Si mund t’ua edukojmë njerëzve tanë shprehinë e të lexuarit?

Meqë e thotë çdokush e meqë edhe për dëgjuesit është bërë shprehi e janë familjarizuar me të, është një fjalë që tanimë nuk mund të ndikojë në ndërgjegje po aq sa kuptimi i saj e që, më së fundi, është bërë klasike: “Urdhri i parë i Islamit: Lexo”!

Lexo! Lexo të vërtetën njerëzore[1], librin e gjithësisë dhe Kuranin, interpretuesin e tyre! Hulumto për jetën e të Dërguarit të Allahut! Bëj sinteza gjithnjë të reja dhe rilexoji përfundimet e arritura! Bëj kërkime rreth të gjitha shfaqjeve që argumentojnë Njësinë e Zotit[2]; ftillo çdo çast një hap më tej në etapat e aftësimit tënd, me etjen tënde të pashuar thuaj: Hel min mezid, a s’ka më? Dhe lexo pa pushim! Një njeri që përpiqet të lexojë brenda shprehjeve të ndritshme të të Dërguarit të Allahut, qoftë librin e gjithësisë, qoftë tërësinë e veçorive të njeriut, që janë si një katalog i atij libri, thellohet kësisoj në botën e tij ndjesore, saqë edhe oqeanet mbeten të cekët përballë asaj thellësie. E pikërisht aty, në atë thellësi, perceptohet, duke u kuptuar qartë njëherë e mirë[3] e vërteta. S’të njohëm dot me të vërtetë, o i Famshëm! Dhe arrihet në etapën njohëse të njohjes së mangët.

Sipas opinionit tim modest, bota jonë ndodhet e larguar nga ky urdhër i Islamit. Duke thënë bota jonë, të mos pandehet se me këtë po shënoj atdheun tonë. Unë pranoj si bota jonë, në horizontin e së cilës hapi krahët shpirti Muhamedan, Egjiptin, Sudanin, Marokun, Tunizinë, Algjerinë, gjithë vendet e Magrebit, pastaj gjithë vendet e Lindjes së Mesme se Buharaja, Samarkandi, Tashkenti, bota jonë, pra, është gjithë ajo botë e madhe që përfshin brenda saj sa e sa vende të tjera si këto. Ja, pra, njeriu ynë, kjo dituri e hapur ndaj kulturës në botën tonë që, në krahasim me njerëzit e botës tjetër, ngriti fronin në maja e që i bëri të tjerët të mahniteshin pas saj, është një bashkësi njerëzore e bekuar.

Këto vende, të cilat në fillim u pushtuan nga kryqëzatat, ranë më vonë nën sulmin dhe pushtimin e mendimeve imperialiste. Ndoshta një kohë më vonë edhe ato i shpartalluam e i përzumë nga vendi ynë, vetëm se (ata) përgatitën njerëzit tanë karakterdobët, që i patën vjedhur, për sa kohë patën qenë këtu dhe na i hodhën mes nesh, si nga një damaz mendimi më vete. Këta, pastaj, përgatitën breza që do të mund të vazhdonin veprimtarinë përçarëse të armiqve tanë të përjetshëm. Dhe, duke bërë këtë, u sollën në mënyrë aq të vetëdijshme, saqë veprimtaria pasuese ndiqte paraardhësen si domosdoshmëri e saj; kështu, hallkat e zinxhirit dhe pasojat shkatërruese ndiqnin njëra-tjetrën. Ndërkaq, u krijua, doli në shesh një botëkuptim tipik i tyre, me të cilin dolën fitues ndaj iniciativave individuale e të fragmentuara të frontit tonë. Kjo shkoi gjer aty sa sot, më së fundi, meqë nuk mund t’i eliminojmë totalisht këta, duket shumë e vështirë, madje e pamundur, që të kthehemi në botën tonë shpirtërore, të bëhemi një me të. Njëra nga goditjet më të rënda që na dhanë, qe ajo që, me rrugë të caktuara, na larguan nga e kaluara jonë dhe na bënë si të huaj përballë rezultateve të arritura ndër shekuj. Por puna s’mbeti me kaq; duke lëshuar kolonën e pestë (të tyre), i mbushën ndjesitë e të rinjve me subjekte epshore dhe i katandisën që të mos mendojnë tjetër gjë. Brezat u zunë në lakun e mendimit bohem dhe u mbytën në vorbullën ku ranë. Dhe askush nuk mundi të tregonte guximin për të dalë e për t’i thënë ndal kësaj fatkeqësie ose, ata që në pozicionin e miratimit të asaj çka bënte shumica, e ndjenin veten të kënaqur, për pasojë, nuk thanë gjë.

Siç i pati soditur në miraxhin[4]  e tij Profeti ynë (s.a.s.) disa mëkatarë se si e vuanin ndëshkimin, edhe ne, krejt ashtu e shihnim ato ditë shoqërinë brenda një tabloje të tillë. Breza të zhytur në pije, kumar, adulter, ryshfet, akaparim, faiz e në ç’gjëra të tjera, me mendime të zeza si zift brenda boshllëkut shpirtëror, vërtiteshin mes tonë me një tjetër personalitet, sikur të ishin një qenie tjetër. Këtyre brezave të mbajtur pezull me botën shpirtërore, ndërsa çdo gjë ishte bërë gati për t’ua bërë fli anarkisë dhe terrorit, turmat që lëkundeshin majtas-djathtas si lavjerrës, këtyre brezave pra, të zhytur mes dëfrimit, u bënin thirrje për të qenë të virtytshëm krejt si ai që i thërret “kujdes, mos u lag”! dikujt të hedhur në det me duar e këmbë lidhur. Po, po, këshillat ndaj brezit të atëhershëm, ji i moralshëm, mos krijo anarki, duaje vatanin, mbroje popullin, mbaje të shenjtë flamurin, edhe nëse në përmbajtje ndryshonin, në formë ishin e njëjta gjë. Por ishte e pamundur që këta të bëheshin të virtytshëm!

Më vonë mbiu një pikëpamje tjetër. Kjo lloj logjike që s’ishte e qartë me ç’mendje shërbente dhe që prirej të hapte gjer në fund të gjithë kanalet dhe digat e epshit me qëllim për ta shpëtuar rininë nga anarkia, me këto pikëpamje të çuditshme donte t’i shpëtonte të rinjtë nga disa ide fikse, të dëmshme, t’i bënte që të mos mendonin diçka tjetër. Mirëpo edhe anarkia aktuale në një mjedis të tillë ishte përgatitur dhe ishte shndërruar në një lugat.

Brezat e plagosur rëndë nga të gjithë këto ndikime të jashtme e të brendshme, çdo ditë e më shumë largoheshin nga të lexuarit e nga të menduarit dhe ktheheshin vërtet në turma të marrësh. Me ç’pandeh unë, ky largim dhe kjo kllapi vazhdon edhe sot. Në këtë mes, edhe grumbulli i fjalëve të pafisme[5] që kërkohej të futej në gjuhën tonë, u bë një goditje më vete për të penguar kuptimin e asaj që lexohej. Ne u bëmë që të mos e kuptojmë të folurën e tyre dhe, po ashtu, ata tonën. Edhe sot, njerëzit e të njëjtit brez e kuptojnë me vështirësi njëri-tjetrin. E po s’u pengua kjo dukuri, edhe kjo do të bëhet shkatërruese për botën tonë mendore, të paktën aq sa të tjerat.

Po, sot ne nuk lexojmë dhe përfundimet turpndjellëse të mungesës së leximit duken sheshit. Të cekët në mendim, u bëmë një turmë që s’është më e aftë të bëjë sinteza të reja. Shumë prej nesh nuk janë vetëm pa oreks përballë leximit, por ndjejnë edhe neveri ndaj tij. Kurse një pjesë e lexuesve tanë pothuajse çdo gjë e lexon në sipërfaqe, duke u munduar të prodhojë diçka të re në emër të mendimit.

Shpirtrat e errët, mendjet e errëta të së djeshmes, që e patën mësuar prej nesh edhe të lexuarit, ashtu siç patën mësuar më parë virtytet, lexojnë sot, kuptojnë dhe vihen të mendojnë. Në shtëpi, në makinë, stacionin e autobusit, hapin librin që bartin me vete në çantë dhe lexojnë dhe e vlerësojnë në formën më të mirë kohën për kriteret e tyre.

Po qe se do ta studionim çështjen në një kornizë pak më të ngushtë, të mëdhenjtë (etërit) tanë që kanë hapur brazdë para nesh, thonë se disa nga veprat që i patën shkruar vetë, i patën rilexuar tetëdhjetë herë, disa të tjera njëqind herë, duke na treguar kështu domosdoshmërinë e të lexuarit.

Dhe pasi i ka rilexuar kaq shumë veprat-produkte të forcës së vet mendore që i foli natyrshëm, u rri në kokë nxënësve dhe u thotë lexoni! E kështu, në kohën tonë, i vë gishtin plagës më të vështirë e të pashërueshme, duke treguar rrugën e mjekimit. Ata që ndjekin këtë brazdë, duhet të lexojnë. Të pajisur me kulturën e epokave, duhet të shpupurisin njohuritë që kanë marrë përpara dhe duhet të shkojnë tek nevojtarët me një të tillë bagazh kulturor, gjersa të pranohen shpjegimet e tyre duke bërë që, në të njëjtën kohë, të mos u lihet mundësi në dorë armiqve.

Po të mos lexojmë, do të thotë se mashtrojmë dhe tradhtojmë. Duke u përsjellur vetë në boshllëk, si mund t’i shpëtojmë brezat nga rrymat negative?! Mirëpo ky është qëllimi i jetës sonë dhe detyra jonë e parë. Po qe kështu, para çdokujt tjetër ne jemi nevojtarë, që duhet t’i përgjigjemi urdhrit të parë të Islamit, më të drejtpërdrejtit: Lexo!

[1]  Në origjinal: Mahijet-i insanije

[2]  Në origjinal: Vahdanijet

[3] Në origjinal: Ajneljakin

[4] Në origjinal: Miraxh: shih në fund

[5] Në origjinal: nesepzis, i (e) pafisme, ilegal, kopil: figurativisht flitet për ato fjalë të sajuara të futura përdhunisht në gjuhën turke në emër të pastrimit të gjuhës.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: