Njeriu i besimit!

Njeriu i besimit është përfaqësuesi i cilësive më të përsosua njerëzore. Ai është hero i zemrës, i shpirtit, i ndërgjegjes dhe i arsyes. Njeriu i besimit na shfaqet me karakteristikat më të vlerësuara nga ndërgjegjja njerëzore. Besimtari i vërtetë nuk fut asgjë tjetër veç dashurisë së Allahut në zemër, por nga ana tjetër, për hatër të Zotit, ai i hap zemrën gjithë qenies.

Besimtari është falënderues ndaj Zotit me zemrën e tij, me gjuhën e tij dhe me veprat e gjymtyrëve të tij. Ai kënaqet me atë çfarë ka, përkujton Zotin e tij dhe nuk i kushton rëndësi anës materiale.

Duke u kënaqur në këtë mënyrë dhe duke shpresuar për shpërblim nga Allahu, besimtari i plotëson dëshirat e tij, zemra i rri në paqe dhe gjen qetësi. Ai nuk mërzitet nëse i ndodh diçka që nuk e pëlqen. Kështu,  tek ai ndërthuret lumturia e jetës së kësaj bote dhe lumturia e Botës Tjetër.

Ndërsa, jobesimtari nuk shpreson për ndonjë shpërblim nga Allahu dhe as nuk i frikësohet ndonjë ndëshkimi. Shpresa dhe frika e tij të vetme janë të lidhura vetëm me kërkesat e dëshirat  e kësaj bote.

Nga cilësitë e besimtarit është përulësia, kur i nënshtrohet të Vërtetës si dhe përulësia kur sillet me të tjerët. Ai është i sinqertë njerëzit, pavarësisht pozitës apo gjendjes së tyre. Ky sinqeritet gjendet në fjalët, në veprat dhe në qëllimet e tij.

Ai do për tjerët atë që do për veten e tij dhe urren për ta, atë që e urren për veten e tij.

Besimtari i vërtetë e kalon jetën të ndriçuar nga drita e Kuranit dhe e sunnetit, dhe synon devocionin dhe virtytshmërinë. Ai nuk lejon që bota e tij e brendshme të njolloset nga ndjenja e egoizmit, famës, mburrjes, pushtetit, ndjenja këto që e vrasin zemrën.

Besimtari është përherë në “luftë” me veten për të larguar nga bota e tij e brendshme urrejtjen, smirën, xhelozinë, hakmarrjen dhe çdo ngacmim djallëzor, për t’i lënë vendin ndjenjave më të pastra të besimit, dashurisë dhe çiltërsisë.

Ai natyrshëm, imponon besueshmëri tek njerëzit dhe rrezaton sigurinë e një njeriu ku mund të mbështetesh për gjithçka dhe prej të cilit çdokush mund të kërkojë ndihmë.

Besimtari i vërtetë është përfaqësuesi më i besueshëm i paqes universale. Për hir të asaj që përfaqëson ai është i detyruar të jetë simbol i sigurisë, garancisë dhe përkrahjes.

Njeriu i besimit është i gatshëm, me gjithë zemër, të bashkëpunojë me çdokënd, që është në udhë të drejtë, madje bashkëpunimin ai e konsideron si lutje për të përfituar mëshirën dhe përkrahjen hyjnore.

Njeriu i besimit është i dashuruar me Zotin dhe ndërsa dridhet nga frika se mos humbasë këtë dashuri, jeton gjithmonë me shpresën e mëshirës së pakufishme të Tij.

© URTESI.AL

Postime të ngashme