Profeti Ynë (27) – Meremetimi i Qabes dhe gjykuesi fjalëprerë

Sakaq kaluan dhjetë vjet dhe më Besniku i Njerëzimit kishte ardhur në moshën tridhjetë e pesë vjeçare. Çështja më e përfolur e atyre ditëve ishte meremetimi i mureve të Qabes, që ishin dëmtuar nga kalimi i pandalshëm i viteve. Kështu që kishte një muaj prej nga koha kur kurejshët patën vendosur për ta meremetuar.

Punimet filluan, megjithëse shqetësimet dhe problemet nuk dinin të mbaruar. Ata zbritën ta meremetonin që nga themelet, të cilat i pati hedhur për herë të parë Profeti Ibrahim paqja qoftë mbi Të! Kur njëri prej punëtorëve preku paksa themelet e Qabes, u duk sikur e tërë Meka po dridhej nga themelet, andaj nga frika se mund t’u ndodhte ndonjë gjë e keqe, vendosën të gjithë njëzëri që ta bënin meremetimin pa i prekur me dorë aspak themelet.

Qabeja që po ngrihej gur mbi gurë, kur iu afrua Ruknes filloi një diskutim i ri, ngase të gjithë ishin sërish të nervozuar. Të parët e fiseve donin që të ishin vetë ata që do ta vendosnin Haxheru’l Esuedin, Gurin e Zi, i cili ishte i shenjtë për të gjithë ata, në vendin e vet. Nuk po merreshin dot vesh, sepse gjithsecili ia njihte vetëm vetes këtë të drejtë. Aq shumë ishte tendosur situata, saqë të gjithë e kishin lënë në mes punën, dhe ishin bërë gati që ta sulmonin njëri-tjetrin në çdo çast.

Plaku qe parandaloi konfliktin mes kurejshëve

Saora, në atë çast u ngrit më i vjetri i kurejshëve, Ebu Umeje, i cili po i shihte mekasit që ishin gati për të hapur ndonjë “luftë”, vendosi të thoshte nja dy fjalë:

  • Po mirë, o kurejshë, a nuk do të ishte më mirë sikur të zgjidhnit një gjykues në mesin tuaj. Le të vendosë ai se cili do ta vendosë gurin e zi në vendin e duhur. Sakaq, edhe zënka do të merrte fund njëherë e mirë. Pse të mos zgjedhim si gjykues personin e parë që do të hyjë përmes kësaj porte të Qabes. Le të veprojmë të gjithë sipas fjalës që do të presë ai.

Në fillim u menduan të gjithë, derisa e panë si më të arsyeshmen. Nuk donin aspak, që në këtë përpjekje të hairit, të bënin diçka të nxituar, e ta fusnin veten në një luftë të padobishme. Meqenëse të gjithë e pranuan këtë mendim, u ulën dhe po prisnin me katër sy për personin e parë që do të hynte përmes asaj porte.

Heshtja thyhet me brohoritma

Ishte një ditë e hënë. Të gjithë po rrinin në heshtje, në një pritje të gjatë dhe të heshtur. Tanimë po ndjenin disa hapa, andaj të tërë shfrynin prej emocioneve të hareshme. Ja tek hyri fytyra e parë prej kurejshëve. Ishte më i drejti ndër të gjithë njerëzit, ishte Muhamedi i shtrenjtë. Kur e panë, të gjithë brohoritën prej një farë gëzimi të pashoq:

  • Ja tek po vjen i Drejti! Ne jemi të gjithë të kënaqur nga vendimi që do të japë ai! – thanë ata njëzëri.

Pasi i pa të tërë që po e shihnin me kërshëri dhe me brohorima të veçanta, dhe pasi dëgjoi për ç’ka kishte ndodhur; fillimisht u kërkoi që t’i sillnin një bezë të gjerë. Ata ia prunë bezën, por pa e kuptuar përse e kishte kërkuar diçka të këtillë. Të gjthë po prisnin me ëndje se ç’do të bënte me të.

Zgjidhja që erdhi nga zgjuarsia e Krenarisë së Njerëzimit

Në fillim i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të! e shtroi bezën, ashtu të hapur, në tokë. Pastaj e mori në kraharor gurin e zi dhe e vendosi mbi bezë. Dhe saora iu drejtua vështrimeve të përkujdesura të të gjithëve:

  • Le ta kapin këtë bezë të gjithë prijësit e fiseve, nga një anë. Ashtu të gjithë bashkë ta ngrenë gurin për ta shpënë në vendin e vet, – u tha Ai.

Ky ishte një vendim shumë i mençur dhe i goditur. Saqë ishte e pamundur që të ngrihej qoftë edhe një njeri i vetëm ta kundërshtonte. Sepse, kësisoj të gjithë të parët e fiseve ishin bërë bashkëpunëtorë. Kur iu afruan lartësisë së nevojshme ku do të vendosej guri, Ai u kërkoi mekasve që ta mbanin të drejtë bezën. Pastaj e mori vetë me duart e Tij gurin për ta vendosur përfundimisht mbi vendin e tij.

Siç duket, Allahu (xh.sh.), që e kishte ndërtuar Qaben fillimisht nga duart e një profeti, siç ishte Profeti Adem, e mandej e kishte meremetuar me dorën e Profetit Ibrahim dhe Profetit Ismail, kësaj here kishte vendosur ta vendoste gurin e zi në vendin e vet, po me dorën e një profeti. E ky do të ishte posaçërisht i fundit i profetëve, Muhamedi paqja qoftë mbi Të! Ngjante sikur çdo gjë kishte hyrë në rendin e vet, e të padiskutueshëm, hyjnor.

Tashmë, gjithë ajo zullumahi u zgjidh në mënyrën më të ëmbël të mundshme. Dhe puna e meremetimit hyri në gjendjen e mëparshme të paqtë, derisa u përfundua, sikur të ishte ndërtuar prej fillimit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: