Si vdiq Imam Gazaliu?
Disa njerëzve që kanë jetuar një jetë në rrugën e Allahut, i mundësohet të vdesin në format më të bukura. Ata mund të vdesin në sexhde, në haxh, apo në gjendje dhikri ndaj Allahut të Lartësuar. Ndarja e tyre nga jeta e kësaj bote nuk është e vështirë, sepse ata shpresojnë takimin e tyre me Zotin. Në fakt, ata mezi e presin këtë takim dhe vdekjen e konsiderojnë mirësi.
Në një hadith thuhet:
الموت تحفة المؤمن
“Vdekja është dhuratë për besimtarin.”
Përsa i përket dëshirës për të takuar Allahun, Profeti (a.s) shprehet:
من أحب لقاء الله أحب الله لقائه و من كره لقاء الله كره الله لقائه
“Kush e dëshiron takimin me Allahun, edhe Allahu e dëshiron takimin me të. Dhe kush e urren takimin me Allahun, edhe Allahu e urren takimin me të.”
Vdekja e Imam Gazaliut është një ngjarje interesante, që na rrëfen se si vdesin njerëzit që janë afër me Zotin e tyre.
Thuhet se Imam Gazaliu fali namazin e sabahut të ditës së hënë dhe më pas kërkoi nga njëri prej të pranishmëve, që t’i sillte qefinin e tij. E mori qefinin, e vendosi në ballë dhe tha:
سمعا و طاعة لدخول الملك
“Dëgjoj dhe bindem të futem në prezencën e Sunduesit.”
Pastaj u shtri në krahun e tij të djathtë, u drejtua nga kibla dhe ia dorëzoi shpirtin Krijuesit.
Këtë ngjarje e transmeton Imam Subkiu në veprën “Tabakatu Shafiijje el-Kubra”