Sadakaja dhe muaji i Ramazanit

Sipas një transmetimi thuhet që Profeti (a.s) ishte njeriu më bujar dhe bujaria e tij arrinte kulmin në muajin e begatë të Ramazanit. Në Ramazan ai bëhej porsi një erë e fortë, e cila i përfshin të gjithë njerëzit pa përjashtim. Aspekti i bujarisë së Profetit (a.s) është një nga cilësitë e tij më të njohura. Ai çdo gjë që kishte vetë do ta ndante me njerëzit e tjerë dhe asnjëherë nuk do ta refuzonte nevojtarin që i zgjaste dorën.

Përgjithësisht, na vjen në mendje se sadakaja është vetëm ajo që jepet në vlerë monetare dhe bujari do të thotë vetëm të shpenzosh prej pasurisë. Në fakt, Islami na tregon se sadakaja dhe bujaria mund të jetë e formave të ndryshme dhe vetë nevojtari mund të tregohet bujar ndaj dikujt tjetër. Profeti (a.s) nuk ndante me njerëzit vetëm ato që kishte, por ai ndante me ta kohën e tij, zemërgjerësinë, këshillat dhe çdo gjë tjetër pozitive. Kjo gatishmëri e tij për të kontribuar vazhdimisht në shoqëri, e bëri të quhej edhe më bujari i njerëzve.

Ai do të shprehej në hadith: “Të ecësh në nevojën e vëllait tënd për t’ia zgjidhur atë, është më mirë sesa të izolohesh në xhami për adhurim.” Ky hadith tregon qartë se sa e rëndësishme është t’i zgjidhësh hallet dikujt tjetër dhe në fakt, lumturia arrihet kur lumturon njerëzit e tjerë. Njeriu është krijuar i tillë, që kur bën mirë, të ndihet edhe vetë mirë. E vërteta është se ai që fal, fiton më shumë sesa ai që merr.

Studimet e kohëve të fundit kanë folur për shumë dobi të sadakasë te vetë personi që e jep atë. Kanë arritur në përfundimin që personi bamirës, përfiton më shumë sesa nevojtari që e merr sadakanë. Ky ka qenë gjithnjë botëkuptimi i njerëzve të devotshëm. Për shembull, Hz. Aishja (r.a) i hidhte gjithnjë aromë të mirë sadakasë që jepte. Për shkakun e kësaj kishte thënë: “Sadakaja arrin tek Allahu më parë sesa të arrijë te nevojtari.” Sigurisht, Zoti s’ka absolutisht nevojë për sadakanë tonë, madje ai mund të bënte me fuqinë e Tij, që askush të mos kishte nevojë për to. Por pasuria është sprovë për njeriun dhe e sheh gjithsecilin se si do të veprojë me atë që ka.

Sadakaja i sjell njeriut përfitime psikologjike, shpirtërore dhe fizike. Njeriu që përfshihet vazhdimisht në akte bamirësie, pas një momenti të caktuar fillon edhe ndryshon këndvështrim për botën. Tek ai ngjallet shpresa se çdo gjë mund të ndryshojë, ndonjëherë edhe nëpërmjet gjesteve më të vogla. Shkencëtarët kanë thënë se përfshirja në akte bamirësie është e barabartë për sa i përket dobisë fizike që i sjell njeriut, me praktikimin e një sporti të caktuar 4 herë në javë. Kur japim prej asaj që kemi, ne pastrojmë veten dhe pasurinë tonë. Kur dhënien e bëjmë pjesë të karakterit tonë, atëherë kemi hequr nga vetja cilësinë që nuk na lejon të japim, e cila është “lidhja fort me gjërat materiale të kësaj bote”…

Postime të ngashme

%d bloggers like this: