Stresi, llojet e tij dhe si mund të shpëtojmë prej tij?

Sot e kësaj dite çdo njeri është i stresuar. Nuk mund të themi dot që sot nuk ka njerëz të cilat nuk kanë stres sepse të gjithë janë të stresuar. Por jo të gjithë e kanë të njëjtën formë të stresit. Dikush mund të ketë më pak stres e dikush mund të ketë më shumë stres. Stresi është një goditje e cila vjen nga jashtë dhe nxjerr në pah tek njeriu një tension, një frikë. Stresin mund edhe ta shohim si një virus apo një sëmundje e cila e godet trupin e njeriut dhe menjëherë në atë çast do të shohim se trupi do të jetë në një tension me të cilin do të mundohet që të mbrohet ose do të jetë një tension që do ta frikësojë akoma më shumë dhe do ta shtyjë drejt rënies në depresion dhe pesimizëm.

Stresi është problemi i parë që njeriun e shtyn drejt një problemi më të madh që i kanoset si shkak i stresit të treguar dhe ky problem është depresioni. E pas depresionin vjen një sëmundje akoma më e keqe që është rënia në pesimizëm. Nëse njeriu bie në pesimizëm atëherë kjo është një rrugë pa dalje sepse pesimizmi është me të vërtetë një nga ato viruset apo sëmundjet për të cilat është shumë e vështirë që të gjendet një kurë.

Kemi dy përkufizime që mund të japim për fjalën stres. E para është stresi ose tensioni negativ që njeriun e shtyn drejt depresionit e pesimizmit dhe e dyta është stresi ose tensioni pozitiv që e shtyn njeriun drejt arritjes së suksesit të një pune me të cilën është duke u marrë.

Stresi negativ ka disa shkaqe kryesore që e bën të shfaqet tek një person. Një nga këto është mungesa e besimit. Duke qënë se mungon besimi atëherë për atë person është shumë e lehtë që të stresohet me problemin më të vogël me të cilin përballet. Ndodh që të stresohet shumë sepse edhe shejtani atë problem shumë të vogël që ai ka e zmadhon aq shumë sa ia shfaq si të pamundur që tia dale mbanë me atë problem. Duke u nisur nga mungesa e besimit këtu mund të përmendim edhe ajetin kuranor që na e shpjegon më qartë se kush kanë personat që janë të stresuar dhe që bien në pesimizëm. Allahu (xh.xh) në suren Jusuf na thotë kështu: “… mos e humbni shpresën prej mëshirës së Allahut, sepse ata që e humbasin shpresën prej mëshirës së Allahut nuk janë vetëm se ata që e mohojnë Allahun.” (Jusuf, 87)

Pra në këtë ajet kuranor na shprehet shumë qartë se janë pikërisht jobesimtarët ata që bien në pesimizëm sepse tek ata nuk mund të gjesh mirësinë e besimit tek Allahu, mirësi e cila e mban njeriun me shpresë deri në ditën që do të takohet me Krijuesin e tij. Duke shikuar që pesimizmi është një sëmundje kaq e keqe prej të cilës nuk ka shërim Mehmet Akifi thoshte kështu: “Aman kujdes mos bjer në pesimizëm sepse pesimizmi është një gropë e atillë që po re brenda saj nuk ke shpëtim por mbytesh.”

Një shkak tjetër që e shtyn njeriun drejt stresit negativ është të qëndruarit vetëm dhe duke u kthyer në asocial- njeri i pashoqërueshëm. Duke qëndruar vetëm tek ai person do të shfaqet më shumë ndjenja e stresit negativ madje do të fillojë të flasë me vete, situatë kjo që e shtyn atë drejt depresionit dhe pesimizmit dhe ia bëjnë jetën të pajetueshme dhe të mbushur plot me frikë për çdo gjë. Për këtë sërish na vjen ndërmend një mirësi tjetër e islamit sepse e shtyn njeriun drejt një jetesë shoqërore. Islami si besim e shtyn njeriun që të jetë sa më afër njerëzve dhe nuk e lë që të qëndrojë në një vend i vetmuar. Të qëndruarit me njerëz dhe në grup është një mundësi mbrojtëse prej stresit negativ porn ë njëjtën kohë është edhe mundësi e ardhjes së ndihmës dhe mirësisë prej Allahut. Profeti Muhamed (s.a.s) në një hadith të transmetuar nga Ibn Abasi (r.anhuma) ka thënë : “ Mirësia dhe ndihma e Allahut është me xhematin.” (Sahih në Sunenin e Tirmidhiut)

Ashtu siç e përmendëm edhe më lart stresin nuk mund ta përkufizojmë vetëm si negativ por është e mundur që stresin ta përkufizojmë edhe si pozitiv. Stresi duke qënë se është një goditje e cila na vjen nga jashtë dhe nxjerr në pah një tension atëherë është shumë positive dhe e mire nëse atë stres apo tension e përdorim për mirë. Këtë lloj stresi mund edhe ta shohim ndryshe si një mendim apo një imagjinatë.

Besimtari është pikërisht ai person që jetën e tij e jeton në një barazpeshë të atillë duke e ditur që çdo gjë i vjen prej Allahut (xh.xh) dhe në këtë mënyrë ai është i qetë duke e ditur që asgjë nuk ndodh pa dijeninë dhe lejen e Allahut Fuqiplotë. Sepse kështu përmendet në një ajet të sures Nisa thuhet kështu: “… thuaj çdo gjë është prej Allahut… .” (Nisa, 78)

Në këtë jetë të kësaj bote kalimtare të gjithë njerëzit janë në tensione të ndryshme. Nuk duhet që ti shohim vetëm si tensione negative prej të cilave nuk ia del dot mbanë por si një tension për të arritur diçka të re apo diçka të mirë. Të gjithë janë në një stres në çdo çast. Garuesi i cili pret të shtënurën e pistoletës është në një stres që të arrijë të dale i pari. Inxhinieri është në një tension të vazhdueshëm me projektin e ri me të cilin po merret, është në stres sepse do që të arrijë të bëjë projektin më të mire. Avokati që është duke u marrë me një çeshtje është në tension sepse dëshiron që të jetë i suksesshëm. Doktori që është në operim është në tension deri në fund të operimit sepse do që të arrijë përfundimin e operimit me sukses. Studenti i cili është në sezonin e provimeve është në një tension të vazhdueshëm deri në çastin që do të dalin rezultatet e atyre provimeve.

Ilaçi më i mirë dhe më i rëndësishëm që e mbron dhe e shëron njeriun nga stresi, depresioni dhe pesimizmi është besimi në një Zot të vetëm. Besimi tek Allahu është shpëtimi më i madh i njeriut sepse asnjëherë besimi i tij nuk do ta lërë që të bjerë në atë gjëndje aq të keqe, sepse besimi formon një mburojë shpirtërore që e mbron atë prej çdo grope stresuese, depresionuese dhe pesimizuese. Me besim jeta bëhet e bukur për tu jetuar dhe asnjëherë nuk e lë njeriun që të bjerë në këto negativitete por e mban atë vazhdimisht të lidhur fort pas Allahut (xh.xh) Bediuzaman Said Nursi në librin e tij “Fjalët” thotë kështu për rëndësinë e besimit: “ Besimi e bën njeriun njeri. Madje edhe mbret mund ta bëjë. Ai që e ka arritur besimin e vërtetë mund të sfidojë universin.” ( Fjalët, Fjala e 23-të)

Përgatiti: Andreot Sefa

Postime të ngashme