Një ditë e Profetit Muhamed (s.a.s)
Muhamedi (a.s) e ndante ditën në tri pjesë. Një pjesë të saj e vlerësonte duke adhuruar Allahun me namaz dhe lexim Kur’ani. Në një pjesë tjetër ndihmonte pjesëtarët e familjes në punët e shtëpisë si; bënte punët e përditshme të shtëpisë dhe punët që i përkisnin atij i bënte vetë. Kurse në pjesën tjetër të ditës pushonte.
Ai edhe pjesën e pushimit e ndante në dy pjesë; një pjesë i pranonte vizitat e sahabeve më fisnik dhe i mësonte dije sipas nevojës. Këta të fundit kur u largoheshin nga Profeti, dijet që kishin mësuar ia mësonin sahabëve të tjerë. Profeti (a.s), në mësimin e sahabëve më shumë i jepte rëndësi takvasë (përkushtimit në fe), sesa pasurisë, mallit, prejardhjes familjare etj. Ai për këtë arsye dhe i bënte komplimente atyre që ishin më të përkushtuar në ibadet dhe në bindje ndaj fjalës së Allahut e ndjekjes së Profetit.
Ai i ndihmonte nevojtarët sipas nevojës, njërit i jepte një, tjetrit dy dhe të tjerëve nëse kishte nevojë dhe më shumë. I dëgjonte ata pa u mërzitur aspak, sillej shumë butë dhe mundohej t’i ndihmonte. Kur i drejtohej një pyetje ne lidhje me dynjanë ose ahiretin, i jepte përgjigje sipas nevojës dhe nivelit të pyetësit.
Pyetësin e drejtonte drejt rrugëve të mirësisë. Atyre që mësonin pranë tij i thoshte që këto dije që keni marrë mësojani dhe atyre që nuk janë këtu dhe m’i përcillni nevojat dhe dëshirat e atyre që nuk kanë mundësi të vijnë pranë meje, qofshin ata; burrë, grua, robër etj.
Sigurisht që ai (a.s), gjithmonë i paralajmëronte ndihmëtarët e atyre që nuk kishin mundësi të paraqesin kërkesat e tyre tek i pari i shtetit, që “Allahu nuk do t’ua rrëshqasë këmbët në urën e siratit atyre që ndihmojnë të tjerët.”
Pranë vetes nuk lejonte të thuheshin fjalë të panevojshme, të parëndësishme dhe të padobishme. Pejgamberi (a.s) dhe kur dilte jashtë sillej me përulësi dhe edukatë. Ai kudo që ndodhej, si në pazar, rrugë, etj, me të gjithë sillej me fytyrë të buzëqeshur. I fitonte zemrat e njerëzve duke i pyetur për hallet e tyre dhe duke folur me një gjuhë të ëmbël.
Menjëherë interesohej për gjendjen e atyre sahabëve, që nuk i shihte në mesxhid dhe u mundonte të mësonte se mos u kishte ndodhur gjë. Me ata që takohej u thoshte gjëra që i forcojnë qëndrushmërinë dhe ndjeshmërinë e fesë, që të vraponin drejt së mirës dhe punëve të mira dhe të largoheshin nga e keqja dhe punët e këqija.
Profeti ynë (a.s), kur vinte në një mexhlis nuk mundohej që me patjetër të ulej në vendin kryesor. Ai nuk pengonte askënd, pra ulej në fund të mexhlisit ose në një vend bosh. Edhe të tjerët i këshillonte që në mbledhje të tilla ose mexhlise, të ulen në një vend të përshtatshëm pa penguar askënd. Ai sipas nevojës i lavdëronte dhe u thoshte punët e mira të atyre që janë të pranishëm në mbledhje. Aq tepër i lavdëronte saqë gjithsecili mendonte që duhej më tepër nga Profeti. Mundohej ta ndihmonte pa u mërzitur me durim dhe qetësi, atë që lodhej ose e tepronte me veprimet tij të pahijshme.
Kur i kërkohej diçka, nëse kishte mundësi ia jepte, nëse jo ia fitonte zemrën me fjalë të buta dhe premtim në të ardhmen. Dhembshuria, mëshira, bujaria dhe modestia e tij njiheshin nga të gjithë. Të gjithë ishin të sigurt që Profeti (a.s) interesohej për ta. Në ndarjen e diçkaje nuk i dallonte njerëzit vetëm se në raste të veçanta. Mexhlisi i Pejgamberit (a.s) ishte ai i dijes, turpit, durimit dhe i amanetit. Disa gjëra që u diskutonin në mbledhje të tilla nuk u lejonin që të thuhesin jashtë saj dhe asnjëherë nuk bënin thashetheme. Në të vërtetë në mexhlis nuk u thoshte asnjë fjalë kundër tjetrit dhe asnjëri nuk u fajësonte.
Ata që merrnin pjesë në mexhliset e tij, ishin njerëz me një gjuhë dhe me një sy, pra i ishte njësuar kauza e lartë në shpirtrat e tyre, punët i kishin sipas së folurës dhe ishin njerëz të shkrirë në harmoninë e njësimit. Në popullin e tij mbizotëronte thjeshtësia, sipas kësaj, respektoheshin të moshuarit dhe mëshiroheshin të vegjlit.
Si përfundim mund të themi që Muhamedi (a.s) brenda 24 orëve adhuronte Allahun, merrej me pjesëtarët e familjes së tij, me punët e shtëpisë, rregullonte punët e fesë dhe të dynjasë, i bënte punët publike dhe pushonte. Brenda kësaj kohe ia jepte të drejtën atij që i takonte, sillej me thjeshtësi dhe mirësjellje me njerëzit dhe i udhëhiqte punët publike me sinqeritet dhe seriozitet të plotë.
Çdo mysliman duhet ta dijë rëndësinë e kohës, ta dallojë që koha është si para që harxhohet, të mendojë që koha është e kufizuar dhe e fundme, të kuptojë që koha është pasuria më me vlerë dhe çdo ditë e natë, detyrat fetare dhe të dynjasë të bëhen me ndjeshmëri tepër të madhe.