Nuk më nxenë – tha Zoti – tokë e qiej!
Ndjesitë janë një burim i tillë thesaresh ku Zoti, të cilin nuk e nxenë botët, në çdo çast bën të ndihet prania e Tij, si margaritari më i vyer. Librat, mendjet, mendimet, filozofitë, shprehjet, qielli, toka dhe tërë qënia nuk mund ta përfshijnë Allahun brenda kufijve të tyre dhe asnjërës prej këtyre nuk i mjafton fuqia për ta shprehur Atë. Janë vetëm ndjesitë, është vetëm zemra, ajo që qoftë edhe pjesërisht mund të bëhet interpretues i Tij.
Po, zemra është një gjuhë e tillë që veshët nuk kanë dëgjuar deri më sot një shprehje aq të shkëlqyer e të qartë sa shprehja e saj. E nëse është kështu, njeriu duhet të përpiqet të marrë udhë në zemrën e vet. Për ta kërkuar pikërisht te ajo atë që kërkon. Dhe duke arritur te Zoti, për të përfunduar tek Ai. Prandaj edhe e dërgoi Zoti mes nesh, hz. Muhammedin (a.s.).
Po, pati ardhur ai (a.s.) mes njerëzve për tu lexuar atyre ajetet e Allahut, për t’u shpalosur atyre pjesë pjesë mrekullitë e Tij dhe për ti mësuar njeriut vlerën e vet. Sigurisht në sajë të tij (a.s.), njerëzimi duke u pastruar nga fëlliqësitë e natyrës, do të purifikohej nga vulgaritetet trupore e të lartësohej në nivelin e formës së jetës së zemrës e të shpirtit. Ai do tu mësonte dhe praktikonte njerëzve librin dhe urtësitë kurse njerëzit duke gjetur aty veten, do të hynin në rrugën e përjetësimit.