Ramazani është muaji i durimit

Gjatë Ramazanit ne i bëjmë një trajnim të mirë durimit tonë. Ne e mësojmë stomakun tonë të bëjë durim, duke mos i dhënë atij për të ngrënë edhe pse kemi uri dhe gjithashtu nuk pimë asnjë pikë uji edhe pse fyti ynë mund të thahet prej etjes.

Transmetohet nga Abdullah ibn Shihiri (r.a) se Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Agjërimi i Ramazanit, i cili është muaji i durimit dhe agjërimi i tri ditëve të çdo muaji i pastron të gjitha të këqijat e zemrës.” (Musned, 5:363)

Ashtu sikurse është përmendur edhe në hadithin e mësipërm, një nga emrat e Ramazanit është edhe muaji i durimit. Në një hadith tjetër Profeti (a.s) ka thënë: “Agjërimi është gjysma e durimit.” (Kenzu’l Ummal, 8:444) Kështu, theksohet rëndësia e durimit gjatë agjërimit.

Në anën tjetër, në qoftë se ne zemërohemi, ose egoja jonë na nxit të përgojojmë, të themi gënjeshtra, apo fjalë të këqija, ne përmbahemi menjëherë, kujtojmë që jemi duke agjëruar dhe kështu bëjmë durim ndaj këtyre të këqijave.

Ky trajnim i durimit gjatë muajit të Ramazanit na bën të kujtojmë edhe gjendjen e atyre që janë më në vështirësi sesa ne. Sado i varfër dhe në nevojë të jetë dikush, ai mund të gjejë dikë tjetër që ka më tepër nevojë sesa ai.

Më së paku, njeriu gjatë këtij muaji mund të mendojë rreth atyre që vuajnë nga dhimbjet e urisë në anë të ndryshme të botës dhe kështu të bëjë më tepër durim e ta shtojë falënderimin e tij ndaj Zotit.

Ka shumë probleme dhe fatkeqësi në jetën tonë, të cilat mund të ishin shmangur nëse ne do të kishim treguar sadopak durim. Nëse njeriu do të kishte treguar durim përballë këtyre sprovave, ato mund edhe të ishin shmangur. Kështu, kura për mungesën e durimit, i cili i vendos njerëzit përballë fatkeqësive të ndryshme, padyshim që në këtë rast është agjërimi.

Njeriu i cili përpiqet ta përvetësojë durimin gjatë këtij muaji të Ramazanit, do të shohë që po e zbukuron më tepër jetën e tij dhe gjithashtu po e pastron zemrën, duke nxjerrë prej saj ndjenjat e këqija.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: