Profeti Ynë (23) – Raporti mbi rrugëtimin
Padyshim ky ishte ndoshta më i veçantë për Mejseren deri më tani; as nuk kishte hasur ndofarë padrejtësie, apo ndonjë lloj parehatie të brendshme gjatë udhëtimit. E patën çuar dhe vlerësuar mallin ashtu siç duhej, madje i kishin shitur ato me një çmim shumë më të lartë prej atyre çmimeve që mund të ofroheshin në qytetin e Mekës. Madje edhe mallrat e prura së andejmi, u shitën në Mekë me çmime me të vërtetë të majme. Më në fund, edhe Hatixhja e gjeti sigurinë që e kishte kërkuar për aq shumë kohë. Më herët kishte bërë tregti me çdofarë njerëzish, veçse Më Besniku ndër njerëz ishte krejt i veçantë.
Madje nëse do të shihej më me kujdes, halli i vërtetë i Hatixhes nuk ishte në faktin se Ai ia kishte shitur me një çmim shumë më të lartë. Këtë ajo e tregoi edhe në padurimin që po tregonte derisa të takonte Mejseren. Me ta parë, zuri ta pyeste për çdo gjë që kishte ndodhur përgjatë udhëtimit.
Mejserja fillimisht filloi t’i flasë asaj për fjalët e murgut Nastura. Mandej zuri t’i flasë për dy engjëjt që e mbronin Atë prej nxehtësisë përzhitëse të diellit. Nga kërkesa për t’u betuar në Siri deri te reagimi i Tij i veçantë, duke ia transmetuar një më një të gjitha fjalët e thëna nëpër këto biseda. Kishte aq shumë që po i rrëfente të gjitha këto, saqë herë-herë edhe i përsëriste ato, duke u dukur sikur nuk donte t’i përfundonte këto fjalë të mira kushtuar një besimi të veçantë.
Zaten, këto ishin ato fjalë që po priste të dëgjonte edhe vetë Hatixhja. Po vdiste përbrenda ngase nuk po i fashiste dot dallgët emocionuese që dallgëzonin në brendësi të shpirtit të saj, të cilat po përpiqej gjithashtu që t’i fshihte me sa të mundte. E si të mos jetë e mundur kjo, kur të gjitha veçse tregonin për Të.