Shkollat juridike (medhhebet)

Nocioni “medhheb (shkollë juridike)” në terminologjinë e jurisprudencës islame ka domethënien: metodë e veçantë e dijetarit (muxhtehidit) për nxjerrjen e dispozitave praktike të së Drejtës Islame nga argumentet e veçanta.

Nga përkufizimi që dijetarët myslimanë i bëjnë nocionit të mësipërm, vërehet qartë se bëhet fjalë për metodologjinë shkencore që përdorin dijetarët e shquar (muxhtehidët) për nxjerrjen e dispozitave juridike islame nga burimet e njëzëshme të sheriatit islam, si Kur’ani, Syneti, konsensusi (ixhmai) dhe analogjia (kijasi). Nxjerrja e dispozitave islame bëhet prej argumenteve të veçanta që kanë të bëjnë me çështjen që kërkon normën juridike. Kësisoj, kjo metodologji e dijetarëve islamë për përfitimin e normave juridike islame, bazuar mbi rregullat dhe parimet e përpikta, që njëkohësisht bëjnë filtrimin e dispozitës si garanci për shëndoshmërinë e saj, përjashton mundësinë që me këto çështje të merren njerëzit joprofesionistë të kësaj fushe.

Të qenët medhhebist (ndjekës i një shkolle juridike) nënkupton njeriun e thjeshtë dhe personin që nuk i plotëson kriteret e ixhtihadit (njohësit profesionist), i cili vepron sipas fetvasë së dijetarit që ka arritur gradën e muxhtehidit. Gjykohet kështu për faktin se fetvaja e dijetarit (muxhtehidit) për njeriun e thjeshtë është e ngjashme ashtu si argumenti që e pranon dijetari.

Aksioma më e rëndësishme në sferën e shkollave juridike islame (medhhebeve) e që është mbrojtur nga të gjithë dijetarët, emrat e të cilëve mbajnë këto shkolla juridike, është se këta të fundit asnjëherë nuk pretenduan se mendimi i tyre ishte më i sakti dhe se të gjithë të tjerët e kishin gabim. Përkundrazi, ata, me përgatitjen e tyre të lartë profesionale e intelektuale, ishin që bënin ixhtihadin në çështjet që pranojnë risinë, duke u mbështetur gjithmonë në argumentet e vërteta islame si dhe ato gjuhësore dhe, në fund, nxirrnin përfundimet kompetente, përfshi përcaktimin e normës, duke pohuar se ajo është konkluzion i arritur sipas aftësive të tyre. Nëse dikush do të gjente argumente më të forta, le të mbështetej në gjykimin kompetent të arritur prej tij. Kjo lloj qasjeje jo vetëm që nuk i detyronte  të tjerët t’i ndiqnin ata, por, përkundrazi, ishte nxitje që edhe të tjerët ta praktikonin ixhtihadin, por vetëm atëherë kur  plotësonin kriteret e duhura. Ky ishte respekti më madhështor që dijetarët islamë ia bënë njëri-tjetrit në veçanti dhe diturisë në përgjithësi.

.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: