Respekti i Imam Ebu Hanifes ndaj mësuesit të tij
Një nga shembujt më të famshëm për sa i përket etikës, sjelljes shembullore ndaj mësuesit, është transmetuar nga Imami i madh Ebu Hanife (r.a). Ai do të lutej pas çdo namazi të detyrueshëm për prindërit dhe njëkohësisht për mësuesin e tij, Hammad b. Ebu Sulejman. Kur nxënësi i tij Ebu Jusufi, e transmetoi diçka të tillë, ai shtoi: “Unë lutem pas çdo namazi për mësuesin tim Ebu Hanifen, para se të lutem për prindërit e mi.” Këtë moral të lartë ai e kishte parë të jetësohej te Imami i madh, mësuesi i tij.
Gjithashtu, dihet se Ebu Hanifja, kurrë nuk i kishte zgjatur këmbët drejt shtëpisë së mësuesit të tij, përgjatë 18 viteve që ai mësoi pranë tij, edhe pse shtëpitë e tyre ishin shumë larg njëra-tjetrës. Kjo ishte sjellja e këtyre personaliteteve të mëdhenj ndaj atyre, që Profeti tha “Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve”.