Një ditë e Profetit Muhamed a.s
Nipërit e Profetit a.s transmetojnë nga babi i tyre Aliu r.a dhe japin një informacion të hollësishëm rreth veprimtarisë 24 orëshe të Profetit a.s;
– Profeti a.s e ndante ditën e tij në tre pjesë. Një pjesë e kalonte me adhurime të ndryshme, duke lexuar kuran ose duke falur namaz. Një pjesë e kalonte me familjarët e tij dhe me punët e përditëshme, duke bërë punët e shtëpisë dhe siguruar të ardhurat e saj. Një pjesë e kalonte duke u qetësuar, të cilën e ndante në dy pjesë një duke pushuar dhe një duke u marrë me shokët e tij, ai u shpjegonte atyre çështjet e fesë dhe i porosiste ata që t’i mësonin të tjerët.
Profeti a.s nuk i jepte aspak rëndësi gjërave si afërsia shoqërore që kishte me sahabët, pasuria ose prejardhja, por Ai i jepte rëndësi devotshmërisë dhe përkushtimit të tyre. Ai i përgëzonte të gjithë ata të cilët ishin të përkushtuar në adhurime, ishin të drejtë dhe besueshëm në fjalë dhe në veprime.
Me njerëzit në nevojë sillej shumë butë, duke i dëgjuar hallet dhe problemet e tyre pa u mërzitur aspak dhe gjithmonë mundohej që t’ia zgjidhte atyre hallet që kishin. Kur pyetej për çështje të kësaj botë ose të ahiretit, fillimisht merrte parasysh nivelin e pyetësit dhe në bazë të asaj i jepte një përgjigje. Gjithmonë me përgjigjet dhe këshillat e tij i shtynte njerëzit drej veprave të mira.
Personat të cilët ishin pranë tij, ose mësonin prej tij i porosiste duke ju thënë: “Mësojuni të tjerëve ato gjëra që po mësoni këtu, më përcillni hallet dhe problemet e njerëzve të dobët dhe robërve. Padyshim ai i cili e ndihmon dikë që është në nevojë, dhe nuk ka mundësi ta shpjerë në instancat shtetërore, Allahu nuk e lejon që të rrëshkasë prej urës së Siratit ditën e Kijametit.
Profeti a.s nuk lejonte që në prani të tij të fliteshin fjalë të kota, të panevojshme. Kudo që ndodhej në pazar ose në rrugë, ai ishte i buzëqeshur me njerëzit dhe i pyeste ata për problemet dhe hallet që kishin. Kishte një mënyrë të foluri shumë të butë dhe të dashur, saqë kur u fliste j’ua fitonte atyre zemrat duke i bërë kështu për vete.
Profeti a.s kur shihte një grup i cili ishte mbledhur, ulej në një cep që e shihte bosh, duke mos u munduar të dalë në krye, sepse kjo gjë mund t’i shqetësonte njerëzit që gjendeshin aty. Po kështu i porosiste edhe shokët e tij, që të uleshin në vendet bosh duke mos u munduar të dilnin në krye.
Kur i kërkonin diçka, nëqoftëse kishte ja jepte, nëse jo me fjalë të ëmbla i fitonte zemrën dhe i premtonte që do t’i jepte sapo të kishte. Dhembshuria, mëshira, bujaria dhe modestia e tij njihej prej të gjithëve. Shquhej për besueshmërinë e tij, saqë të gjithë njerëzit nëqoftëse kishin ndonjë problem i drejtoheshin atij për zgjidhjen e problemit.
Ai ishte një institucion i dijes, turpit, durimit dhe i sigurisë. Njerëzit që uleshin me të ishin të kujdesshëm dhe të edukuar. Asnjëherë nuk flisnin me zë të lartë, gjërat të cilat fliteshin brenda një grupi nuk i nxirrnin kurrë jashtë dhe nuk merreshin me thashetheme.
Nëse duhet ta përmbledhim Profetin Muhamed a.s në disa fjalë, ai në 24 orë adhuronte Allahun, merrej me familjen dhe me punët e shtëpisë, kryente punët e kësaj bote dhe tjetrës, dhe pasi kryente punët e njerëzve, pushonte.
Përktheu: Marius Tafani