Si e thirrte Profeti pionierin e besnikërisë, Ebu Bekrin (r.a.)

EMRI DHE TITULLI

“Nëna e bekimeve” nuk ishte një grua që shkelte premtimin. Duhej gjetur një emër për të porsalindurin. Ajo ia vuri emrin Abdul Ka’be, që do të thotë shërbëtor i Qabesë. Ebu Kuhafe nuk e kundërshtoi sepse Qabeja ishte një vend i nderuar. Për më tepër, akoma nuk ishte harruar fati i kobshëm i ushtrisë së Ebrehesë që kishte ardhur për ta shkatërruar.

Si mund të mos e respektoje Qabenë? Ajo ishte shtëpia e parë në Tokë e ndërtuar për adhurimin e Allahut. Qabeja ishte gjithashtu një vend ku çdokujt i kujtohej Allahu dhe sa herë që përmendej Allahu njerëzit mendonin për Qabenë. Për këtë arsye Ebu Kuhafe e thërriste shpesh të birin me emrin Abdullah, që do të thotë shërbëtor i Allahut. Ai dëshironte që i biri të bëhej një shërbëtor i devotshëm i Qabesë.

Në shoqërinë paraislamike të Mekës femrat nuk gëzonin konsideratë dhe ishin pa vlerë, kështu që vetëm e ardhmja e meshkujve merrej seriozisht. Prandaj, emri që Selma kishte zgjedhur për të birin u harrua shpejt dhe mekasit filluan ta thërrasin fëmijën Abdullah ibn Osman. Këtë emër e kishte zgjedhur Ebu Kuhafe.

Asokohe njerëzit njiheshin nga titujt e tyre. Për pasojë, atij iu dha titulli “Atik” sepse ndryshe nga fëmijët e tjerë para tij, ai kishte jetuar. Veç kësaj ai vinte nga një familje fisnike. Fjala Atik do të thoshte “një njeri që del nga robëria në liri” ose “një njeri që kishte devijuar nga rruga e tyre përpara tij dhe kishte mbijetuar.”

Banorët e Mekës e kishin miratuar këtë titull për Abdullah ibn Osmanin thjesht sepse fjala Atik kishte edhe kuptimin e bukurisë. Dhe ata që shihnin fytyrën ndritshme të Abdullahut mbusheshin me admirim.

Gjuha arabe është shumë e pasur në sinonime, kështu që fjala Atik nuk kufizohej vetëm në këto interpretime. Ajo gjithashtu i referohej personave që njiheshin për bujarinë e tyre në popull. Pa dyshim, Ebu Bekri do të ishte gjithmonë i pari në këtë garë.

Gjithsesi, ai do të njihej më vonë si Ebu Bekri, që do të thoshte “babai i Bekrit”. Nuk dihet si e mori ai këtë emër, sepse ai kurrë nuk pati një djalë me emrin Bekr. Sidoqoftë, kur analizojmë kuptimin e emrit Bekr, mund të bëjmë disa parashikime. Fjala Bekr mund të jetë rrënjë e shumë kuptimeve si, të sulmosh, të drejtosh, pika e parë e shiut, agim i mëngjesit, të falësh namazin në kohën e duhur, të arrish predikimin në kohë, mjalti i bërë nga lulet e para të pranverës, frutat e para të pemës dhe tokë pjellore, etj.

Sipas një këndvështrimi tjetër, kjo fjalë përdoret për të përshkruar një fis të madh dhe të fuqishëm. Nëse e analizojmë fjalën nga një pikëpamje terminologjike, arrijmë në përfundimin se pothuajse të gjitha përkthimet e mësipërme mbartin kuptimin e të qenit i pari. Për pasojë, pavarësisht nga prejardhja apo nga kuptimet që ai mbart, emri i Ebu Bekrit përputhet plotësisht me jetën e tij të pashembullt. Ai ishte burri i parë që përqafoi besimin dhe i ofroi mbështetje të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të!. Ai ishte gjithashtu një lider në shumë lëvizje dhe aktivitete të ndërmarra nga Profeti Fisnik. Të gjithë janë të një mendimi se emri i Ebu Bekrit qëndron i pari pranë atij të Profetit paqja qoftë mbi Të!.

Pionieri i besnikërisë, i cili njihej me emrat Abdul Ka’be, Abdullah, Atik dhe Ebu Bekr, pas ditës kur dëshmoi Njëshmërinë e Allahut në prani të Profetit Fisnik, e harroi titullin e tij Abdul Ka’be. Ai e kishte përqafuar Islamin shumë shpejt pas kthimit të Profetit nga shpella Hira. Tashmë, i Dërguari i Allahut e thërriste atë Abdullah dhe Atik, një burrë që kishte shpëtuar veten nga zjarri i Xhehenemit.

Një ditë, Profeti i Nderuar e kishte parë Ebu Bekrin duke ardhur nga larg. Ai u kthye nga ata që kishte pranë dhe tha:

“Nëse ndonjë nga ju dëshiron të shikojë një njeri që e ka shpëtuar veten nga zjarri i Xhehenemit, le të shikojë këtë që po vjen.”[1]

Tipari më i përshtatshëm që përputhej me emrin Ebu Bekr ishte titulli Siddik, që do të thotë “Besnik”. Më vonë ai do të njihej vetëm me këtë titull. Ai kishte hedhur hapin e parë në këtë rrugë dhe kishte zënë vendin e parë në besnikëri dhe besueshmëri. Ashtu si emri, edhe jeta e tij shërben si një shembull për brezat e mëvonshëm.

Për më tepër, atij i kishin vënë titullin “Sahib[2] për praninë e tij me Profetin paqja qoftë mbi Të! në shpellë, gjë e cila ishte përshkruar edhe në Kuran; “Atka[3] për atributin që Kurani përdor për ata që e shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugën e shenjtë dhe që lirojnë skllevërit; “I dyti nga ata të dy,”[4] në përshkrimin që bën Kurani Famëlartë për qëndrimin e tyre në shpellë gjatë Hixhretit; dhe “Euuah,”[5] për natyrën e tij të ndjeshme, dhembshurinë, frikën dhe nënshtrimin e thellë ndaj Allahut.


[1] Hakim, el Mustedrek, 3/64 (4404).
[2] Teube, 40.
[3] Lejl, 17.
[4] Teube, 40.
[5] Ibn Sa’d, Tabakatu’l Kubra, 3/170.

Postime të ngashme