Profeti Ynë (19) – Takimi i parë me Hatixhen
Ebu Talibi, me të marrë përgjigjen pohuese nga i nipi, rendi menjëherë për të folur me Hatixhen. Më tepër ai kishte një ndjesi se duhet t’i fliste vetë asaj për cilësitë e përsosura të të nipit. Sepse ai ishte njeriu më i mirë dhe më besnik i qytetit të Mekës. Këto ishin disa nga cilësitë që duhet të përcaktonin personin e zgjedhur si dorëzanë të kësaj tregtie. Për më tepër, edhe çmimi që do t’i jepej atij duhet të ishte i veçantë. Ai e dinte edhe çmimin që do t’u jepej të tjerëve, prandaj vendosi që t’i kërkonte dyfishin Hatixhes.
Pa kaluar shumë kohë, shkoi pranë Hatixhes. Pas përshëndetjeve të përzemërta, ai e pruri fjalën tek karvani dhe te tregtia, duke numëruar një e nga një të gjitha virtytet e pashoqe të nipit të tij.
Muhamedi… I sigurti… Ky emër sikur nuk ishte aspak i huaj për Hatixhen. Ishte ai emri që nuk i shkëputej kurrë prej goje djalit të xhaxhait të saj, Uaraka bin Neufelit. E kishte dëgjuar që në fëmijëri emrin e Tij të pëshpëritej; emri i Tij ishte pothuajse në të gjitha interpretimet e ëndrrave.
Ç’ishte gjithë kjo mirësi? Hatixhen e kishte kapluar një ndjesi se po e gjente në tokë atë që për kaq kohë e kishte kërkuar në qiell… Paracaktimi i kishte ardhur kaq afër, tanimë që karvani ende nuk ishte nisur, ajo filloi të ndjente kënaqësinë e fitimit më të madh që do të kishte arritur ndonjëherë, madje deri në rrëzë të palcës. Edhe sikur të gjithë pasurinë t’i kërkonte, prapëseprapë ajo do t’ia jepte pa u lëkundur aspak. U tremb shumë nga fjalët e Ebu Talibit; ai po vazhdonte t’i thoshte:
O Hatixhe! Kam marrë vesh se për këtë punë ke vendosur një shpërblim prej dy devesh; Muhamedi im është më Besniku ndër të gjithë njerëzit, dhe unë për të po të kërkoj dyfishin, jo dy, por katër deve.
Për njëfarë kohe e kaloi nëpërmend këtë kërkesë… A ishte e mundur të bëhej pazar për një tregti të këtillë? Sidomos tani që ishte një tregti që kishte të bënte me lumturinë, jo vetëm të kësaj bote, por edhe me atë të përtejmen? E ç’ishin tekevona katër deve. Me të mbaruar fjalën e tij Ebu Talibi, ajo tha:
O Ebu Talib! Të të them të drejtën, ti po më kërkon një çmim jo edhe aq të madh. Edhe sikur shumë më shumë të më kërkoje, prapëseprapë do të t’i kisha dhënë pa m’u dridhur syri. Sikur të ma kërkoje edhe për një njeri të parëndësishëm madje, lëre pastaj që ti je duke më folur për një njeri më se të dashur![1]
Ashtu siç ranë në një mendje edhe për çmimin, tashmë nuk kishte ngelur kurrfarë pengese që karvani të nisej në drejtim të Sirisë. Ebu Talibit nuk i ishin fshirë aspak prej kujtesës fjalët që i kishte këshilluar murgu Bahira në udhëtimin e parë drejt Sirisë, andaj e këshilloi me përkujdesje të veçantë nipin e tij që të bënte kujdes gjatë gjithë udhëtimit, sepse ishte tejet i shqetësuar që, teksa kërkonte të fitonte diçka në emër të kësaj bote, të humbte nipin e tij që e kishte aq të shtrenjtë.
E ajo ditë e mbrame erdhi. Mbreti i profetëve u nis bashkë me karvanin, por diçka e veçantë nuk po i shpëtonte askujt prej syve. Mejserja, një nëpunës i Hatixhes së nderuar në të tilla raste e ndiqte Besnikun Muhamed në çdo lëvizje dhe sjellje të Tij. Tekembramja ky ishte një udhëtim që do të zgjaste të paktën tre muaj. Udhëtarët krijuan një afrimitet të veçantë me njëri-tjetrin, e kësisoj kishin zënë në dorë një mundësi të artë për ta njohur më nga afër Profetin e profetëve.
[1]Ibni Sad, tabakat, 1/157; Suhejli, raudu’l unf, 1/122