Përse Allahu e pa të nevojshme ta krijonte gjithësinë dhe përse s’e krijoi më parë atë?
Kjo pyetje ka dy anë: njëra, pse është krijuar gjithësia, tjetra pse s’është krijuar më parë.
Më së pari dua të them se ne, çdo gjë e trajtojmë nga këndvështrimi ynë dhe u japim formë mendimeve sipas tij. Për shembull, kur ne bëjmë diçka, e bëjmë pasi të kemi ndjerë nevojë për të. Andaj shpesh herë hidhemi në veprim vetëm për arsye madhore. Duke u nisur nga një ide fikse bëjmë një analogji mes nesh e Krijuesit dhe pandehim se Ai ashtu do të veprojë. E kështu, duke pritur një pyetje të tillë, duhet të mendojmë se Allahu është larg çdo mangësie dhe të mete.
Pyetjen se pse e krijoi Allahu gjithësinë, është e mundur ta trajtojmë me rrugë dialektike. Kush ndihet i shqetësuar nga krijimi i gjithësisë? A mund të më tregoni një njeri që të mos kërkojë rrugët për të hedhur farë, për të mbarështuar, për të marrë prodhim dhe për t’u bërë i lumtur duke i përdorur të gjitha mundësitë në formën më të përshtatshme? Po, ka të tillë që shfaqin pendesë pse kanë ardhur në botë si pasojë e disa kushteve shtrënguese apo e vendimeve të marra në nxitim e sipër, madje që i japin fund jetës, por këta janë një pakicë e pakonsiderueshme. Kurse çdo njeri është i mbushur plot falenderim e mirënjohje për ekzistencën e tij, për jetën e tij, për arritjet, për faktin që është njeri. Ju lutem, a është e mundur që të ankohet dikush se është i vogël dhe të tjerët e mbajnë në prehër, se në rini ndjen gjer në palcë ngazëllimin e qenies së tij, se në moshë madhore bëhet me fëmijë e krijon familje? Dhe sidomos ata që besojnë përtej… Dhe diçka tjetër, sikur njeriu të ushqente farërat e fatbardhësisë së amshuar – pikësynimi i një lumturie të vetme – s’do të bëj fjalë për ankesë; si rrjedhojë e zbulimit të çelësave të fshehtë të hyrjeve drejt lumturisë absolute, do të bëhej jashtëzakonisht shumë i lumtur.
Sigurisht, ne këto të gjitha i ndiejmë në ndërgjegjet tona dhe falenderimet plot përzemërsi ia kushtojmë vetëm Krijuesit të Gjithësisë, Individualitetit që na solli këtu.
Duke kaluar, tani, në shpjegimin e çështjes brenda realitetit të saj vetjak, duket se kjo gjithësi është stolisur me vepra arti shumëngjyrëshe, të mëdha a të vogla, të gjalla apo jo, se si, në cilësinë e një ekspozite e të një parakalimi të pafund peizazhesh, është përgatitur në atmosferën e një joshjeje që çdokënd do ta tërhiqte në bredhje e soditje pareshtura.
Këto peizazhe të bukura, këto stoli të mrekullueshme e pamje sypulitëse, ndodhitë që si një rrymë rrjedhin e shkojnë, flasin për veprim e punë, tregojnë, në atë veprim dhe punë, një dorë të aftë, të fuqishme e plot dashuri. Ne bëhemi dëshmitarë të emrave që dallgëzojnë në objektivin e një lëvizjeje të tillë dhe, si të dashuruarit plot pasion që vrapojnë me ashkun e bashkimit me të dashurën, u biem pas këtyre pamjeve sypulitëse dhe sinjaleve vezulluese dhe e gjejmë veten para një kuadri atributesh që për ne janë shenja paqartësie! Të hutuar, të lodhur e të dëshiruar me aq sa mundemi… përpiqemi të ndjekim tiparet e individualitetit përmes dritareve të hapura të zemrës e sakaq kapërcejmë vetveten. Ky udhëtim, që përparon në një atmosferë ngritjeje e lartësimi nga sendet dhe ngjarjet deri te marrëdhëniet njeri-gjithësi, vazhdon në një hapësirë shumë të gjerë gjersa të krijohen lidhjet e njeriut me kuadrin e emrave dhe atributeve të Allahut.
Dhe tani, duke thënë diçka rreth qëllimit të Krijuesit, këtë proces perceptimi dhe zbulimi ta ndjekim brenda kuptimit të një njeriu të thjeshtë.
Për shembull, le të mendojmë një artist mjeshtër në shumë drejtime, një nga të cilat është edhe dizenjatura. Me këtë mjeshtëri ai e kapërcen objektiven, ngre krye te subjektivja dhe e tregon veten me forcën e të ndërtuarit. Gjithashtu të pranojmë se ky artist, në të njëjtën kohë është një skulptor i përsosur; me pak të rëna çekiçi edhe mermerët më të fortë sikur i bën të gjallë: buzëqeshje ndër buzë, një gropëz në faqet. Me portretet e merituara shfaq një mjeshtëri më vete. Artisti ynë i duartrokitur për daltën e tij, le të rrijë e të dëgjojë edhe miratimet dhe lavdërimet e shkruara për veprat e tij skulpturore. Ne të merremi me një aftësi të tretë të tij.
Bie fjala, artisti ynë – gjeni, le të jetë, njëkohësisht, edhe një gdhendës… një gdhendës i lartë që i reflekton pishës shpirtin e artit të vet, që i jep ahut pavdekësi, që i jep gjallëri abanozit me shpirtin e artit… Duart që kuptojnë nga arti dhe artisti, le të vazhdojnë ta duartrokasin atë edhe për këtë mjeshtëri, kurse ne mjeshtërinë e tij ta shohim edhe në një drejtim tjetër.
Tani le ta mendojmë të njëjtin individualitet si një piktor të mrekullueshëm. Ku i kalon furça, le të radhiten një pas një motivet më të bukura e kombinimet më të mahnitshme e le t’i pikturojë gjërat vetëm me dy-tri penelata, ashtu që njeriun ta nxjerrë nga vetvetja… Mund të radhisim edhe shumë arte të tjera, të cilat me ndriçimin e një drejtimi të ri të aftësive të artistit tonë – gjení, të na japë mundësi që ta njohim atë më mirë.
Nëse një artist i tillë nuk e tregon veten me aftësitë e tij, ashtu siç nuk do të ishte e mundur të njihej, po ashtu nuk do të flitej për një njohje të plotë e pa të meta. Prandaj, çdo dhunti, aftësitë e fshehura në vetvete kërkon t’i shfaqë duke i veshur ekzistencës një formë të jashtme në planin shkencor. Zgjimi i përpjekjeve jetësore tek fara, pasioni dhe emocioni i spermatozoidit në grindjen për ekzistencë, hyrja në njëmijë enë, vështirësia e grimcave të lagështirës për t’u bërë shi, të gjitha këto, a nuk bëhen vallë për kënaqësinë e daljes në pah të spektaklit?
Këto, edhe tek ne, edhe tek të gjitha qeniet, janë pohimi i një dobësie, i një dëshire, i një dëshirimi që s’ia zë dot udhën, pohim që, si hijet e reflektuara nga e vërteta, jashtë saj nuk mund ta mendojmë. Sa për Artistin e vërtetë, Ai, në artet e Tij s’ka të bëjë me simptoma të tilla që pohojnë të meta. Nuk duhet të harrojmë këtë që as paraqitja e të vërtetës, as mënyra e paraqitjes prerazi nuk do të bëhen si ajo në hije.
Po, tonet e shumëllojshme e shumëngjyrëshe që mbushin krejt gjithësinë e krijuar, na e ngacmojnë dhe paralajmërojnë zemrën tonë me njoftimin e njëmijë e një emrave, me udhëzimin për njohjen e atributeve të një Individualiteti të Talentuar te çdo emër, duke ndriçuar mbi të si drita mbi një përmendore arti, po me mesazhet e atij Individualiteti të Fshehtë.
Artisti i Madh, duke na e dhënë bukurinë e vet me tërë ndriçimin e saj, rregullsinë dhe harmoninë në një mënyrë aq poetike, vullnetin dhe forcën e tij, gjer edhe te dëshirat më të fshehta të zemrës, çdo gjë, kërkon të na bëjë të njohur mëshirën dhe dhembshurinë e tij dhe, me mijëra atribute e tituj të tjerë si këto, të na bëjë të njohur vetveten, aq më tepër, të na e bëjë të njohur atë në mënyrë krejtësisht të patëmetë.
Me fjalë të tjera, Ai kërkon të tregojë cilësinë diturore me anë të dijes së Tij të gjerë, lojërat e fuqisë dhe vullnetit të hedhura në skenë veshur me forma të jashtme; duke i përshkuar më të mrekullueshmet vepra arti të tij përmes primit të njohjes se qenieve të vetëdijshme, kërkon të zgjojë, nga sipërfaqja e tokës gjer në majat qiellore, një çudi dhe mahnitje, një telash procesi njohjeje e vlerësimi.
Kjo do të thotë se mjeshtri, madje një mjeshtër Artist në mijëra shkenca, ashtu siç i tregoi talentet dhe aftësitë e tij të mrekullueshme me artet e tij, me kuptimin e tyre më të lartë, edhe Poseduesi i kësaj gjithësie, ka ndërtuar këtë pallat të shkëlqyer të universit për të treguar mjeshtërinë që e karakterizon artin e Tij…
Dhe tani le të vijmë te çështja pse s’e krijoi më parë; pikësëpari, ç’do të kuptojmë me më parë? Po qe se duam të themi kaq kohë, kaq vjet dhe pse jo më shumë, për secilin më parë që rrëshqet në një numër të pafund njësish në rrymën e kohës, do të mund të bëhej e njëjta pyetje. Për shembull, pse e krijoi një trilion vjet më parë dhe s’e krijoi njëqind trilion vjet më parë? Nuk e di, a do të ishte e mundur të gjendej ndonjë arsye e pranueshme për një pyetje dhe kundërvënie të tillë?
Po qe se me shprehjen pse nuk e krijoi më herët do të shënonim eternitetin, me fjalë të tjera, moshyrjen në rrjedhën e kohës, kjo veçori është atributi esencial i posaçëm i Individualitetit Eternal që është i Vetëqenë, si dhe atributi që përbën Domosdoshmërinë e Individualitetit. Si të thuash, Ai nuk mund t’i përkasë dikujt tjetër, askush tjetër nuk mund të zotërojë eternalitet.
Veçse, krijesat, brenda dijes së Allahut kanë ekzistencë dijeje. Po të doni le të trajtojmë atë vetëm si një gjë të kufizuar e të përcaktuar, si një plan ose projekt. Veçse është gabim t’i atribuojmë vetë krijesave eternalitet; ngacmimi i një specifike të tillë nga ne, më e pakta, do të ishte mungesë edukate ndaj Allahut.
Brenda dimensioneve tona të ngushta, edhe po të thoshim diçka për këto kufoma dhe shpirtra të veshura me një cipë të jashtme, diskutimi i specifikave të tilla të konsideruara të paperceptueshme e që i përkasin botës shpirtërore, me shprehjen më të butë, do të quhej mosnjohje e vetvetes.
Ndërsa gjithë botët e krijuara, në raport me Kursinë e Tij, janë si një unazë e hedhur dhe e mbetur në shkretëtirë, atëherë po në këtë raport është edhe Kursija ndaj Arshit të Tij të Lartë;[1] atëherë si mund ta njohë njeriu të Zotin që posedon atë Arsh madhështor, për t’u bërë interpretues i mistereve të rrethit Hyjnor?
Po, ka shumë gjëra që do t’i bëheshin vetë pasqyrë Providencës Hyjnore edhe punëve të tij të posaçme. Së pari, edhe pa ekzistuar qeniet, Ai e di vetveten, i di punët e posaçme të Tij pa ia pasur nevojën materies, në emrat e Tij sheh punët dhe ngjarjet e reja, në botën e emrave konkrete, në eter, në botën e grimcave, më në fund, në atomet dhe makrolëndën, me lojërat e emrave e di, e bën të ditur dhe ua tregon qenieve të vetëdijshme…
Një njohje e veçantë në Dijen e Tij eterne, në botën e emrave –sipas nesh- një njohje e veçantë, edhe në eter një njohje më vete shkon e vjen, kurse tek Ai nuk ndodh ndonjë ndryshim. Sepse Ai është ashtu siç shprehet Ibrahim Hakiu:
Nuk ha, nuk pi, nga shumica i veçantë është ai Allah,
Nga llojet, nga format dhe nga ndryshimi;
i pastër, sigurisht, i patëmetë; ky është Selb-i Sifatullah[2]!
Ne e shohim sot se ç’gjëra sajon dhe i hedh në skenë Ai, por nuk e dimë dhe nuk mund ta përcaktojmë se ç’ishim dje, dhe nesër si do të bëhemi. Ç’ishte dija e qenies? Ç’ishte forma e përhershme? Bota e shpirtrave -gjuha e fyellit dhe helezoniteti i nebulozave ç’pike të errët të qenies i jepnin harmoni duke e poetizuar dhe sillnin qartësim? Ashtu siç nuk i dimë të gjitha këto, kur të hedhim sytë -me jetën e nesërme shpirtërore- në fillim e në fund të kësaj enigme të madhe, do të themi: “Edhe Ty, edhe punët e Tua me të drejtë s’i njohëm dot, o Famëmadh!”[3]
Në e paça zgjatur fjalën pak, e kam zgjatur se në këto lloj çështjesh duhet të jesh i kujdesshëm, në paça gabuar, i lutem Atij të më falë.
Ai e di më të mirën e çdo gjëje!
[1] Ibn Hibban, Sahih 2/77.
[2] Selb-i Sifatullah: cilësi të Allahut që s’gjenden në asnjë nga qeniet e krijuara.
[3] Munavi, Fejdu’l Kadir 2/410.