Porfeti Jakub (s.a.) dhe Profeti Jusuf (s.a.)

PROFETI JUSUF (A.S.)

Profeti Jakub (a.s.), biri i Is’hakut të nderuar, kishte dymbëdhjetë djem. Ndërsa të mëdhenjtë ishin me një nënë tjetër, Jusufi dhe Beniamini, që ishin më të vegjlit, ishin me një nënë tjetër. Më i miri, më i dashuri, më i urti, më i dëgjueshmi, ishte Jusufi. Ishte e pamundur që të shihje atë fytyrë të mrekullueshme dhe atë sjellje të jashtëzakonshme e të mos e doje fort. Por vëllezërit e tjerë ishin shumë xhelozë për të. Nuk e donin aspak dhe e kishin shumë zili edhe atë, edhe dashurinë që kishin njerëzit për të.

Një ditë vendosën ta hiqnin qafe dhe përgatitën një plan. Qëllimi ishte i qartë, Jusufi duhej zhdukur. Dhe ndërsa vëllezërit bënin plane si do zhduknin Jusufin, ai, në dhomën ngjitur flinte i qetë e shihte ëndrra plot kuptim, që sinjifikonin të ardhmen e tij të ndritur. Sikur dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje ishin përkulur para tij me një nderim e respekt të thellë.

Sapo u zgjua, vrapoi te i ati t’i shpjegonte ëndrrën e tij të çuditshme. Jakubi ishte një profet i nderuar, me dituri prej nga më të ndryshmeve. Ai e kuptonte shumë mirë gjuhën e ëndrrave. Për të, ajo ëndërr e Jusufit ishte shumë domethënëse dhe fare e qartë. Dielli me hënën sinjifikonin atë vetë me të shoqen, kurse njëmbëdhjetë yjet, bijtë e tij të tjerë. Që të gjithë së bashku nderonin Jusufin. Kjo ëndërr dhe shpjegimi i saj nuk do u pëlqente aspak vëllezërve të tjerë, prandaj Jakubi (a.s.) e porositi disa herë Jusufin që të mos ua zinte ëndrrën me gojë atyre, përndryshe do të bëhej shkak për të nxitur mërinë e zilinë e tyre.

Por planet e vëllezërve kishin përfunduar tashmë. Të gjithë së bashku shkuan te i ati e me zë të përvajshëm e pamje të fyer i thanë:

“Pse nuk e lë edhe Jusufin të vijë me ne kur shkojmë për të luajtur? Apo nuk ke besim te ne? Po të betohemi se do ta ruajmë si sytë e ballit, do ta mbrojmë nga çdo e keqe. Prandaj lejoje dhe atë të vijë me ne, të lozë e të dëfrejë dhe ai e të hajë fruta të mira e të freskëta.”

Profeti Jakub (a.s.) e ndiente se ata diç po i fshihnin.

“Jo, jo, se bëhem shumë merak e më ngel mendja. Pastaj ju harroheni në lojë, vjen ndonjë kafshë e egër dhe e copëton.”

Të gjithë e kundërshtuan njëzëri.

“E pamundur, baba! Ne jemi njëmbëdhjetë vetë. Cila kafshë mund t’i bëjë keq kur është me ne? Po të premtojmë, do ta ruajmë si sytë e ballit. Mos u merakos aspak!”

Ata këmbëngulën aq shumë, sa profeti Jakub u dorëzua dhe i lejoi ta merrnin me vete Jusufin. Së bashku u nisën për rrugë. Synimi i tyre ishte ta hidhnin Jusufin në pus e të shpëtonin njëherë e mirë prej tij.

Jusufi (a.s.) dridhej nga frika dhe sytë i kishte gjithë lot, kur ata e lëshuan në një pus pa u prekur aspak. Pastaj therën një qengj dhe me gjakun e tij ngjyen këmishën e Jusufit.

Në darkë, u kthyen në shtëpi gjoja në mes të pikëllimit dhe shkuan pranë të atit duke qarë

– Ku e kam Jusufin? – u trondit Jakubi.

“Ah, baba i dashur! Të shkretët ne ç’na gjeti! Ne po bënim gara vrapi, si përditë, kurse Jusufin e lamë te rrobat që të mos lodhej. U kthyem shumë shpejt, po ç’të shihnim! Jusufin e gjorë e kishte copëtuar një ujk. E dimë se sado të të betohemi se kështu ndodhi, ti nuk do të na besosh, por nuk ishte faji ynë!”

Jakubi (a.s.) mori me duart që i dridheshin këmishën e Jusufit. Vërtet që ishte gjithë gjak, po nuk kishte asnjë gjurmë grisjeje.

“Çfarë ujku paska qenë ky që nuk e paska prekur këmishën as me dhëmbë, as me kthetra! Unë e di që kjo juaja është një lojë e shëmtuar. Po s’kam ç’të bëj përveçse të duroj e të pres që mëshira e ndihma e Zotit të arrijë e të më lehtësojë. Nuk kam mbështetje tjetër veç Tij në këtë gjëmë që më ka gjetur.”

Jakubi nuk e kishte harruar ëndrrën e Jusufit! Ai e dinte shumë mirë se i biri nuk kishte vdekur, por s’kishte ç’të bënte! Pas kësaj dite ai do mbyllte gojën, do shtrëngonte dhëmbët dhe do bëhej shembull për njerëzit me durimin, mallin e dhembjen e tij.

Ndërkohë Jusufi (a.s.) ishte ulur në fund të pusit të errët dhe priste me ankth ç’do ndodhte me fatin e tij.

Atëkohë andej kalon një karvan. Udhërrëfyesi merr dy burra dhe shkon drejt pusit për të mbushur ujë. Hodhën kovën, pa e ditur nëse kishte ujë apo jo. Jusufi pa kovën dhe u kap pas litarit të saj. Kur panë se kova u rëndua, burrat e tërhoqën lart. Por kur kova arriti në grykë të pusit, u shtangën.

“Një fëmijë! O zot, sa i bukur qenka!”

Ç’punë kishte një fëmijë në fund të pusit? Kush ta kishte braktisur aty? A thua kishte rënë, apo e kishin hedhur? Tashmë djalin e kishin ata në dorë dhe mund të fitonin para të madhe prej tij. Duhet ta shisnin menjëherë, pa e gjetur njerëzit e vet. E fshehën Jusufin mes mallrave të karvanit dhe vazhduan rrugën. Itinerarin e kishin për në Egjipt.

Udhëtarët, kur panë sjelljen dhe fisnikërinë e Jusufit, menduan se ai patjetër do ishte princ a diçka e tillë. Po të ishte i tillë, prindërit e tij do kishin dërguar rojet e lajmëtarët e tyre anekënd dhe ishte e rrezikshme ta mbanin më gjatë. Vendosën ta shisnin fëmijën sa më parë dhe e çuan Jusufin e bukur në tregun e skllevërve. Atëkohë, në treg po shëtiste guvernatori i mbretit. Kur pa Jusufin, u shtang prej bukurisë së tij dhe menjëherë pyeti për çmimin. Të trembur se mos do i gjente ndonjë i afërm i fëmijës, tregtarët i dhanë një çmim aspak të shtrenjtë.

Jusufi (a.s.) e kishte lënë fatin e vet në dorë të Zotit. Ai ishte një djalosh me shumë besim dhe nuk e kishte harruar aspak ëndrrën që kishte parë. Ishte i bindur se Zoti (xh.sh.) do vendoste më të mirën për të!

Kushdo që e shihte Jusufin, ngelej pa mend para bukurisë së tij. Por dashuria që ndjenin njerëzit menjëherë për Jusufin nuk kishte shkak vetëm bukurinë fizike. Sjellja, edukata e mënyra e tij e të folurit magjepsnin këdo. Prandaj dhe guvernatorit i kishte pëlqyer shumë Jusufi. E solli në shtëpi dhe thirri të shoqen.

–     Shiko, e dashur, një fëmijë si yll! Kujdesu ti për të, vishi rrobat më të bukura, jepi ushqimet më të mira. Dua ta mbajmë këtu, ta rrisim. Pastaj, kur të rritet, në qoftë se na pëlqen sjellja e tij, e bëjmë bir për shpirt.

Në pallatin e guvernatorit Jusufin e priste një jetë krejt e re. Nuk i mungonte asgjë, të gjithë e donin dhe kujdeseshin shumë për të. Ndërsa koha kalonte, guvernatori e kuptonte më mirë se Jusufi kishte qenë një fat i madh për të. Nuk kishte njohur asnjëherë njeri më besnik, më të drejtë, më trim, bujar e të ndershëm se atë. Pas pak kohësh, ia dorëzoi atij gjithë administrimin e pallatit dhe sillej me të sikur ta kishte bir të vërtetë.

Kaluan vite. Jusufi (a.s.) u rrit e u bë djalë i pjekur. Përveç të tjerave, Zoti e kishte pajisur atë edhe me një zgjuarsi të jashtëzakonshme, me dituri e me logjikë. Po pjekuria e Jusufit (a.s.) do të sprovohej në mënyra nga më të ndryshmet. Situatat që do kalonte Jusufi, do ta kalitnin më fort karakterin e tij, do i tregonin njerëzimit se ç’vlera duhej të kishte një njeri i virtytshëm. Sprovat e ndryshme dhe situatat e vështira që hasin profetët gjatë jetës së tyre janë një shkas për t’i treguar botës shembujt piedestal të virtytit dhe humanizmit.

Padyshim që Jusufi ishte mashkulli më i bukur. Bukuria shpirtërore i pasqyrohej në fytyrë, duke ia shtuar edhe më fort nurin. Ishte krejt ndryshe nga të tjerët, ishte një mrekulli e krijimit. Sjellja, të folurit, të ecurit, fisnikëria e tij që nuk gjendej as në familjet më të fisme të Egjiptit.

Aq më tepër që ishte profet, i rritur nga një baba profet dhe nip i Ibrahimit, profetit të quajtur ndryshe mik i Zotit (halil).

Ndërkohë, gruaja e guvernatorit, një grua e re dhe shumë e bukur, Zulejha, e kishte humbur mendjen pas Jusufit (a.s.). E dashuronte marrëzisht atë dhe çdo ditë punonte nga një rreng të ri për t’ia prishur mendjen. Por Jusufi, simboli i besnikërisë, i ishte ruajtur gjithmonë rrengjeve të saj, duke menduar edhe nderin e vet, edhe nderin e guvernatorit. Por e gjitha kjo po e vështirësonte jetën e Jusufit (a.s.) në pallat çdo ditë e më shumë.

Një ditë, pasi u stolis e u zbukurua, Zulejha thirri Jusufin në dhomën e saj. Jusufi ishte i detyruar t’i bindej dhe hyri në dhomë me sytë përdhé. Zulejha kishte mbyllur gjithë dyert e dritaret dhe me fjalë e vështrime joshëse, ftonte hapur Jusufin në mëkat. Po ai njeri i pastër e i moralshëm i ruhej mëkatit si zjarrit. U tërhoq vrullshëm:

–     Gjithë jetën Zoti më ka dhënë veç gjëra të mira. Po ashtu dhe yt shoq, guvernatori, veç mirë më ka bërë. Prandaj unë nuk e pres në besë as Zotin, as guvernatorin.

Kjo sjellje e zemëroi së tepërmi Zulejhën, që iu kthye gjithë vrull. Megjithëse Jusufi po mundohej me gjithë forcë të hapte derën e mbyllur, ajo e kishte kapur nga këmisha mbrapa e nuk e lëshonte, derisa këmisha u gris.

Pikërisht, atë moment, dera u hap nga jashtë. Në këmbë, përballë tyre ishte guvernatori bashkë me një mikun e tij, që ishte edhe i afërm i Zulejhas. Jusufi, me sytë përdhé, dridhej nga turpi. Kurse gruaja ishte flakë e kuqe në fytyrë. Pa i lënë kohë guvernatorit të thoshte ndonjë fjalë, ajo u hodh:

“Si e ke dënimin për këtë njeri që u mundua t’i bënte keq gruas tënde? Tradhtia dënohet. Ose hidhe në burg, ose torturoje derisa të zërë mend!”

“Unë i druhem Zotit të mëkatoj”, belbëzoi Jusufi.

Kur pa se situata ishte e koklavitur, pyetën mikun e guvernatorit, që ishte një njeri i urtë e i shquar për pjekuri në gjykim, aq më tepër që ishte nga anë e gruas.

“Nëse Jusufi e ka këmishën të grisur nga para, gruaja thotë të drejtën. Nëse e grisura e këmishës është prapa, atëherë ajo gënjen dhe Jusufi thotë të vërtetën.”

Së bashku kontrolluan këmishën e Jusufit. E grisura nga pas vërtetonte fjalët e Jusufit. Guvernatori i nxehur iu zemërua të shoqes, kurse Jusufit iu lut ta fshihte këtë ngjarje. Shoqëria e Egjiptit të atëhershëm kishte norma morale shumë të çuditshme, aq më tepër që guvernatori e donte shumë gruan e tij, prandaj preferoi ta mbyllte çështjen në këtë mënyrë. Por pa kaluar shumë kohë, gratë e tjera në pallat dhe shërbëtorët e morën vesh ç’kishte ngjarë dhe të gjithë flisnin për gruan e guvernatorit që kishte rënë keq në dashuri me Jusufin.

Këto fjalë që fliteshin lart e poshtë, e irrituan gruan e bukur të guvernatorit. Një ditë ajo ftoi mikeshat e saj dhe shtroi një gosti të madhe. Me këtë donte të gjente rastin t’u tregonte Jusufin grave të parisë, atyre që e diskutonin dhe e kritikonin pa përtuar kudo. Pa ta shihnin njëherë Jusufin, e pastaj të mendonin ç’do kishin bërë po të ishin në vend të saj!

Pas darkës, në tryezë u shtruan frutat. Zonjat morën thikat në duar dhe nisën të prisnin mollët gjithë delikatesë. Pikërisht atëherë, gruaja e guvernatorit thirri Jusufin. Sapo hyri ai, në sallë ra heshtja. Zonjat ishin mahnitur pas bukurisë së tij aq fort sa nuk gjenin ç’të thonin.

Të gurëzuara nga stepja, zonjat, në vend që të prisnin mollët, prenë duart e tyre. Dhe as që e kishin mendjen, se Jusufi ua kishte marrë mendjen të gjithave.

“O Zot! Ky s’mund të jetë njeri!”

“S’kam parë ndonjëherë një mrekulli të tillë”, dëgjohej pëshpërima e grave në sallon.

Jusufi i skuqur prej turpit, rrinte me sytë përdhé duke pritur me edukatë se ç’do i kërkonin. Gratë erdhën në vete vetëm kur zonja e shtëpisë u zgjati peceta për të fshirë gjakun prej gishtërinjve copë.

–     Po tani? – pyeti gjithë naze gruaja e bukur e vezirit. Tani që e patë me sytë tuaj, tani çfarë do thoni për mua? Ju që talleshit aq shumë?

Të gjitha gratë ulën sytë. Zulejha kishte të drejtë, bukurisë së Jusufit nuk do të mund t’i rezistonte asnjëra.

“E në qoftë se ai nuk bën si i them unë, unë vetë do ia nxij jetën. Do e kalb në qeli!”

I tmerruar, por njëkohësisht edhe i çuditur prej kësaj mënyre të të sjellurit, Jusufi doli jashtë. Këto gra u ngjanin kobrave, nuk merrej vesh kur të helmonin.

“O Zot! Më mirë të kalbem në qeli se të bëj atë që duan ato gra”, lutej Jusufi me vete.

Të tjera vështirësi e prisnin Jusufin (a.s.). Zonjat e pasura nuk kishin vonuar ta përhapnin ngjarjen në gjithë vendin. Disa e shtonin, disa e zbukuronin sipas qejfit të tyre. Më në fund në vend plasi skandali. Për të fashitur ngjarjen që kish marrë dhenë, paria vendosi ta fuste në burg Jusufin, megjithëse e dinin fare mirë se ai ishte i papërlyer në këtë ngjarje.

Intrigat dhe shpifjet që ishin hedhur mbi Jusufin ishin të pamendueshme për të dhe shumë larg moralit të tij të kulluar. Ai as në ëndërr nuk e kishte çuar ndërmend të mëkatonte. Por ato gra ia kishin arritur qëllimit dhe ja, Jusufi kishte përfunduar në burg.

Ishte shumë i vrarë, i fyer e i mërzitur. Por s’kishte ç’të bënte tjetër veçse të duronte e t’i nënshtrohej me bindje kaderit të vet.

Në burg Jusufin (a.s.) e prisnin ditë aspak të lehta. Por ai nuk dorëzohej lehtë. Me sjelljen e tij të shkëlqyer e me një vullnet prej profeti, ai ia arriti që shumë shpejt t’i bënte për vete të gjithë të burgosurit e tjerë e ta kthente qelinë në një shkollë të vërtetë. Ditë e natë u shpjegonte atyre Krijuesin, krijesat, gjithësinë, misteret e jetës e të vdekjes, dashurinë e mëshirën e Zotit bujar që kishte përfshirë gjithçka. Pa kaluar shumë kohë, shokët e tij të burgut nisën të besonin Zotin e vërtetë, braktisën idhujtarinë, imoralitetin, pandershmërinë dhe vendosën të bëheshin njerëz vërtet të devotshëm.

Së bashku me Jusufin në qeli ndodheshin edhe dy të rinj të tjerë. Njëri ishte kuzhinieri i mbretit, tjetri ishte përgjegjësi i kantinës së verës. Një natë, kuzhinieri sheh në ëndërr sikur një tufë me zogj i fluturonin mbi kokë dhe mundoheshin ta hanin. Po atë natë, përgjegjësi i kantinës sheh në ëndërr sikur po i shërbente prapë mbretit verë. Në të gdhirë, të dy vrapuan te Jusufi (a.s.) t’u shpjegonte ëndrrat. Ndërkohë Jusufi kishte mbledhur shokët e tjerë të burgut dhe bisedonte me ta.

“O miqtë e mi! Braktisini këto ide që nuk na sjellin asnjë të mirë. Veç besimi te Zoti mund të na e sistemojë jetën, veç atje mund të gjejmë shpëtim për Ditën e Gjykimit.”

Çdo çast shokët e tij ishin dëshmitarë të bujarisë së tij, të mirësisë e të zgjuarsisë që kishte ai. Ç’donte në burg një njeri kaq i mirë?

“Unë kam hequr dorë nga rruga e këtyre njerëzve! Nuk mund të bëja atë që më kërkohej! Nuk mund të isha aq mëkatar dhe aq i pabesë. Rruga ime është rruga e Zotit, besimi im është besimi i Jakubit, Is’hakut e Ibrahimit. Çdo e mirë që kam është një dhuratë e Zotit tim Bujar, që unë kam turp ta keqpërdor.”

Të gjithë dëgjonin me vëmendje fjalët e mençura të këtij të riu. Me sjelljen, mirësinë e urtësinë e tij, ai kishte pushtuar zemrat e tyre dhe ishte bërë mësuesi, udhërrëfyesi i tyre, që dhe burgun e kishte kthyer në shkollë.

Jusufi (a.s.) u kthye nga dy djemtë dhe pasi i dëgjoi me vëmendje, u shpjegoi ëndrrat. Kuzhinierit i tha se së shpejti do ta varnin, kurse tjetrit i tha se mbreti do ta falte e do kthehej sërish në detyrën ku kishte qenë.

Ëndrrat dolën fiks siç kishte thënë Jusufi. Kuzhinierin e varën, kurse përgjegjësi i kantinës u kthye sërish në detyrë.

Burgu i Jusufit zgjatej, po ai ishte i vendosur të mos e çonte dëm këtë kohë. Ato vite Jusufi (a.s.) zgjeroi edhe më tepër dijen e tij, forcoi e kaliti me adhurim e me meditim besimin dhe çdo mundësi për të këshilluar, ndihmuar e mësuar shokët e tij aty e vlerësoi me dashuri e me përkushtim.

Si çdo natë, pas një dite të lodhshme, mbreti kishte rënë vonë në gjumë. Normalisht ai bënte gjumë të thellë e zgjohej vonë, por atë mëngjes fërgëlloi nga shtrati ende pa zbardhur mirë. Ishte zverdhur i tëri dhe ende dridhej nën ndikimin e një ëndrre të çuditshme që kishte parë. Sikur ndodhej në breg të lumit Nil dhe po shihte shtatë lopë të shëndetshme që kullosnin. Pastaj se nga kishin dalë shtatë lopë të tjera, kockë e lëkurë, që i kishin ngrënë lopët e majme. Kishte parë edhe një kallëz gruri të gjelbër e shtatë të thara.

Nuk po i jepte dot një shpjegim kësaj ëndrre, nuk i hiqej mendja që aty. Menjëherë thirri orakujt e magjistarët e tij dhe pasi u tregoi hollësisht se ç’kishte parë në ëndërr, u kërkoi t’ia shpjegonin. Por, të paaftë për të dhënë një shpjegim të saktë, ata u përgjigjën:

“Lartmadhëri, keni qenë i lodhur e keni parë gjëra pa kuptim. Këta s’janë veçse vegime të turbullta! As mos u shqetësoni aspak!”

Në atë moment, shoku i dikurshëm i burgut i Jusufit po shërbente pijet dhe rastisi ta dëgjonte bisedën. Menjëherë ndërmend i feksi Jusufi, që i kishte shpjeguar dikur aq saktë ëndrrën e tij. I foli për të mbretit dhe ai e dërgoi menjëherë në burg, pranë Jusufit që të këshillohej me të.

– O fjalëdrejti Jusuf, shpjegoja mbretit këtë ëndërr, e me këtë rast ta kuptojnë vlerën ty e bëhet shkas të shpëtosh.

Jusufi (a.s.) u mendua:

“Shtatë vjet Egjipti do ketë begati të madhe. Tokat do tregohen bujare me njerëzit e do u ofrojnë gjithë bollëkun e tyre. Pastaj do pasojnë shtatë vite plot thatësirë. Gjithë rezervat do mbarojnë. Do jetë një periudhë shumë e vështirë, por pas tyre do vijnë prapë vitet e mbara. Prandaj shtatë vitet e begata, si populli, si shteti, duhet të sillen me shumë zotësi e të grumbullojnë rezerva që t’i kalojnë sa më lehtë vitet e thatësirës.”

Djaloshi vrapoi te mbreti e i tregoi gjithë ç’i shpjegoi Jusufi. Mbretit iu duk shumë i saktë dhe shumë i zgjuar ky shpjegim, prandaj urdhëroi që ta lironin menjëherë Jusufin e ta sillnin pranë tij.

Por Jusufi (a.s.) nuk donte të lirohej ashtu. Ai donte t’i tregonte mbretit, popullit dhe gjithkujt, se ai ishte i papërlyer, ishte pre e një intrige dhe nuk donte të jetonte me damkën e një imorali të falur nga mbreti. Jusufi ishte njeri i ndershëm, pasues i fjalës së Zotit dhe nuk mund të pranonte që njerëzit ta shihnin me sy të keq. Populli duhej ta dinte se Jusufi ishte i pafajshëm, nuk bënte vepra të pahijshme dhe se futja e tij në burg kishte qenë e padrejtë. Veç me këtë kusht Jusufi (a.s.) mund ta pranonte lirinë.

“Nuk kam si të dal pa vërtetuar pafajësinë time. Askush nuk do kishte respekt për mua! Unë nuk dua të falem, dua të vërtetohet se jam i pafajshëm. Shko te mbreti, te guvernatori, të pyesin ato gratë që kishte thirrur në gosti gruaja e guvernatorit. Le ta mësojnë saktë si është e vërteta. Zoti im e di shumë mirë që unë jam i pastër, por unë dua që ta mësojë këtë populli dhe mbreti.”

Pas kësaj, mbreti u mor vetë me hetimin e çështjes së Jusufit. Kërkoi e pyeti hollësisht derisa e vërtetoi pa asnjë dyshim se Jusufi (a.s.) ishte krejt i pafajshëm. E shpalli këtë në çdo vend dhe e nxori Jusufin nga burgu. Pastaj e ftoi pranë vetes dhe e priti me nderim e me respekt. Ndërsa bisedonte me Jusufin, mbreti vuri re se ai kishte një zgjuarsi e dije të jashtëzakonshme dhe një moral të kulluar. Mund të ishte një këshilltar ideal për të, ose një ministër a diçka e tillë në administratën mbretërore.

Ia tha mendimin e vet edhe Jusufit, i cili e priti shumë mirë. Aq më tepër që vitet e thatësirës që e prisnin vendin kishin nevojë për një administrator korrekt e largpamës. Kështu, me dëshirën e mbretit, ai u bë guvernator i financave dhe i thesarit. Me ndershmëri e përgjegjësi të madhe u vendos në krye të detyrës dhe duke vënë në punë gjithë largpamësinë e diturinë e tij prej profeti, mori masa të jashtëzakonshme për ditët në vazhdim dhe për vitet e thatësirës që i prisnin. Zoti (xh.sh.) ishte mësuesi i tij më i mirë. Ai e ndihmonte dhe e frymëzonte me udhëzime e me taktikat e duhura, në mënyrë që populli i Egjiptit ta vuante sa më pak thatësirën që e priste.

Vitet e begata kaluan shpejt dhe thatësira e madhe që i pasonte pllakosi mbi gjithë vendin. Edhe vendet përreth ishin në të njëjtin hall. Por asnjë nuk kishte arritur të merrte masat strategjike të Jusufit.

Populli kërkonte ushqim. Duart i kishin plot me para e me flori, por nuk iu vlente asgjë. Pa zgjidhje trokitën te mbreti, i cili i drejtoi për te Jusufi (a.s.).

Atëherë Jusufi hapi depot e mbushura plot e përplot me grurë e drithë në periudhën e bollëkut dhe nisi ta shiste atë me çmim të arsyeshëm. Kështu edhe populli shpëtoi nga uria, edhe thesari i shtetit u mbush e u pasurua si asnjëherë tjetër.

Atë shtet e administronte një profet. Mbreti, gjithashtu, e kishte deklaruar hapur besimin e tij te Zoti e nënshtrimin e tij. Pothuaj gjithë burrat e tjerë të shtetit ishin bërë pasues të denjë të rrugës së Jusufit.

Profeti Jusuf (a.s.), me sjelljen e moralin, me drejtësinë, ndershmërinë e aftësinë e tij të pashoq, që spikasnin edhe më fort se bukuria e tij përrallore, po u tregonte konkretisht njerëzve vlerat e virtytet që një njeri i mirë duhet të ketë. Çdokush që jetonte në Egjipt dhe çdokush që i binte rruga andej, mahniteshin para këtyre njerëzve që drejtonin me kaq drejtësi, urtësi e ndershmëri.

Ishin vite shumë të thata. Toka e plasur nga etja nuk nxirrte dot asgjë. Anekënd vendi ishte kthyer në shkretëtirë. Njerëzit i kishte mbuluar zia e bukës. Edhe tokat e Palestinës ishin çarë prej thatësirës. Nuk kishin asnjë rezervë, asnjë mundësi për të gjetur bukë. Profeti Jakub mori vesh se në Egjipt gjendej grurë. Administratori largpamës i kishte marrë masat më së miri për periudhën e thatësirës, madje kishte nisur të ndihmonte edhe vendet përreth. Thirri djemtë dhe u tha të bëheshin gati për rrugë për të shkuar në Egjipt për t’u furnizuar me drithë.

Kur arritën në Egjipt, detyrimisht shkuan pranë Jusufit, i cili i njohu menjëherë. Vëllezërit, megjithëse u stepën para bukurisë dhe madhështisë së Jusufit, nuk e njohën dot se kush ishte.

Ishin pikërisht ata vëllezër që para disa vitesh e kishin hedhur në fund të një pusi të tharë. Tani ishin përballë tij dhe prisnin që ai t’i ndihmonte.

Jusufi (a.s.) e furnizoi karvanin e tyre me gjithë të mirat. Madje nuk u mori as të holla. Kur vuri re se Beniamini, vëllai i tij i vetëm prej të njëjtës nënë dhe njëkohësisht më i dashuri, nuk ishte me ta, u merakos dhe u tha të vëllezërve se nuk do ua linte të lirë karvanin pa i sjellë dhe atë.

Duarbosh ata u kthyen te i ati në Palestinë dhe i thanë se kur i kishte pyetur guvernatori në kishin tjetër vëlla dhe ata u ishin përgjigjur po, ai nuk i kishte lejuar të merrnin asnjë gjë me vete pa e çuar dhe atë në Egjipt.

Profeti Jakub (a.s.) tashmë ishte plakur. Rrudhat e thella sikur formonin një hartë malli e vuajtjesh në fytyrën e tij. Asnjëherë një njeri i thjeshtë nuk mund t’i përjetojë ndjenjat aq thellë sa një profet. Që në krijim, Zoti (xh.sh.) atyre u ka dhënë një ndjeshmëri më të lartë se normalen. Qoftë edhe një gjethe e shkëputur nga pema mjafton për të prekur shpirtin e tyre të ndjeshëm. Vuajtjet e gjithë njerëzimit nuk janë veçse një pikë në oqeanin e dhembjes së profetëve. I prekur dhe plot trishtim, Jakubi vështroi të bijtë.

–     Po si mund t’iu besoj unë më juve pas asaj që iu ndodhi me Jusufin? Si t’ua jap edhe Beniaminin?

Me sa duket, thatësira dhe mungesat e ushqimeve ishin të papërballueshme, se më në fund Jakubi u dorëzua dhe pranoi ta dërgonte edhe djalin tjetër me ta në Egjipt.

Pas një udhëtimi të gjatë arritën pranë Jusufit së bashku me Beniaminin.

Ndërkohë Jusufi (a.s.) përgatiste plane si mund ta mbante pranë vetes vëllain e vogël, Beniaminin.

Para se t’u dorëzonte të vëllezërve karvanin e përgatitur me mallra, fshehu mes rrobave të Beniaminit kupën e argjendtë të mbretit.

Pikërisht, në kohën që vëllezërit përgatiteshin të niseshin, lajmësi thërriste se mbretit i ishte vjedhur kupa e argjendtë, prandaj asnjë karvan nuk do nisej dot pa u kontrolluar.

Rojet u afruan edhe pranë karvanit të vëllezërve të Jusufit dhe i urdhëruan edhe ata të ndalnin.

–     Po pse? Ç’kemi bërë? Për çfarë na akuzojnë? – pyetën ata të çuditur.

–     Ka humbur kupa e argjendtë e mbretit. Kush e gjen atë, ka një deve të ngarkuar si shpërblim, – u përgjigj roja.

–     Ne betohemi se nuk kemi ardhur të nxjerrim ngatërresa këtu! E as të vjedhim ndonjë gjë! Ju e dini këtë.

–     Po nëse kupa del nga rrobat e ndonjërit prej jush, ç’t’i bëjmë atëherë?

–     Merreni peng! Nëse ajo kupë del që këtej, kujt t’ia gjeni, merreni peng atë njeri!

 

Jusufi (a.s.) dha urdhër të kontrollohen rrobat e të gjithëve. Pastaj nxori kupën nga rrobat e Beniaminit. Të gjithë u stepën. Por Jusufi e kishte menduar mirë çdo gjë. Sipas ligjeve të Egjiptit, Jusufi nuk kishte të drejtë ta ndalte të vëllain, sepse ai i përkiste një shteti tjetër, por me këtë rrugë, ai mund ta ndalte të vëllain pa i thënë askush asgjë.

Vëllezërit nuk i dolën fare në mbrojtje Beniaminit.

–     Aha, ai e paska vjedhur, – thanë. – Edhe vëllai i tij më parë kështu ka bërë. Prej tij pritet!

Këto fjalë të rreme e plot ligësi e mërzitën së tepërmi Jusufin (a.s.). Por ai e fshehu pikëllimin. “Zoti e di të vërtetën”, tha me vete.

–     Vëllai i juaj do të mbetet në Egjipt, si skllavi im, – deklaroi Jusufi. – Edhe ligjet tona, edhe marrëveshja me ju, këtë kërkon.

Vëllezërit u shqetësuan :

–     Zotëri i nderuar! Ju kërkojmë falje. Ju lutem, lëreni të lirë vëllain tonë. Merrni një tjetër prej nesh, cilin të doni, po jo atë, sepse babai ynë është plak, i lodhur. Po të mos e shohë Beniaminin mes nesh kur të kthehemi, ai do shkatërrohet fare.

–     E pamundur! – tha Jusufi. Ne do të mbajmë atë që kishte kupën. Ndëshkimi është i drejtë vetëm për fajtorin. Të ndëshkoj një të pafajshëm është krim, e unë ruhem nga Zoti të mos bëj krime.

Mes lotëve e hidhërimit u kthyen në vendin e vet. Fije për pe i treguan të atit gjithë ç’u kish ndodhur.

–     Nëse nuk na beson ne, pyet të tjerët, që ishin në karvan me ne.

Po Jakubi (a.s.) u ktheu krahët duke u thënë se edhe Beniaminit i kishin bërë atë që i kishin bërë dikur Jusufit. Dhembja i ishte dyfishuar. Tani sytë e Jakubit nuk do thaheshin asnjëherë. Humbja misterioze e dy djemve e kishte hidhëruar së tepërmi. Ditë e natë veç lotë kishte në sytë e tij. Aq shumë qau, sa një ditë bota iu err e tëra, sytë nuk i panë më. Thirri të bijtë pranë vetes:

–     Nisuni menjëherë për Egjipt! – u tha. Kërkojini, gjejini, edhe Jusufin edhe Beniaminin.

Jakubi (a.s.) ishte profet. Shumë gjëra ai arrinte t’i dallonte përtej perdes së vështrimit. Ngjarjet që nga ëndrra e Jusufit e këtej nuk mund të ishin rastësi. Dituria hyjnore i thurte ngjarjet si një dantellë e imët gjersa të arrinin në qëllimet e paravendosura.

Asnjë ndodhì, asnjë ngjarje, nuk mund të ishte pa shkak, pa kuptim. Dhe perceptueshmëria e lartë e profetit e kishte marrë vesh këtë.

Bijtë e Jakubit u nisën sërish për Egjipt dhe vajtën te pallati i Jusufit.

–     I nderuar zotëri! – i thanë ata me përulje. – Ne vijmë nga larg, sofrat i kemi lënë të zbrazëta, fëmijët të uritur. Nuk kemi tashmë as mall e as pasuri. E vetmja mbështetje e jona është bujaria juaj. Kemi ardhur t’ju lutemi sërish, këtë herë për vëllain tonë të vogël. Babai ynë u sëmur, nuk e duroi dot mungesën e tij. Ju lutemi, o zotëri bujar, lejojeni vëllain tonë t’ia çojmë sërish babait tonë plak!

Jusufi (a.s.) i vështroi gjatë vëllezërit e vet. Pastaj iu përgjigj në gjuhën e tyre:

–     A e kujtoni vite më parë se si ju shtyu smira e injoranca për t’i bërë keq Jusufit?

Ata u shokuan. Ç’thoshte ky zotëri? Nga e njihte Jusufin? Po ky ishte Jusufi, dora vetë!

Një frikë e papërshkueshme i pushtoi të gjithë. A thua Jusufi tani do ta përdorte pushtetin e fuqinë e tij për t’u hakmarrë? Ata nuk e merrnin dot parasysh se ai ishte një profet dhe mëshira e tij e mbyste ndjenjën e hakmarrjes.

Jusufi (a.s.) i fali. Hoqi këmishën dhe i urdhëroi t’ia çonin menjëherë të atit. Pastaj të merrnin të ëmën e të atin e t’i sillnin menjëherë në Egjipt.

Ndërkohë që karvani mori rrugën e kthimit, Jakubi u tha atyre që kishte afër:

“Vërtet që po ndiej erën e Jusufit. Mos kujtoni se kam humbur mendjen, ju betohem për emër të Zotit.”

Njerëzve u erdhi shumë keq për Jakubin. Dhembja e tij duhet të ishte aq e madhe, sa e bënte të fliste gjepura.

Më në fund karvani arriti. Një lajmëtar vrapoi i pari dhe i zgjati profetit këmishën e Jusufit. Si e mori në dorë, profeti Jakub (a.s.) njohu menjëherë aromën e të birit. Atë aromë që nuk e kishte harruar asnjëherë. E puthi fort atë këmishë, i mori erë, ndërsa lotët i rridhnin nëpër faqe. Dhe këmisha e profetit, u bë shkak për mrekullinë. Syve të verbëruar të Jakubit u erdhi drita sërish!

Shumë shpejt u përgatitën për udhëtim dhe një tjetër karvan, tashmë me njerëz të gëzuar e shpresëplotë, iu afrua Egjiptit.

Jusufi, i emocionuar, doli t’i priste që në hyrje të Egjiptit. Malli e kishte marrë shumë. Kur karvani u duk tej, Jusufi (a.s.) vrapoi t’i dilte para. Përqafoi fort të ëmën, të atin, si dhe vëllezërit. Ishte një ditë e mrekullueshme për të gjithë. Jusufi eci bashkë me ta dhe kur arritën në pallatin e tij, uli të ëmën e të atin në fronin e vet dhe u përkul me respekt duke i puthur duart. Por ata u ngritën dhe bashkë me të vëllezërit, të cilët ishin penduar thellë për atë çka kishin sajuar dikur, u përkulën me nderim para Jusufit.

“Baba i nderuar! – tha Jusufi me sy të përlotur. – Ja ku doli dhe ëndrra e dikurshme. I lartë dhe i patëmeta është Ai Zot, që na bashkoi sot, që ju solli ju nga shkretëtira dhe na furnizoi plot mirësi.”

Jusufi çoi nëpërmend gjithë jetën e tij të vështirë, pusin, tregun e skllevërve, shpifjet e intrigat, burgun. Të gjitha këto gjëra ai i kishte përballuar me besim e me durim. Dhe ja, sot, ai ishte njeriu më i nderuar i gjithë Egjiptit. Zulejha, që dikur i kishte nxirë jetën, por që asnjëherë nuk kishte hequr dorë nga dashuria për të, pas vdekjes së guvernatorit ishte martuar me Jusufin dhe e penduar për gabimet e mëparshme, çdo ditë e më shumë thellonte besimin dhe bamirësinë.

Vëllezërit, që dikur ishin bërë pre e shejtanit dhe kishin dashur ta zhduknin fare, sot ishin njerëzit e tij më të dashur. Dhe e ëma me të atin, që kishte menduar se nuk do t’i shihte më kurrë, ja ku ishin pranë tij. Me nderimin e respektin më të thellë ishte radha e Jusufit të përkulej para Zotit të tij. Dhe me përkushtimin më të thellë ai u përkul…

Postime të ngashme