Përmendja e Allahut, qetësim për zemrën
Jobesimtarët asnjëherë nuk gjejnë qetësi e stabilitet. Sa e sa njerëz kanë vrarë veten, sa e sa të tjerë kanë tentuar për të vrarë veten, sa gjak është derdhur kot… Të gjitha këto vijnë si rezultat i boshllëkut shpirtëror. Në të vërtetë, ilaçi është shumë pranë tyre, por ata nuk e marrin atë, ngaqë zemrat i kanë të vulosura. Zanafilla e këtij stresi fillon nga mosnjohja e të vërtetave fetare që janë; kush jam, përse kam ardhur në këtë botë, ku do të shkoj…?
A nuk e dinë jobesimtarët, se ilaçi i stresit gjendet te Kurani Fisnik dhe përmendja e Allahut. Prandaj, jeta e besimtarit është krejt ndryshe. Ai jeton i qetë dhe larg stresit e tensionit. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut! Për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira ka çdo mirësi dhe vendbanim të mrekullueshëm.” (Rrad: 28-29)
Nëse tregtia dështon, apo risku i pakësohet, besimtari gjen strehim vetëm tek Allahu i Lartësuar, sepse Ai është i Pasuri e Bujari. Atëherë përse u dashka që njeriu të vrasë veten? Përse njeriu duhet të bjerë në depresion? Allahu thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten me durim dhe namaz!” (Bekare: 45) Kjo është qetësia shpirtërore, të cilën njeriu nuk mund ta arrijë me qetësues, por duke përkujtuar Allahun (xh.sh).