PROFETËT ZEKERIJA DHE JAHJA (A.S.)

Ishte vërtet një periudhë shumë e çuditshme. Mijëra ide e mendime të kundërta përplaseshin me njëri-tjetrin në një vorbull e betejë që nuk dinte të mbaronte. E bardha me të zezën, e mira me të keqen, ecnin dorë për dore. Nga njëra anë besimi në Zot mbështillte si një dritë faltoren e Jerusalemit, nga ana tjetër gënjeshtra, imoraliteti e hilet errësonin rrugët e shtëpitë e qytetit. Në skenën e jetës luhej e njëjta dramë. Drita dhe errësira, mirësia dhe ligësia, gënjeshtra dhe e vërteta, e drejta dhe e shtrembra, vazhdonin të luftonin e të ndesheshin. Në këtë periudhë të çuditshme, por aspak të panjohur për njerëzimin, jetoi profeti Zekerija (a.s.).

Gjaku i Zekerijas rridhte nga profeti Davud, që andej te profeti Ibrahim. Ishte një nga hallkat e fundit të zinxhirit të profetëve të dërguar te Izraelitët. Në faltoren e Jerusalemit ai predikonte pa pushim dhe ftonte njerëzit në rrugën e Zotit (xh.sh.) duke u shpallur e shpjeguar të vërtetën.

Ai ishte një profet i madh, të cilit Zoti i kishte dhënë shumë dituri e urtësi. Ai kishte një kushëri të afërt, të quajtur Imran, që ishte një njeri i mrekullueshëm, i ditur e i ndershëm. Imrani drejtonte faljen në faltore. Megjithëse kishin kaluar shumë vite, Imrani nuk kishte fëmijë. Gruaja e Imranit ishte motra e gruas së Zekerijas.

Një mëngjes, ndërsa u hidhte ushqim zogjve në oborr, gruaja e Imranit u ndesh me një pamje që e preku shumë. Mbi degën e pemës zogjtë kishin ndërtuar një fole. Zogu mëmë shkonte e vinte, mundohej e copëtohej për të gjetur ushqimin për zogjtë e saj të vegjël, pastaj i ushqente vetë ata me kujdesin më të madh. Kjo pamje i kishte zgjuar fort ndjesitë e saj prej nëne dhe megjithë moshën e thyer, nisi t’i lutej Zotit. Dëshira për t’u bërë nënë ishte e papërballueshme brenda saj, ndaj dhe lutjen me lotë në sy, e kishte aq të dëlirë, aq të sinqertë, sa Zoti e pranoi menjëherë lutjen e saj. Ditën që e mori vesh se ishte shtatzënë, gati sa nuk fluturoi prej gëzimit. Ajo ishte një grua e mirë dhe e devotshme, ndaj me ndjenjën e përkushtimit që e karakterizonte, menjëherë u përkul me falënderim para Zotit.

“Zoti im! Këtë fëmijë që kam në bark, ta kam dhuruar Ty! Kur të rritet, do të të shërbejë Ty me gjithçka. Të lutem, O Zot, pranoje këtë kushtim timin! Padyshim që Ti je Ai që dëgjon lutjet e i di më së miri qëllimet.”

Këto fjalë kishin këtë domethënie; fëmija që do të lindte, do e kalonte gjithë jetën në faltore duke u lutur e duke shërbyer atje. Në atë kohë, në shërbesat fetare merreshin vetëm fëmijët djem. Nuk kishte ndodhur asnjëherë të kushtoheshin vajzat për një detyrë të tillë. Këta djem, që i kushtoheshin shërbimeve fetare, jetonin në faltore derisa rriteshin e piqeshin, pastaj varej nga dëshira e tyre, ose vazhdonin shërbesën në faltore, ose jashtë saj.

Erdhi dhe koha e lindjes. Por nuk ndodhi sikur e prisnin. Gruaja e Imranit kishte lindur një vajzë. Ishte çuditur së tepërmi, sepse ajo priste një djalë për ta futur në shërbimet e faltores. Megjithatë vendosi ta mbante fjalën që i kishte dhënë Zotit. Nisi të lutej:

“O Zoti im! Fëmija im është vajzë, e quajta Merjem. Padyshim që vajza nuk është si djali për shërbesat në faltore.”

Zoti (xh.sh.) i dinte të gjitha. Sepse është Ai që dëgjon e sheh gjithçka, që lexon çdo mendim e di gjithçka. Sepse Ai e kishte vendosur se çfarë do lindte gruaja e Imranit, e cila vazhdonte lutjen, duke iu përgjëruar Zotit të ruante vajzën e saj e gjithë pasardhësit e saj nga dëmi i shejtanit.

Lutjet e nënës bënë që vajza të rritej në mënyrën më të përsosur. Sepse Mëshira Hyjnore kishte vendosur që ajo vajzë të ishte femra më e lartësuar e historisë së njerëzimit. Kur të rritej, ajo do bëhej nëna e profetit Isa në mënyrën më të mrekullishme. Profeti Adem (a.s.) ishte krijuar pa nënë dhe pa baba, dhe kjo ishte një mrekulli. Kurse profeti Isa (a.s.) do lindte vetëm nga nëna, pa baba. Nga një nënë e virgjër, e paprekur kurrë, simbol i moralit dhe i pastërtisë shpirtërore.

Babai i Merjemit vdiq para se të ajo lindte. Të gjithë dijetarët e faltores hynë në garë me njëri-tjetrin se kush do ta merrte pranë vetes për ta mësuar këtë vajzë që i ishte përkushtuar faltores dhe që ishte bijë e një dijetari të madh, si ata. Kjo detyrë do të ishte një nder i veçantë për secilin prej tyre. Po kush do ta merrte Merjemin?

I pari foli Zekerija:

  • Detyrën për të rritur e mësuar Merjemin do e marr unë. E kam të afërm dhe gruaja ime është tezja e saj. Aq më tepër që unë jam edhe i Dërguari i këtij vendi.

Pastaj morën fjalën dijetarët e tjerë:

  • E pse mos ta bëjë një detyrë të tillë të nderuar njëri prej nesh? Nuk jemi dakord ta lëmë ty këtë nder kaq të madh!

Më së fundi vendosën të hidhnin short me njëri-tjetrin. Përndryshe do të nisnin diskutime e do lindnin pakënaqësi. Merjemin e ulën ndenjur dhe pranë saj secili vendosi penën e vet, me të cilën shkruanin Teuratin. Thirrën një fëmijë të vogël, që nuk e dinte aspak se për çfarë ishte fjala dhe i thanë të zgjidhte njërën prej penave. Fëmija zgjodhi penën e Zekerijas.

  • Ja, u sqarua dhe vullneti i Zotit! – tha Zekerija.

Por dijetarët e tjerë prapë nuk kishin mbetur të kënaqur.

  • T’i hedhim penat në lumë! – thanë, – dhe cila penë të mos merret nga rrjedha, ajo të fitojë.

Ashtu vepruan. Të gjitha penat i mori rrjedha e lumit, derisa u humbën nga sytë, përveç penës së Zekerijas. Më në fund, të gjithë u bindën dhe ia dorëzuan Merjemin, Zekerijas. Në këtë mënyrë, edukimin, mësimin dhe mbrojtjen e Merjemit do ta bënte profeti i Izraelitëve, Zekerija (a.s.).

Kur Merjemi u rrit e arriti pjekurinë, Zekerija i përgatiti asaj një dhomë të veçantë në faltore, të cilën e quajtën mihrab. Merjemi e kalonte atje pjesën më të madhe të kohës. Ajo dhomë ishte bota e saj e vogël, ku lutej, falej e meditonte. Zekerija shkonte aty për t’i çuar ushqimin dhe për t’i dhënë mësime të ndryshme, por sa herë që hynte, shihte pranë saj lloj-lloj ushqimesh e frutash nga më të mirat. Zekerija (a.s.) e kuptoi menjëherë se Merjemi nuk ishte një fëmijë dosido; në të ardhmen ajo do bëhej shumë e rëndësishme dhe e dashur nga Zoti (xh.sh.). Në dhomën e saj, dimrit, kishte plot fruta vere dhe verës kishte plot fruta dimri. Sa herë që Zekerija pyeste Merjemin se nga i vinin këto ushqime, përgjigja e saj ishte e thjeshtë:

  • Nga Zoti.

Kjo ishte përsëritur disa herë dhe gjithmonë Zekerija kishte marrë të njëjtën përgjigje.

Koha kalonte. Tashmë Zekerija ishte një burrë i moshuar, me flokë të bardha, i rënduar nga pesha e viteve që mbante mbi supe. Edhe e shoqja po ashtu. Sidomos dhembja që nuk lindte dot e dëshira për fëmijë e kishin lodhur edhe më tepër. Zekerija kishte ëndërruar gjithmonë të kishte një fëmijë të mbarë, që kur të rritej të vazhdonte rrugën e tij e të thërriste njerëzit në besimin në Zot.

Por këtë dëshirë ai e kishte mbajtur gjithmonë në shpirt, nuk ia kishte hapur as të shoqes. Vetëm Zoti, Ai që di gjithçka, e dinte këtë dëshirë të tijën.

Atë mëngjes, Zekerija (a.s.) shkoi sërish në faltore pranë Merjemit. Kur pa frutat ende shumë të freskëta, e pyeti:

  • O Merjem, ku i gjete këto fruta?
  • Nga Zoti… Zoti i jep atij që do mirësi pa numër, – u përgjigj ajo.

Zekerija u kthye prapë në faltore dhe hapi duart gjithë shpresë. Ai i Gjithëpushtetshëm që i dërgonte Merjemit gjithë të mirat në mënyrën më të mrekullueshme, do të dëgjonte edhe lutjen e tij…

“O Zoti im, më i Larti i të lartëve! Pushteti Yt mjafton për gjithçka.”

Malli e dëshira për një fëmijë po ia digjte zemrën. Zekerija vazhdoi lutjen.

“O Zot! Unë u plaka tashmë, jam dobësuar, kockat më janë bërë dobësuar, jam thinjur, flokët më janë bërë borë të bardha. O Zoti im, për çfarë të jam lutur, Ti ma ke pranuar. Asnjëherë nuk ma ke kthyer lutjen. E vërteta është se unë nuk e di kë do lë pas. Edhe gruaja ime është shterpë. Të lutem, nga oqeani i pafund i mirësisë e i bujarisë Tënde, më dhuro mua një trashëgimtar! Të tillë që të trashëgojë edhe dinastinë e Jakubit. Një njeri të mirë, që të bëhet ashtu si do Ti, o Zot!”

Me zë të ulët e me lutjet më të thella të shpirtit, Zekerija po i lutej Zotit për një fëmijë. Një fëmijë që të trashëgonte prej tij profetësinë, diturinë, urtësinë e lartësinë. Aq më tepër që ai e dinte se pa një udhërrëfyes, populli i tij menjëherë do t’i hynte rrugëve të shtrembra.

Dhe Zoti (xh.sh.) e pranoi lutjen e Zekerijas. Atë çast, engjëjt i folën atij kështu:

“O Zekerija! Sihariq për ty! Do të bëhesh me një djalë, që do e ketë emrin Jahja! Asnjë njeri më përpara nuk është quajtur kështu!”

Zekerija u mallëngjye së tepërmi nga ky sihariq. Do të bëhej me një djalë, që nuk do i ngjante askujt që kishte lindur gjer atëherë. Zemra i dridhej nga emocioni, kur e pyeti Zotin:

“Si vallë do të bëhem me fëmijë, kur në fakt jam kaq plak e gruaja ime shterpë?”

Engjëjt ia shpjeguan sërish:

“Ashtu, po kjo është shumë e thjeshtë për Zotin. A nuk është Ai që e krijoi njeriun nga hiçi? A ka diçka që Zoti do, e të mos bëhet? Atij i mjafton t’i thotë: ‘Bëhu! Dhe ajo bëhet.’ Ai është Krijuesi i Plotfuqishëm i gjithçkaje.”

Zekerijas (a.s.) iu mbush zemra me dashuri, falënderim e mirënjohje për Zotin. Iu lut Zotit sërish t’i jepte një shenjë.

“Shenja për ty do të jetë kjo: Për tre ditë nuk do mundesh të flasësh dot asnjë fjalë. Me njerëzit do merresh vesh veç me shenja.”

Kur të ndodhte kjo gjë, pra, kur shëndoshë e mirë dhe pa asnjë shkak nuk do arrinte të fliste dot me njerëzit, do të kuptonte se gruaja e tij do të ishte shtatzënë. Kjo ishte një mrekulli që Zoti po ia dhuronte atij, ndaj, pikërisht atë ditë, ai do të dilte para njerëzve dhe qoftë edhe me shenja, do t’i thoshte t’i luteshin e ta falënderonin Atë sa më shumë.

Sërish një mëngjes, Zekerija (a.s.) doli para njerëzve dhe u përgatit për ritualin e tij të përditshëm. Deshi të fliste, të predikonte, por ishte e pamundur. Atëherë e kuptoi se mrekullia hyjnore kishte ndodhur. Megjithatë, me shenja e me duar, i ftoi gjithë njerëzit të adhuronin Zotin e t’i luteshin Atij çdo çast. Ai vetë, me gjithë zemër po i lutej e po e falënderonte Zotin thellësisht. Lumturia e tij ishte pafund, sepse i paralajmëruari Jahja po lindte.

Për herë të parë fëmija po lindte me emër. Me një emër që ia kishte vënë Zoti i botëve. Një fëmijë që ishte paralajmëruar se do të bëhej një profet i madh, njeri i urtë, i ndershëm e i ditur. Zekerija qante ndërsa falënderonte Zotin dhe lotët i rridhnin rrëke mbi mjekrën e bardhë.

Koha e lindjes së Jahjas ishte afruar. Në Palestinë kishte ardhur pranvera. Malet ishin gjelbëruar, qielli ishte kthjelltësuar. Hëna dukej sikur lante me dritën e saj të argjendtë fushat, shtëpitë e gjithçka. Trëndafilat kishin çelur, lulet e portokallit kishin lulëzuar dhe një aromë e mrekullueshme përhapej gjithandej. Një fllad i ëmbël, i shoqëruar me këngët e gëzueshme të zogjve, sikur pëshpëriste mrekullinë e këtyre bukurive në veshin e çdo krijese.

Atë ditë lindi Jahja. Lindja e tij ishte vërtet një mrekulli, sepse tashmë prindërit e tij i kishin prerë shpresat për fëmijë. Pas shumë viteve, një sihariq i jashtëzakonshëm kishte mbushur e qetësuar zemrën e Zekerijas dhe ja, Jahja kishte lindur. Në mes të përkushtimit, por edhe shthurjes, në mes të besimit, por edhe të mohimit, në një shekull ku e mira me të keqen rrinin pranë e pranë.

Simboli i nderit dhe dëlirësisë i asaj kohe ishte Merjemi. Në dhomëzën e saj të vogël, të mbushur me aromë të këndshme e të veçuar nga bota e jashtme, ajo falej pa ndërprerje e lutej nga shpirti, duke ndriçuar edhe më fort botën e saj të bukur. Faltorja mbushej me njerëz të mirë e besimtarë, ndërsa jashtë, rrugët ishin plot me mashtrime, hile e imoralitete.

Periudha kur jetoi profeti Zekerija (a.s.), ishte një kohë kur Palestina vlonte nga grindjet e keqkuptimet. Njerëzit mendonin vetëm për vete, për interesin e pozitën e vet, duke mos marrë parasysh asgjë e duke shtypur më të dobëtit pa dhimbje. Nën petkun e fesë, shumica e predikuesve të Izraelitëve robëronte e shfrytëzonte besimtarët, ndërsa pas krahëve të tyre bënte marrëveshje të fshehta me Romën e me sunduesit e saj mizorë, për të rritur sadopak pozitën e pasurinë e vet. Zekerija i refuzonte hapur këto sjellje të tyre dhe mundohej t’ua sqaronte njerëzve në faltore, me qëllim që ata të distancoheshin. Gjatë gjithë jetës së tij, Zekerija (a.s.) kundërshtoi dhe luftoi me padrejtësitë dhe me të këqijtë. Në të gjithë ligjëratat e tij foli pa frikë dhe u shpjegoi njerëzve të këqijat e mëkateve dhe të shthurjes. Por pa dyshim që sjellja e tij, këshillat e tij bindëse dhe argumentet e sakta që u parashtronte njerëzve, ishin në kundërshtim me interesat e vatrave që mbanin pushtetin në dorë. Por sjellja shembullore e profetit ia kishte pushtuar zemrën njerëzve dhe ata e donin shumë, fjalët e tij i kishin ligj dhe këshilloheshin me të për gjithçka. Gjithë kjo, e kishte ndryshuar goxha rrjedhën e jetës në vend, gjë që nuk i pëlqente aspak të fortëve. Prandaj ata vendosën me çdo kusht ta poshtëronin profetin në sy të njerëzve, kështu do ta kishin me të lehtë ta asgjësonin edhe atë, edhe ndikimin e tij mbi njerëzit.

Për të hedhur baltë mbi personalitetin e profetit Zekerija, bijtë e Izraelit përgatitën një shpifje shumë të shëmtuar për të dhe u munduan ta përhapnin në gjithë vendin. Pastaj duke e përdorur këtë, do përgatitnin edhe dënimin për profetin, sepse rruga e tij ishte krejt e ndryshme nga rrugët e errëta të parisë, të poseduesve të pushtetit e pasurisë, të rabinëve që përdornin fenë e Teuratin për interesat e veta. Rruga e tij ishte rruga e ndritur e Zotit. Por nuk ishte hera e parë që Izraelët vendosnin të vrisnin profetin e vet. Nuk do ishte as e fundit.

Lindja e mrekullueshme e Isait prej Merjemit të virgjër, ishte një ngjarje që të paudhët do e përdornin për interesin e vet, duke thënë se Merjemi kishte pasur lidhje me Zekerijan dhe se ai ishte babai i Isait. Megjithë përpjekjet pa ndërprerje e me argumentet e forta të Zekerijas, Izraelët nuk hoqën dorë nga shpifja e tyre dhe mizorisht goditën për vdekje profetin e madh. Ndërsa shpirti i Zekerijas i drejtohej xhenetit, historia njollosej edhe njëherë nga duart e përgjakura të mëkatarëve.

Pas kësaj, nxënësit e profetit e morën trupin e tij të bekuar dhe e çuan në Halep, ku edhe e varrosën.

Fëmijëria e Jahjas kaloi krejt e ndryshme nga ajo e fëmijëve të tjerë. Sa herë që vinin fëmijët e tjerë për ta ftuar në lojë apo dëfrime të ndryshme, ai u përgjigjej se kishte gjëra më të vlefshme për të bërë, se nuk ishte krijuar vetëm për lojë. Ndërsa moshatarët e vet e shpenzonin rininë e bukurinë e moshës me vese të këqija e me dëfrime pa vlerë, ai ruante me devotshmëri ndershmërinë e pastërtinë e karakterit të tij. Shumica e moshatarëve të tij mblidhnin kafshë të ndryshme veç e veç për t’i torturuar e për t’i përdorur për lojëra të ndryshme, kurse ai sa herë që shihte ndonjë kafshë të uritur a të sëmurë, e merrte me vete dhe përkujdesej për të me dhembshuri. Madje kishte raste që për vete rrinte pa ngrënë duke ushqyer gjithë kafshët e gjora që shihte nëpër rrugë, aq sa detyrohej të shtypte urinë me fruta a barishte të egra.

Sa më shumë rritej, aq më shumë rritej edhe shkëlqimi i fytyrës së tij, aq më shumë i mbushej zemra me përkushtim ndaj Krijuesit, aq më fort i shtohej dituria e adhurimi.

Që në moshë shumë të vogël ai ishte tepër i dhënë pas të mësuarit e pas dijes. Kur u rrit e arriti pjekurinë, Zoti i tha; “Shtrëngoje Librin me gjithë fuqinë, o Jahja!”, pastaj i mësoi atij shumë gjëra, dhe e pa të denjë për një shpirt të madh, të mrekullueshëm, plot me dashuri. Tashmë edhe ai i ishte bashkuar konstelacionit të profetëve. Në faltoren e tij në Jerusalem, mbante ligjërata nga më të bukurat e më të sinqertat, duke këshilluar njerëzit në formën më të shkëlqyer. Që në moshë të vogël, Jahja kishte një aftësi të mrekullueshme për të zgjidhur në mënyrë shumë bindëse çështje e mosmarrëveshje të ndryshme mes njerëzve. Gjithashtu ishte shumë i aftë për t’i sqaruar ata në çështje të ndërlikuara të besimit dhe për t’i këshilluar me saktësi për rrugën e drejtë.

Sa më shumë rridhte koha, aq më fort thellohej oqeani i dijes së profetit Jahja (a.s.), bir i profetit dëshmor Zekerija. Dashuria që ushqente në shpirt ishte e mjaftueshme të mbështillte gjithë ekzistencën.

Profeti Jahja (a.s.) nuk u martua asnjëherë. Gjithë jetën ia kushtoi adhurimit e rrugës së Zotit, gjithë kohën e kaloi duke u mësuar njerëzve besimin e adhurimin. Jeta e tij kaloi sa në Palestinë, në Siri dhe në Jordani, duke ftuar pa pushim njerëzit të adhuronin Zotin e vetëm, të hiqnin dorë nga besimet pa themel e të përgatiteshin për Ditën e Gjykimit. Luginat e Palestinës jehonin me zërin e tij, malet e Sirisë gjenin jetë me frymën e tij që kumbonte shpalljen. Majat e Jordanisë përcillnin ftesën e tij drejt shkretëtirave paanë.

Profeti Jahja (a.s.) braktisi qytetin dhe nisi të jetonte një jetë prej eremiti nëpër male e shkretëtira. Mbi trup mbante rroba të leshta. Ushqimi i tij ishin gjethet e barishtet që gjente përreth, etjen e shuante me ujin e lumit. Thërriste pa pushim njerëzit t’i afroheshin Zotit, se dita kur do dëshmohej gjithçka nuk do ishte aspak e largët. I ftonte ata të pendoheshin për mëkatet e të ruheshin prej tyre, sepse kjo ishte rruga e drejtë. Zëri i tij jehonte, gjithë ata që e dëgjuan thirrjen e tij, vrapuan ta dëgjonin nga afër fjalën e tij. Moria e njerëzve që vinte ta dëgjonin ishte aq e madhe, sa ai u vendos në brigjet e lumit Jordan.

Vendi ishte Magtash. Ai vend ku Jahja ftonte njerëzit të pastroheshin prej mëkateve, lumi i Jordanit. Pasi lante me ujin e lumit trupin e njerëzve që vinin të pendoheshin, profeti Jahja (a.s.) i këshillonte ata të pastronin dhe shpirtin me lotë e me përkushtim. Me mijëra njerëz që vinin nga Jerusalemi, Eriha, Siria e nga anë e anës, u pastruan me duart e lumturuara të Jahjas (a.s.), e mbushën shpirtin me fjalët e tij. Edhe malet, edhe shushurima e lumit e ruajtën si një legjendë historinë e Jahjas.

Dashuria e paanë e Jahjas kishte bërë fronin e vet në zemrat e gjithë njerëzve. Sapo i dëgjonin zërin, njerëzit vraponin t’i përgjigjeshin ftesës së tij. Ndonjëherë Jahja flinte i uritur, pasi ua kishte dhënë gjithë ushqimin e vet kafshëve që i rrinin afër, por kjo nuk ishte aspak e rëndësishme për të, sepse urinë shpirtërore e shuante me adhurim, falje e lutje, ndaj urinë fizike as që e ndiente ndopak. Netë të tëra nuk flinte fare, por e kalonte gjithë kohën duke përmendur dashurinë e tij më të zjarrtë, për Zotin, e duke i shprehur Atij adhurimet pa fund mes lotëve, përkujtimit e falënderimit. Sinqeriteti e dashuria që shprehnin fjalët e tij ndërsa u shpjegonte Zotin njerëzve, ishin aq prekëse, aq të dëlira, sa menjëherë atyre u zbutej zemra e u rridhnin lotë. Fjalët e tij të sinqerta ishin një thirrje e shpirtit të tij plot dashuri.

Një mëngjes, sapo mësuan se profeti Jahja (a.s.) do mbante një fjalim në faltore, njerëzit vrapuan të dëgjonin fjalët e tij. Faltorja ishte mbushur plot. Jahja filloi fjalën:

  • Zoti i Lartë na urdhëroi këto pesë gjëra:

 “Adhurojeni Zotin e mos i bëni shok! Ai që i bën Zotit shok e që adhuron dikë tjetër, është si skllavi që nuk punon për të zotin, por për një tjetër. Kush e lejon skllavin të veprojë kështu?”

 “Faluni, sepse Zoti i sheh njerëzit që falen. Lutjet tuaja të jenë të sinqerta e me përkushtim.”

 “Agjëroni, sepse ai që agjëron përhap aromë trëndafili kudo që shkon, sikur të kishte esencë me vete.”

 “Jepni ndihmë dhe pjesën që iu takon mbi pasurinë tuaj (zekatin). Mendoni një njeri që ka rënë rob te armiqtë e tij. Pikërisht kur ata duan ta vrasin, ai iu fal atyre gjithë pasurinë që ka. Si rrjedhojë, ata e lënë të lirë. Ja, kështu edhe njeriu që është bujar e shpërndan nga pasuria e tij, shpëton nga robëria e mëkateve.”

 “Përmendeni shpesh Zotin, të Lartin! Edhe këtu kini parasysh një njeri që e ndjekin armiqtë dhe ai, për të mos rënë në dorë të tyre, vrapon e mbrohet në një fortesë të qëndrueshme e të fortë. Ja, më e pathyeshmja e mburojave është të përmendurit e Zotit. Dhe nuk ka shpëtim e mbrojtje tjetër veç kësaj.”

Pasi mbaroi fjalën, profeti Jahja zbriti nga ballkoni dhe u kthye sërish në shkretëtirë. Shkretëtira ishte pa anë e fund, dunat e rërës shtriheshin sa gjatë e gjerë, derisa bashkoheshin në horizont. Nuk dukej as nuk ndihej asgjë tjetër, veç erës e hapave të egërsirave që rendnin diku tej. Shkretëtira ishte vendi më i preferuar i Jahjas, ku lutej, falej e meditonte mes lotëve që i dilnin nga shpirti i mbushur me dashuri për Zotin.

Kështjella e ndërtuar si një fole shqiponjash në majën e thepisur të malit Makirus në Jordani, do dëshmonte një prej ngjarjeve më të turpshme e më barbare të historisë. Ata që jetuan aty, do linin një njollë të pashlyeshme në kujtesën e njerëzimit.

As Herodosi, që ishte guvernatori i Palestinës, as paria romake dhe as disa rabinë hebrenj nuk ishin të kënaqur nga ndikimi i madh që kishte thirrja nga shkretëtira e profetit te njerëzit. Ajo thirrje i ftonte njerëzit të adhuronin një Zot të vetëm, i mësonte barazinë, dhembshurinë, dashurinë dhe të drejtat e veta. U tregonte si të jetonin së bashku në paqe e mirëkuptim, duke u marrë vesh e duke e ndihmuar njëri-tjetrin. Herodosi e shihte si një kërcënim serioz për pushtetin e tij këtë njeri, që ishte bërë qendra e ndjenjave dhe e ndikimit te njerëzit, prandaj dha urdhër që ta kapnin e ta fusnin në qeli sa më parë.

Profetin Jahja (a.s.) e ndrynë pikërisht në një prej qelive të kalasë së Makirusit, ku mbi shkëmbinjtë e thepisur nuk shihej veç Deti i Vdekur, e ndonjëherë, tej në horizont, vargmalet e largëta e të mjegullta. Për të parandaluar zemërimin e njerëzve që e donin aq shumë, lejuan që të vizitohej në qeli nga nxënësit e të afërmit.

Në fakt, Herodosi e linçonte veten para popullit si një besimtar hebre i devotshëm, por, në fakt, nuk ngurronte aspak të bënte ato çka besimi ia ndalonte. Aq sa një ditë, kur kishte shkuar për vizitë në Romë, grabiti dhe mori me vete gruan e të vëllait, Herodian, si dhe vajzën e saj, Salomin dhe bashkë me ta u kthye në Palestinë. Pa kaluar shumë, me gjithë reagimin e njerëzve e të klerikëve, vendosi të martohej me Salomin, e cila njëkohësisht ishte edhe e mbesa. Ajo ishte një grua e etur për pushtet e për pasuri, prandaj i vlente shumë një martesë e tillë. Për të mos rënë shumë në sy të popullit me mënyrën e shthurur të jetesës, ata vendosën ta kalonin më të shumtën e kohës në kështjellën e Makirusit, aty ku syri i njerëzve nuk i shihte dot. Kështu, kështjella e Makirusit ishte njëkohësisht vendi i dëfrimeve pa fré, por edhe vendi i qelive të tmerrshme e i dhembjes pa fund.

Një ditë, Herodosi urdhëroi Jahjan të vinte. E sollën me zinxhirë në këmbë e me pranga në duar. Atëherë Herodosi i kërkoi që ta shpallte të ligjshme kurorën e tij me Salomin. Përgjigja e profetit sypatrembur ishte e thjeshtë dhe e qartë:

“Kjo grua është edhe mbesa jote, prandaj ndahu menjëherë prej saj, se ajo nuk është e lejuar për ty!”

Herodosit iu mpi gjuha. Serioziteti dhe drita që e rrethonte Jahjan, i kallte datën. Urdhëroi menjëherë ta largonin Jahjan prej atje. Kurse Salomit i lexohej inati prej syve që i flakëronin. “Pritja kokën menjëherë këtij njeriu!”, i tha të shoqit, por Herodosi edhe pse e dëshironte shumë diç të tillë, i druhej zemërimit të popullit.

Që nga ajo ditë, Salomit nuk i punonte mendja për gjë tjetër, vetëm si e si ta hiqte qafe atë njeri që kishte guxuar ta poshtëronte. Planet për t’ia arritur kësaj gjëje kishte nisur t’i endte me kohë.

Një natë, Herodosi kishte ditëlindjen. Gjithë kështjella ishte ndriçuar e ishte përgatitur për dëfrim. Herodosi kërkoi që vajza e Herodias, Salomi, të vallëzonte për të. Fama e Salomit për vallëzime kishte marrë dhenë me kohë. Por Salomi përkëdhelej. Nuk pranonte të kërcente për Herodosin pa shpërblim. Atëherë ai u betua se do t’i plotësonte asaj çfarëdolloj dëshire që kishte. Salomi vallëzoi sa deshi dhe Herodosi u kënaq. “Kërko çfarë të duash, vajzë e bukur!”

Salomi pa nga e ëma, qeshi. “E di ç’dua? Dua të më sjellësh në një tepsi të artë… kokën e Jahjas!”

“Oh, jo. Të lutem. Kërko çfarë të duash, vetëm këtë jo!”, tha Herodosi i frikësuar. Por prijësit romakë e klerikët hebrenj që mbushnin sallonin menjëherë i kujtuan Herodosit premtimin e bërë. Herodosi po dridhej. E kishte kapluar frika të tërin. Por krenaria e mendjemadhësia shpejt e mundën frikën dhe Herodosi dha urdhrin që do i kënaqte miqtë e që do vinte në vend pozitën e tij…

Pas pak, mbi gurët e kalasë se Makirusit, rridhte gjaku i një të pafajshmi, i një profeti. Ndërsa shpirti i Jahjas (a.s.) drejtohej drejt të Lartësuarit, historia shënonte një tjetër krim të Izraelëve. Ashtu sikur kishin vepruar me të atin, Zekerijan, duke e vrarë pa asnjë faj, ashtu vepruan edhe me të birin, duke e lënë sërish njerëzimin pa udhëheqësin e kohës, profetin, udhërrëfyesin e vet.

Pas krimit, nxënësit e pasuesit e tij, morën trupin e Jahjas dhe e çuan në Damask, ku edhe e varrosën.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: