Nxënësit e Ebu Hanifes

Nga Akademia e Ebu Hanifes dolën një numër i konsiderueshëm i nxënësve dhe dijetarëve shembullorë. Shumë prej tyre e përcollën gjatë tërë jetës së tij, ndërsa një numër, pasi i përvetësonin principet dhe metodat, largoheshin prej tij. Për nxënësit që e shoqëronin gjithnjë atë, Ebu Hanifja shpeshherë thoshte: “28 nxënës vlejnë për gjykatës, 6 prej tyre vlejnë për të dhënë fetva, ndërkaq dy prej tyre mund të merren me edukimin e gjykatësve dhe të myftinjve, e ata janë Ebu Jusufi dhe Zuferi.” Prej nxënësve që më së shumti meritojnë lëvdata për përhapjen e mendimeve të kësaj shkolle, pas vdekjes së Ebu Hanifes, janë: Ebu Jusufi (Jakub b. Ibrahimi), 113-182 H. dhe Muhamed b. Hasen Esh-Shejbani, 132-189H. Ky i fundit, kur vdiq Ebu Hanifja, ishte në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, ndaj edhe nuk pati rast që të mësonte më shumë prej tij, por mësimet i vazhdoi te Ebu Jusufi. Njëri ndër nxënësit më të dalluar të Ebu Hanifes ishte edhe Zufer b. Hudhejli, 110-158 H.

Imam Ebu Hanifja, kur dëshironte të nxirrte dispozitën islame për ndonjë çështje, nuk e merrte vendimin vetëm në bazë të ixhtihadit të tij, por çështjen e hidhte në diskutim dhe merrte mendimin e të gjithëve, përfshirë edhe mendimet e 40 ekspertëve që i kishte në akademinë e tij, ndërsa çështjen e  shqyrtonin nga shumë këndvështrime. Pasi i diskutonte të gjitha verdiktet (fetvatë) dhe pasi merrej vendimi përfundimtar, e urdhëronte nxënësin e tij, Ebu Jusufin, ta regjistronte fetvanë. Kjo metodologji  e veprimit akademik i nxiti disa dijetarë që të mendonin se fetvatë e kësaj shkolle janë të pagabueshme. Këtë e tregon rasti kur një dijetar në praninë e dijetarit Sufjan Thevriu, për një çështje të fikhut, tha:

– Ebu Hanifja ka gabuar!

Sufjani reagoi menjëherë dhe iu përgjigj:

– Nuk është e mundur!

I pari ndërhyri sërish dhe ia ktheu:

– Mos është i pagabueshëm ai?

Sufjani shtoi:

– Jo, ai nuk është i pagabueshëm, sepse ai kurrë nuk vendoste vetë, por në grup. Jam shumë i bindur se këtu qëndron edhe sekreti i fuqisë së kësaj shkolle edhe pse asnjë sfidë e stuhi nuk mundën ta mposhtin këtë shkollë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: