Profeti Ynë (22) – Sërish e njëjta re

Pas këtij pushimi, ata u nisën sërish në drejtim të Mekës. Koha ishte shumë e nxehtë, dhe rrezet e diellit të përvëlonin. Mejserja, gjatë rrugës pa dy engjëj bardhoshë, të cilët në trajtën e dy reve, po përpiqeshin që t’i bënin hije Profetit paqja qoftë mbi Të!, dhe për njëfarë kohe nuk po e merrte dot veten nga mahnitja. Dy re në një mot të tillë… Mbi të gjitha, dy re që ndjekin pa reshtur të njëjtin njeri… Dy re që e ndjekin teksa ecën, dhe që ngalakaqen teksa ai ndalon…

Ndërsa Ai, ashtu pa e prishur fare sigurinë dhe besimin në vetvete, e vazhdonte rrugëtimin sikur të mos kishte asfarë gjëje jo të natyrshme. Të gjitha këto shkaktuan përndezjen e një dashurie të atillë karshi këtij njeriu, që këtej e tutje do t’ia përkushtonte Atij gjithë qenien dhe ekzistencën e vet. Tashmë ai e shihte veten si shërbëtorin e Tij më të përkushtuar. Kur mbërritën në Mekë, koha ishte ndoshta më e nxehta e mundshme, dhe diellin e kishin thuajse mbi krye. Edhe Hatixhja, me të mësuar mbërritjen e karvanit, doli menjëherë në shesh për të pritur të dërguarit e saj. Në një çast u kap së tepërmi pas diçkaje të pazakonshme. Ishin dy engjëj që me krahët e tyre mundoheshin t’i bënin hije Muhamedit, më Besnikut[1]. Ajo deshi që ta ndante këtë me të gjithë miqtë e saj. Nuk donte kurrsesi që të ngelej, askush, që të mos e shihte këtë gjë kaq të veçantë. Padyshim, ai ishte një peizazh që nuk mund të ngopeshe së bëri sehir. Çdokush që e shihte nuk e fshihte dot mahnitjen dhe habinë.[2]

[1]Ibni Sad, tabakat, 1/130-1; Taberi, tarih, 2/196

[2]Taberi, tarih, 2/197

Postime të ngashme