Namazi

Namazi është shtylla e dytë e Islamit, e cila vjen menjëherë pas fjalës së dëshmisë.  Namazi është një detyrë e lartë, të cilën njeriu e kryen për shkak të urdhrit të Allahutxh. sh.  Ai falet në kohë të caktuara, sipas disa lëvizjeve të caktuara duke recituar pjesë nga Kurani.

Namazi është forma më e mirë ku njeriu shpreh admirim ndaj madhështisë dhe lartësisë së Allahut xh.sh, përsëritja e këtyre veprimeve njëra pas tjetrës përforcojnë admirimin që robi tregon ndaj Krijuesit Suprem. Me anë të namazit njeriu paraqitet pesë herë në ditë përballë Krijuesit të tij.  Duke qëndruar përballë Tij, robi shpreh nevojat, dobësinë dhe dëshirat e tij pa pasur nevojë për ndërmjetës; kërkon mbrojte dhe ndihmë vetëm prej Tij. Ashtu siç Profeti Muhamed (s.a.s) udhëtoi drejt Providencës Hyjnore me anë të ‘Miraxhit’, duke u takuar me Allahun xh.sh; po ashtu edhe namazi është në një farë mënyre ‘miraxhi i besimtarit’.

Namazi është një adhurim i cili përmbledh të gjitha llojet e adhurimeve të gjitha krijesave, ashtu siç Allahu thotë në Kuran; çdo krijesë në gjithësi e madhëron Allahun; Qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar Ai mbi atë, që thonë ata! Atë e madhërojnë shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka gjendet në to. Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata. Ai, me të vërtetë, është i Butë dhe Falës.” (Isra, 44-45).

Kur shohim krijesat e tjera në tokë,  shohim llojedhe forma të ndryshme të tyre. Ato të cilat qëndrojnë drejtë (në këmbë); bimët dhe kafshët me dy këmbë. Ato krijesa të cilat qëndrojnë gjysmë të përkulura; kafshët me katër këmbë, dhe ato të cilat zvarriten; si kafshët zvarranike dhe disa lloje bimësh. Të gjitha këto lloje kafshësh tregojnë atë që shprehet në ajetin Kuranor; prandaj njeriu kur fal namazin i kryen të gjitha këto veprime. Namazi kryhet një pjesë në këmbë (kijam), një pjesë i përkulur (ruku) dhe një pjesë i shtrirë në tokë (sexhde). Prandaj namazi është forma më e mirë e përmbledhjes së gjithë këtyre veprimeve. Engjëjt dhe krijesat e tjera e kryejnë adhurimin e tyre vetëm në një gjendje, por njeriu si një qenie e lartësuar nga vetë Krijuesi, është urdhëruar ta adhurojë Krijuesin me të gjitha gjendjet.

Në namaz përmblidhen të gjitha format e madhërimit të Allahut, sepse në të ka lartësim (tekbir), njësim (teuhid), madhërim (tesbih), falënderim (hamd), lavdërim (shukr), respekt, modesti, përgjërim, lexim Kurani që është një adhurim në vetvete, lutje për besimtarët dhe profetët. Namazi përfundon me selam (paqe); falja me xhemat (grup) i mundëson njeriut që të vëllazërohet me të gjithë besimtarët. Brenda namazit gjenden të gjitha llojet e adhurimeve si; agjërimi, sepse në namaz ndalohet ngrënia dhe pirja; haxhi dhe zekati, sepse namazi është zekati i trupit dhe jetës së besimtarit; është haxh sepse njeriu në momentin kur falet, drejtohet drejt Qabes.

Përgatiti: Marius Tafani

Postime të ngashme

%d bloggers like this: