Pse Kurani bën fjalë për njerëz si Ebu Lehebi? Cila është urtësia e kësaj? Si përshtatet kjo me stilin e Kuranit?

Ebu Lehebi, megjithëse i dalë në një vend të afërt me familjen Profetike, është një njeri i pafat e kokëngjeshur që s’ka mundur të përfitojë nga ajo dritë. Emri i tij i vërtetë është Abdyluzzâ.

Përmbajtja e kaptinës Kuranore me të njëjtin emër, është kjo:

Iu thafshin të dy duart Ebu Lehebit! Dhe i janë tharë!

       Nuk i sollën dobi pasuria dhe fitimet.

       Do të digjet ai në një zjarr që flakëron.

       Ashtu edhe gruaja e tij si drubartëse,

       me një litar të përdredhur në qafë!

(Mesed,1-5)[1]

     

Ashtu është! Ai e përdori vullnetin e tij gjithmonë për të keq! Shtroi ferra në rrugën nga do të kalonte Profeti dhe ndezi zjarre në rrugët që çonin në Qabe. Natyrisht që edhe ndëshkimin nga lloji i veprës do ta ketë e do të hidhet në zjarr. Fundja, ashtu është quajtur ai, “ebu leheb”, i ati i zjarrit. Ky njeri i ngulur përballë luftës dhe përpjekjeve për ta përhapur dhe lartësuar fenë Islame, gjatë gjithë jetës së vet do të ngrejë pusi dhe do të thurë intriga. Dhe ashtu bëri. Por çdo gjë që bëri, shterpë i mbeti!

Megjithëse e gjithë pasuria e Beni Umejes i kaloi atij dhe e shoqja, Ummi Xhemil, ishte shumë e pasur, e gjithë kjo pasuri dhe ato çka pati fituar, kurrë nuk i sollën Ebu Lehebit ndonjë dobi! Atë s’e shpëtuan dot as të bijtë, kurse ai krenohej aq shumë me ta!…

Ai nuk pati marrë pjesë në luftën e Bedrit. Kur pati mbërritur në Mekë lajmi i fitores së myslimanëve, pati kaluar një krizë nervore. Lajmëtari fliste për një ndodhi të papritur e thoshte që myslimanëve u ndihmonin ushtarë të çuditshëm. Mes atyre që dëgjonin këto fjalë, ishte edhe Ebu Rafiu, që e kishte fshehur besimin gjer atë ditë. Sapo dëgjoi këto fjalë, nuk duroi dot dhe tha: “Për Zotin, këta janë engjëj!” Këto fjalë e tërbuan Ebu Lehebin që iu drejtua me shpejtësi Ebu Rafiut, iu hodh sipër, e shtriu për tokë dhe po e shkelte me këmbë. Ebu Rafiu ishte skllavi i Hz. Abbasit. Zonja e Hz. Abbasit, Ummi Fadil, erdhi me vrap dhe e qëlloi menjëherë në kokë Ebu Lehebin me shkopin që mbante në dorë duke i thënë: “A po rreh një skllav pse s’e ka të zotin, more?” Ebu Lehebi nuk i ktheu dot fjalë gruas së të vëllait. Me kokën që i rridhte gjak, shkoi në shtëpi dhe nuk mundi më të dilte jashtë. Për shkak të kësaj goditjeje apo për një shkak tjetër, e kapi sëmundja e quajtur “Adese” nga vendasit, e konsideruar më e rrezikshme se murtaja. Kishte pasuri, kishte djem, por asgjë s’i vlente më. Shtatë ditë u përpëlit në shtrat. I vetëm. Kur vdiq, në krye s’i ndodhej askush, askush! Në dhomë nuk u fut kush as për të marrë kufomën. Më në fund, njerëzve të vet u erdhi turp. Pajtuan me pagesë ca beduinë në shkretëtirë që e morën kufomën e qelbur, e hodhën në një gropë dhe e mbuluan me gurë.

Megjithëse Ebu Lehebi ishte farefis me Profetin (a.s.), jo vetëm që s’përfitoi nga ajo dritë e të bëhej njeri, por përkundrazi, u bë armiku më i tërbuar i tij. Prandaj edhe e prisnin ndëshkime shumë të rënda edhe në këtë botë, edhe pas vdekjes. Një popull i tërë e pa se si u ndëshkua ai në këtë botë, kurse tani ai ndodhet në botën tjetër para ndëshkimeve të tjera…

E shoqja, prej fisit Beni Ummeje, ishte grua me prejardhje fisnike dhe e pasur. Armiqësia kundër të Dërguarit të Allahut i jepte një kënaqësi pothuajse sadiste. Pati marrë pjesë në shumicën e veprimeve të poshtra të organizuara kundër Profetit, prej të cilave ndjente kënaqësi të madhe. Po ashtu, ndjente kënaqësi të madhe të bartte ferra e driza e t’i shtronte në udhët nga kalonte i Dërguari i Allahut, të bartte dru për t’i shtruar po nëpër rrugë e për t’i ndezur me qëllim që të digjej Ai. Në të vërtetë, ishte e dhënë pas dukjes aq sa të përdorte një tufë të tërë shërbëtorësh. Mirëpo marazi që kishte ndaj Profetit, e nxiste në atë mënyrë që ajo grua krenare, duke nëpërkëmbur krenarinë e vet, bënte ato punë që u përkisnin shërbëtorëve! Ajo, që përbuzte edhe gjerdanët duke e quajtur ulje t’i vinte në qafë, për ironi të fatit varte në qafë litarë për të ngarkuar në shpinë dru e ferra. Edhe ndëshkimin për punët e saj, nga i njëjti lloj do ta hiqte. Sepse Kurani ashtu thoshte!

Ebu Lehebi ishte inatçor, kokëngjeshur. Për të, Ebu Xhehli thoshte: “Kujdes, mos e nxehni, se po kaloi në anën tjetër, askush nuk e kthen më dot!” Dhe këtu kishte të drejtë. Mirëpo Ebu Lehebi e përdori këtë kokëngjeshje kundër të Dërguarit të Allahut! E shpenzoi në armiqësinë kundër Tij! U bënë një me të shoqen dhe i bekuan idhujt që ndodheshin në Qabe. I quajtën Lat, i quajtën Menat. Por për një gjë nuk bënë as edhe përpjekjen më të vogël, të ndaleshin një herë e të përpiqeshin për ta kuptuar njeriun që ishte rritur aty, mes tyre! Ata kurrë nuk e ndjenë të nevojshme të përfitonin nga ai person i zgjedhur, i dërguar si mëshirë për botët!

Ebu Lehebi i bëri vetëm të këqija të Dërguarit të Allahut. Edhe sikur të jetonte sa bota, prapëseprapë të njëjtën gjë kishte ndërmend të bënte. Ai u bashkua me të tillët si Ebu Xhehli në bojkotin trevjeçar kundër myslimanëve. Myslimanët i patën kaluar këta tre vjet duke u përleshur me vdekjen. Sa e sa fëmijë dhe pleq patën vdekur nga uria! Por në ndërgjegjen e Ebu Lehebit këto kurrsesi nuk patën zgjuar ndjenjën e mëshirës. Në këtë periudhë pati vdekur Hz. Hatixhja e hidhëruar dhe e rënë shpirtërisht për padrejtësitë dhe dhunën e ushtruar ndaj myslimanëve. Pati vdekur, gjithashtu, edhe i ungji i Profetit, Ebu Talibi, ai që e pati ndihmuar aq shumë e që i pati dalë për zot. Kurse e kundërta e këtij, ungji tjetër, Ebu Lehebi, pati qenë përpjekur ta asgjësonte.

Ndërsa njerëz nga më të largëtit si fis patën ardhur herët e qenë përpjekur të rikrijonin lidhje gjaku e afërsie, Ebu Lehebi e pati quajtur për detyrë të kundërtën, të largohej prej tij. Ç’i verbër ishte që nuk mundej ta shihte diellin – burim drite që i kishte lindur pranë dhe lartësohej?

Dhe tani, a nuk është e drejtë që Kurani thotë për të “iu thafshin duart”? Po të mos i thuhej kështu, a nuk do të merrej nëpër këmbë e drejta e miliarda njerëzve që besojnë? Si mund të mendohet kështu për Kuranin plot shprehje urtësie e drejtësie?

E para: Për shumë vetë që i kanë bërë të këqija Islamit, kanë zbritur ajete të hapura apo të mbyllura. Velid b. Mugire ka qenë njëri syresh. Për të Kurani përdor shprehjen: “I daltë shpirti, ç’vendim që mori!” Ai qe babai i Halid b. Velidit. Por dhe një prej armiqve të pamëshirshëm të të Dërguarit të Allahut. Me vete mendohej se ç’shpifje të hidhte për të dhe lëkundej e vinte vërdallë: poet t’i thoshte, apo falltar, apo magjistar… Dhe mori vendim t’u thoshte Kuranit magji dhe Muhamedit magjistar. Edhe në Kuran, si përgjigje për këtë vendim të tij, Zoti u shpreh: “I daltë shpirti, ç’vendim të keq që mori!” Dhe sa e sa mohues të tjerë u goditën e u kërcënuan. Në këto kushte, po qe se për Ebu Lehebin do të bëhej përjashtim, a nuk do të binte në kundërshtim kjo, me cilësinë gjithënjerëzore të Kuranit? Sigurisht që po. Sepse, kur dënohej Velid b. Mugireja, po të mos dënohej edhe Ebu Lehebi, dëshmitarët e kësaj pune a nuk do të mbërtheheshin nga pandehma se një njeri që kishte kryer aq shumë akte armiqësie kundër Profetit mbrohej vetëm se kishte afërsi familjare me të? Ja pra, Kurani nuk i la shteg kësaj dhe edhe Ebu Lehebin u futi në kategorinë e idhujtarëve të tjerë.

E dyta: Kjo kaptinë zbriti në Mekë. Kurse Ebu Lehebi vdiq menjëherë pas luftës së Bedrit, që i takon periudhës së Medinës, atëherë kur Profeti me myslimanët tashmë kishin emigruar dhe ishin vendosur aty. Domethënë se Kurani lajmëronte një të fshehtë, një ngjarje që do të ndodhte në të ardhmen: Ebu Lehebi do të vdiste si qafir, si mohues e po ashtu, edhe e shoqja. Dhe ndodhi krejt ashtu siç thoshte Kurani, u vërtetuan fjalët e Tij! Ashtu siç kishte ndodhur me të Dërguarin e Allahut, i cili para luftës së Bedrit u kishte treguar myslimanëve vendet ku kishin për t’u vrarë idhujtarët e duke i cilësuar ata me emër dhe, pastaj, kur kjo ishte vërtetuar një për një, e kishte rritur shumë fuqinë shpirtërore të myslimanëve, ashtu edhe vdekja e Ebu Lehebit në të njëjtat kushte që paralajmëronte Kurani, e shtonte fuqinë shpirtërore të myslimanëve e sikur i paralajmëronte ata të kishin kujdes. Çdo gjë që të thoshte Kurani, do të vërtetohej. Ishte premtuar qysh më parë fitorja e Bedrit dhe ajo kishte për të ndodhur. Në një periudhë kur numri i armiqve që rrethonin një grusht myslimanësh ishte i panumërt, këto raste të forcimit shpirtëror të tyre nuk ishin aspak për t’u nënvleftësuar. Përkundrazi, nisur nga rezultati i tyre pozitiv, në një pamje ishin kusht dhe të domosdoshme.

Disa herë, zgjimi dhe ardhja në vete që prodhohen tek njeriu prej një kokëçarjeje të vogël apo fatkeqësie, i përftojnë gjëra të tilla jetës shpirtërore, që, sikur të hapej perdja e të shiheshin ato çka kishin për t’u fituar, çdo njeri do ta kërkonte me gjithë zemër e me padurim ardhjen e asaj kokëçarjeje apo fatkeqësie! Përfitimet e pastajme e zbresin në zero atë fatkeqësi. Ja pra, edhe sikur të mos thuhej gjë – që bëhej në emër të njerëzimit – për njerëzit, humbja e ardhme e të cilëve kishte marrë formë të prerë, kjo nuk kishte për të ndikuar në përfundim as sa grimca. Ç’kishte për t’u bërë ishte bërë dhe fundi i keq i tyre ishte i paracaktuar.

Ç’është e vërteta, këtu përmenden vetëm dy a tri vetë bashkë me përfundimin e keq të tyre dhe, nëse në pamje të parë duket se përmenden me një shprehje krenarithyese për njerëzimin, po qe se do të kihej parasysh që kjo gjë kishte për të forcuar shpirtërisht miliona njerëz që kishin për t’u bërë më të vetëdijshëm e të ndërgjegjshëm për qenien e tyre si njeri, po të kihej parasysh, më së pakti, se kjo gjë do të shërbente si pretekst për t’u ruajtur të mos binin në përfundimin e tyre, gjëja e parë që të vjen ndërmend është se vendin e mbresës jo të pëlqyeshme do ta zinin urtësi të tjera. Atëherë do të kuptohej se sa e nevojshme ka qenë për besimtarët, nga aspekti psikologjik e pedagogjik, përmendja në Kuran e Ebu Lehebit e njerëzve të ngjashëm me të.

E treta: Si të fundit, mund të shtojmë edhe këtë që ky ndikim psikologjik, ashtu siç shkaktoi një zgjim, siç e thamë, në pjesën besimtare të shoqërisë së atëhershme, nisi edhe të prodhonte lëkundje në frontin e mohimit. Blasfemia e tyre absolute, duke u shndërruar në dyshim, ua lehtësoi hyrjen në rrugën e ndritshme dhe, bindjet që në fillim u ndodheshin vetëm në trajtë të burgosur në ndërgjegje, të nxjerra në shesh nën presionin e lëkundjeve, gjetën shtigjet për të hyrë në mendje dhe zemër e, më vonë, patën nisur të duken edhe rezultatet e para. Më pas, sa e sa vetë zhveshën rrobën e zezë të blasfemisë dhe veshën mantelin e bukur të besimit e u vunë në rrugën e orientimit. Dhe kjo, për besimin dhe njerëzimin, nuk ishte një përfitim i vogël.

Ja pra, nxjerrja e rezultateve të tilla të mëdha me anë të përmendjes së fundit të dhimbshme të disa njerëzve, është një aftësi shprehëse e mrekullueshme, e tillë që përbën karakteristikën e pohimeve plot urtësi të Kuranit e që i ka hije vetëm e vetëm Atij; arritja e rezultateve të tilla nuk i ka takuar gjer më sot asnjë fjale! Kjo është një model i mrekullueshëm thellësie e gjerësie që mund të përngjasohej me krijimin e mijëra dallgëve në oqean duke hedhur në të vetëm një gur të vogël! Po, prej asaj dite e gjer më sot këto dallgëzime rezonojnë në zemrën e mijëra e mijëra, madje të miliona njerëzve. Po, Kurani është reveluar me një stil shprehës të nivelit të lartë siç është, për shembull, me anë të forcës tërheqëse dhe nxitëse të frikësimit dhe dëshirimit, lajmërimi i vdekjes në blasfemi i një njeriu, gjë që, në të njëjtën kohë, është pretekst që miliona njerëz të hyjnë në udhë të drejtë. Dhe kjo është mjaft në përshtatje me shprehjen ligjëruese e oratorike të Kuranit, është me vend. Është vetë urtësia!

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: