

Disa politeist nga paria e Kurejshëve i propozojnë Profetit Muhamed (s.a.s) që të ndiqte fenë e tyre në mënyrë që edhe ata të ndiqnin fenë e Tij, të adhuronte një vit zotat e tyre, pastaj edhe ata do të adhuronin një vit Zotin e Tij. Profeti alejhi selam u tha: “Më ruajttë Allahu nga adhurimi i dikujt tjetër përveç Tij.” Pastaj ata i kërkuar që të prekte me dorë disa prej idhujve të tyre, që edhe ata ta pranonin Atë dhe të adhuronin Zotin e Tij. Fill pas kësaj ngjarjeje zbriti surja Kefirun. I Dërguari i Allahut në mëngjes shkoi në Mesxhidin Haram, në Qabe. Atje ndodhej një grup nga paria e Kurejshëve, i lexoi atyre këtë sure, dhe kështu ata i humbën shpresat për pranimin e propozimit të tyre.[4]

Si fillim, kjo sure u drejtohej Kurejshëve dhe zbriti pas propozimit të tyre. Por, vlefshmëria e sures nuk është e kufizuar vetëm për atë periudhë e për ata njerëz. Ky urdhër që përmendet në Kuran, do të jetë i vlefshëm deri ditën e gjykimit. Sido që të jetë feje e mohuesve, duhet qëndruar larg saj me fjalë e vepra.

 

Interpretimi (Tefsir)

                                                                                قُلْ يَا أَيُّهَا الْكَافِرُونَ

  1. Thuaj: O ju mohues! 

Rreth faktit që surja fillon me foljen قُلْ Kul, interpretuesi i madh i Kuranit er-Razi, ka përmendur mbi dyzet hollësi të ndryshme. Shtjellimi i tyre mund të zgjasë, kështu që, po mjaftohemi me përmendjen e disa prej tyre: E para, ky fakt është argument që Profeti (a.s) nuk flet nga vetja e Tij, por që është i ngarkuar me detyrë nga Allahu i Lartë. Profeti (s.a.s) u drejtohet atyre “O ju mohues”, duke e ditur që kjo shprehje i acaronte ata, dhe ky është një argument që, Ai mbrohej nga Allahu i Lartë dhe që nuk trembej prej idhujve të tyre.

Thirrja “O ju mohues”, nuk është e përgjithshme për të gjithë mosbesimtarët, por, është e veçantë për disa mohues që Allahu i Lartë i di se nuk do besojnë asnjëherë. Fjala “kefirun, mohues” nuk është përdorur për t’i ofenduar mosbesimtarët, por, për të shprehur një të vërtetë. Në gjuhën arabe, fjala kafir përdoret për mohuesit e mosbesimtarët, antonimi i së cilës është “mu’min, besimtar”. Pra, ai që pranon dhe dorëzohet. Në fakt, urdhri i Allahut Profetit të Tij që t’i drejtohet atyre “O ju mohues”, ka kuptimin “O ju që mohoni profetësinë dhe largoheni nga urdhri im”. Në të njëjtën formë, përdorja e fjalës “mu’min” ka kuptimin e atyre që “i besojnë Muhamedit alejhi selam”.

Në ajet përdoret shprehja “O ju mohues”, dhe nuk është përdorur shprehja “O ju politeist apo idhujtarë”. Për rrjedhojë, ajeti nuk i drejtohet vetëm politeistëve (mekas), por të gjithë atyre që nuk e pranojnë Muhamedin (alejhi selam) si të dërguarin e Allahut dhe atyre që i kundërshtojnë urdhrat e sjella prej Tij. Këta mund të jenë: Hebrenjtë, të krishterët, zoroastritët apo politeistët e idhujtarët. Ajeti nuk i drejtohet vetëm politeistëve kurejsh apo mohuesve që gjendeshin në gadishullin arabik, por i drejtohet të gjithë mohuesve dhe politeistëve në të katërta anët e botës.

Thirrja “O ju mohues” që u bëhet mosbesimtarëve, qafirëve, është si t’i thërrasësh dikujt “O armik, o kundërshtar!” Për rrjedhojë, duhet pasur parasysh fakti që, kur i thërret dikujt në këtë mënyre, nuk ke për qëllim personin individualisht, por si ke si qëllim cilësitë e tij. Kështu që, ajeti i drejtohet atij personi për aq kohë sa ai posedon cilësitë e mohuesit. Nëse ai heq dorë nga armiqësi e mohimi dhe kthehet në mik e mbrojtës, atëherë ajeti nuk i drejtohet më atij. Pra, thirrja që u bëhet atyre “O ju mohues”, nuk është për vetë ata si persona, por për shkak të mohimit të tyre. Ata që vazhdojnë deri në fund të jetës së tyre në këtë situatë, përfshihen në gjykimin e ajetit. Ndërsa, ata që heqin dorë nga mohimi e bëhen besimtarë nuk përfshihen më në këtë gjykim.

 

                                                                         لا أَعْبُدُ مَا تَعْبُدُونَ

  1. Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni! 

Pra, unë nuk adhuroj ato idhuj që ju i cilësoni si zot dhe i adhuroni vazhdimisht, dhe që kërkoni prej meje t’i adhuroj. Ose, ajo që më kërkoni mua të adhuroj idhujt tuaj, unë as më parë nuk e kam bërë (pra, para se të më vinte profetësia) dhe nuk kam për ta bërë asnjëherë.

 

                                                                     وَلا أَنتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُدُ

  1. As ju nuk jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! 

As ju, nuk po e adhuroni Zotin tim të vërtetë që unë e adhuroj me teuhid dhe sinqeritet, as në të kaluarën nuk e keni adhuruar dhe nuk e adhuroni. Ai është Zoti i vetëm. Unë adhuroj Zotin e Vërtetë. Ai, është Zoti i botëve, Allahu (xh.sh). Ndërsa ju, adhuroni idhuj e gurë. Sa larg që është adhurimi i Mëshiruesit nga adhurimi i epsheve, statujave dhe idhujve.

 

                                                                          وَلا أَنَا عَابِدٌ مَّا عَبَدتُّمْ

  1. Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që ju adhuroni! 

Ky ajet, është përforcues i qëndrimit larg adhurimit të statujave që u tregua më parë dhe jua lë mosbesimtarëve dëshirat në fyt. Sikur do të thotë: As në të ardhmen e as tani nuk i adhuroj idhujt tuaj. Unë, sa të jem gjallë nuk kam për t’i adhuruar asnjëherë idhujt tuaj që ju i adhuroni. Idhujt tuaj nuk i adhuroj tani, e as kam për t’i adhuruar në të ardhmen.

 

                                                                                 وَلا أَنتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُدُ

  1. Por, edhe ju nuk jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! 

 

                                                                                     لَكُمْ دِينُكُمْ وَلِيَ دِينِ 

  1. Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)![5]

” Ju keni fenë tuaj”, pra e gjithë përgjegjësia ju takon juve, dënimi, i gjithë gjynahu është i juaji, “..e unë kam fenë time”. Pra, feja e vërtetë, Islami, është feja ime. Shpërblimi dhe të mirat më përkasin mua. Ju keni politeizmin tuaj, ndërsa unë kam Allahun e vetëm e të pa shokë. Kjo tregon se Profeti Muhamed (alejhi selam) është shumë larg adhurimit që politeistët i bëjnë idhujve të tyre, dhe thekson se Ai (s.a.s) adhuron Allahun e plotfuqishëm dhe të vetëm.

Interpretuesit e Kuranit thonë se: Në dy fjalitë e para tregohet që, njerëzit janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri në çështjen e Zotit. Zotët e politeistëve janë statujat e idhujt e tyre, ndërsa Zoti i Muhamedit (a.s) është Allahu i Lartë. Ndërsa, në dy fjalitë e fundit tregohet që, janë shumë të ndryshëm në çështjen e adhurimit. Profeti Muhamed (alejhi selam) sikur ka dashur t’u thotë: “As Zotin se kemi të njëjtë, e as adhurimin.” Pra, feja ime është tjetër dhe feja juaj tjetër. Unë nuk jam prej atyre që adhurojnë statujat tuaja, e as ju nuk jeni prej atyre që adhurojnë Zoti tim. Unë nuk mund t’i adhuroj idhujt tuaj. Dhe, as ju nuk jeni gati që të adhuroni Zotin tim. Për rrjedhojë, rruga ime dhe rruga juaj nuk mund të bashkohen asnjëherë. Kjo shprehje nuk është për t’iu dukur mosbesimtarëve si i mirë, por është për të treguar që, për aq kohë sa janë duke vazhduar në këtë rrugë duhet të shkëputen marrëdhëniet me ta. Në njëjtën kohë, përfshihet edhe fakti që, mosbesimtarët nuk mund të bien asnjëherë  dakord me Profetin (s.a.s) dhe ata që i besojnë atij, dhe që duhet t’i presin shpresat në këtë aspekt.

Kjo sure që ka zbritur si përgjigje për propozime të tilla nga politeistët, tregon se, gjithsecili është i lirë që me ndërgjegjen e tij të besojë çka të dojë, të veprojë si të dëshirojë dhe se do të japë llogari për veprat që ka kryer. Me të vërtet që, Kurani Fisnik ka sjellë lirinë e ndërgjegjes. Nuk ka urdhëruar që askush të konvertohet në fe me dhunë, dhe as që Profeti (alejhi selam) është një despot që i detyron njerëzit në fenë e tij, por është shprehur se Profeti (a.s) është paralajmërues dhe këshillues: “Ti ke për obligim vetëm t’u komunikosh.” (Surja Ali Imran 20, Nahl 82, Shura 48) Dhe në shumë ajete të tjera si këto tregohet se detyra e Profetit (s.a.s) nuk është t’i detyrojë njerëzit në fe por të kumtojë të vërtetat; “e ti nuk je ai që i shtrëngon ata (të besojnë)” (Surja Kaf, 45) pra, Ti nuk je imponues në fenë Islame. “Nuk ka detyrim në fe” (Surja Bekare, 256), “Thuaj: ‘O njerëz, ju erdhi juve e Vërteta nga Zoti juaj. Kush udhëzohet në rrugën e drejtë, ai është udhëzuar për të mirën e vet, e kush është humbur, ka humbur në dëm të vet. E, unë nuk jam mbikëqyrësi juaj’.” (Surja Junus, 108) Këto ajete dhe të tjerë janë shembull i qartë i lirisë së besimit në Islam.

Imam Ebu Hanife dhe Imam Shafiu duke u bazuar në ajetin e 6-të të sures Kafirun, kanë thënë se, sado të ndryshme të jenë fetë e mosbesimtarëve me njëra-tjetrën, ata janë një popull i vetëm. Për rrjedhojë, një hebre mund të jetë trashëgimtar i një të krishteri, e një i krishterë mund të jetë trashëgimtar i një hebreu, apo një mosbesimtar i një feje tjetër mund të jetë trashëgimtar i një mosbesimtari tjetër.

[1] Ibn Maxhe, Ikamet 102.

[2] Sujuti, ed-Durrul Menhtur, VIII, 657.

[3] Kurtubi, XX, 224; Alusi, Ruhul Meani, Bejrut, 1985, XXX, 249.

[4] Sujuti, ed-Durrul Menthur, VIII, 654.

[5] Origjinali i دِينِ është دِينيَ . Por, “je” është fshirë duke u mjaftuar me kesren e nunit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: