Rëndësia e Kumtesës

Kumtesa është përpjekja dhe djersa e derdhur e Profetit (paqja qoftë mbi të), të gjithë profetëve të tjerë që kanë ardhur para tij dhe e të gjithë ndjekësve dhe pasuesve të këtyre personaliteteve të mëdhenj. Dihet mirë se Profeti (paqja qoftë mbi të) ka derdhur lot për një Jahudi i cili vdiq pa e besuar, kjo tregonte vetëmohimin e tij në këtë udhë. Ai e ka kryer këtë detyrë në periudha në të cilat vuante nga keqtrajtimet dhe ofendimet e politeistëve Mekas, por kurrë nuk hoqi dorë, ashtu siç nuk hoqi dorë edhe në përleshjet e ndryshme të bëra me ushtritë e vendeve dhe perandorive të ndryshme të aso kohe. Ai ishte shembulli më i mirë i cili i tregonte njerëzimit se kjo udhë do të jetë e vështirë, por aq sa e vështirë dhe vetësakrifikuese, ku thotë; “Edhe sikur të më vendosni diellin në krahun e djathtë dhe hënën në krahun e majtë, unë nuk heq dorë nga kjo çështje.” Kjo ishte një tregues i qartë i rëndësisë që përmban kjo kauzë e cila ja vlen dhe të flijohesh në të.

Njerëzimi po ikën drejt një rruge pa dalje, ku çdo ditë me mijëra njerëz po bien në zjarrin e humbjes. Për të penguar këtë Allahu na tregon; Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.”[1]

Profeti (paqja qoftë mbi të) pati formuar një grup njerëzish të cilët merrnin mësimet e tij në shtëpinë e quajtur Daru’l Erkam, pastaj ata u përhapën në vende të ndryshme për të kumtuar fenë. Në një periudhë kur ishte e pamundur të kumtoje fenë haptazi, Profeti (paqja qoftë mbi të) edukoi disa njerëz të cilët më vonë me kontributin e tyre u bënë si yje orientues për të gjithë njerëzimin. Qytetërimi islam prej kësaj kësaj  shtëpie ka dalë.

Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, është rrugë që shpie drejt qëllimit final të krijimit të ekzistencës. Allahu themeloi edhe zinxhirin e Profetësisë për këtë shkak. Kështu profeti Adem është njeriu i parë, por njëkohësisht edhe i dërguari i parë i Allahut në fytyrë të tokës. Bijtë e tij sapo kishin hapur sytë në këtë jetë, kishin gjetur para tyre babanë, në cilësinë e profetit, duke i urdhëruar për të mirë dhe duke i ndaluar nga e keqja. Kaluan shekuj e shekuj deri në kohën e Nuhut (paqja qoftë mbi të). një prej profetëve nga elita e “Ulul azmit”, ashtu siç është shprehur për të edhe Kuran; “Unë ua kumtoj juve shpalljet e Zotit tim, ju këshilloj dhe unë di nga Zoti im çka ju nuk dini!”[2] Nuhu (paqja qoftë mbi të). vazhdoi t’i thërriste ata për afro njëmijë (1000) vjet, në thirrjen e tij të shpëtimit. Pas tij, Allahu i Madhërishëm e kishte dërguar Hudin (paqja qoftë mbi të)., i cili po ashtu i kishte thënë popullit të vet; “(Jam i dërguar) Që t’ua komunikoj shpalljet e Zotit tim dhe unë jam këshillues besnik për ju.”[3] Dhe kështu kanë vazhduar të gjithë profetët e dërguar njerëzimit.

Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të)na tërheq vëmendjen në rëndësinë e kësaj kauze, në një bisedë të bërë me shokët e tij, ku thotë; “Çfarë do të bëni o ju njerëz kur gratë e juaja do të ngrenë kokën e mosbindjes ndaj jush, kur rrugëve do të dalin gati të zhveshura e gjysmëlakuriq, kur të rinjtë tuaj të degjenerohen në amoralitet, kur e keqja do të përhapet në çdo anë dhe e vërteta të lihet anash?

O i Dërguar i Allahut, a thua mund të ndodhë kjo?, -thanë ata-

Po – tha ai, bile edhe më tepër se kjo; – Si do të veproni kur ta keni lënë urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja?

– O i Dërguar i Allahut, a thua mund të ndodhë kjo? – thanë prapë ata.

Po, tha ai, bile edhe më tepër se kjo;

Si do të veproni atëherë kur të keqen do ta shihni si të mirë, kurse të mirën si të keqe?”

Sahabët e ndershëm u çuditën dhe mbetën të hutuar para këtyre fjalëve. Mendjet e tyre thjesht nuk mund ta kapnin një gjë të tillë, sepse ishin të bindur se sprova të tilla nuk mund të ndodhin në një shoqëri, përderisa në mesin e tyre do të ketë edhe një besimtar të vetëm. Për këtë arsye kërkonin sqarim shtesë në formë pyetjeje: O i Dërguar i Allahut, a thua mund të ndodhë kjo? Ata, këtë e thoshin si kërkim sqarimi, po edhe si shprehje të habisë njëkohësisht, ndërsa kur i Dërguari i Allahut në fund u kishte thënë: “Pasha Atë, Në dorën e të cilit ndodhet shpirti im, bile edhe më tepër se kjo”, në mesin e tyre mbretëroi një zymtësi e çuditshme, e cila i la me gojë dhe sy të hapur nga çudia, prandaj edhe kërkuan sqarim të dytë nga i dërguar i Allahut: “A thua ç’mund të jetë më tepër se kjo o i Dërguar i Allahut? Ndërsa i Dërguari i Allahut u tha: – “Si do të veproni atëherë kur të keqen do ta shihni si të mirë, kurse të mirën si të keqe?”[4]

Prandaj kishin pyetur me habi: – “Vallë, a mund të ndodhë një gjë e tillë o i Dërguar i Allahut?

Po, – ishte përgjigjur ai, madje edhe më tepër se kjo; a thua si do të vepronit kur të urdhëroni për të keq, dhe të ndaloni nga e mira”, që do të thotë, se ju kur t’i keni lënë pas dore dhe neglizhuar, dhe nuk do të interesoheni për familjet dhe pasardhësit tuaj, dhe ata do të tërhiqen nga rrymat e ndryshme degjeneruese, ndërsa ju do t’i urdhëroni ata me veprat tuaja të shëmtuara, me sjelljet, dhe me gjendjen tuaj të çoroditur, duke i shtyrë në harrimin e Allahut dhe në harrimin e të dërguarit të Allahut nga zemrat. Mjerë ju nga kjo ditë!

Ja ky ishte momenti kur shokët e nderuar i kishte kapluar habia dhe hutia, dhe për këtë arsye pyetnin pareshtur: – A thua mund të ndodhë një gjë e tillë o i dërguari Allahut?

Ndërsa ai u përgjigjej: – “Pasha Atë, që shpirti im është në Dorën e Tij, bile edhe më tepër se kjo”, dhe pastaj kishte vazhduar:

“Do të ndodhin sprova si natë e zezë, skëterrë, sprova që do ta pasojnë njëra-tjetrën. Do t’u vijnë aq të ngjashme sikur fytyrat e lopëve, dhe nuk do të mund ta dalloni njërën prej tjetrës.[5]

Këto ngjarje dhe fjalë të Profetit (paqja qoftë mbi të) janë një tregues i qartë i rëndësisë që përmban kumtesa në vetvete. Nëse pretendohet që jemi pasardhës të profetëve dhe Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), atëherë është një detyrë për të gjithë ne që ta përcjellim këtë mesazh kaq hyjnor.

Përgatiti: Marius Tafani

[1] Ali Imran, 104.

[2] A’raf, 62.

[3]A’raf, 68.

[4] Ebu Ja’la. “Musnedi” 11/304.

[5] Musnedi Ahmed b. Hanbel 22239.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: