Namazi, adhurimi më madhështor!
Namazi është kushti i dytë dhe më i rëndësishmi i fesë islame pas shqiptimit të Fjalës së Dëshmisë (Shehadetit). Falja e tij në pesë kohë të caktuara të ditës është farz për çdo mysliman, që mendërisht është i shëndoshë dhe ka arritur në moshën e pjekurisë gjinore, qoftë mashkull, qoftë femër.
“Namazi është falja e rregullt e myslimanit, që fillon me tekbirin fillestar dhe përfundon me dhënien selam.” Përpara se të fillohet namazi duhet të jemi të bindur se ai është adhurim (ibadet) dhe se nuk është thjesht formalitet. Duhet ditur se namazi është forma më e lartë e komunikimit në vijueshmëri të njeriut me Krijuesin e tij.
Namazi i falur pesë kohë në ditë luan një rol të rëndësishëm në sistemimin e jetës së besimtarit. Falja e vazhdueshme në kohë të caktuara, përveç të tjerash, e disiplinon atë nga ana shpirtërore dhe fizike.
Namazi është i vetmi detyrim që është bërë farz në qiell, kur Pejgamberi a.s. ishte në Miraxh, andaj namazi është miraxhi i besimtarit, ymetit të Muhamed Mustafasë a.s.
Kuptimi i namazit është t’i bësh lavdërime, madhërime dhe falënderime Allahut të Gjithëfuqishëm. Domethënë të shprehësh shenjtërinë e Krijuesit Madhështor me fjalë e me vepra, duke thënë “SubhanAllah” (Lavdia i takon Allahut), të shprehësh madhërimin e Tij përpara përsosmërisë së Tij me fjalë e veprim, duke thënë “Allahu Ekber” (Allahu është i Madh) si dhe të përmendësh falënderimin përpara bukurisë së Tij me zemër, me gjuhë e me trup, duke thënë “El-hamdu lil’lah” (Falënderimi i takon Allahut).
Gjithashtu, rruga për në Ditën e Kiametit, – me ballin lart para Allahut xh.sh., me vështrim të ndriçuar, me shenjat e abdesit dhe sexhdes nëpër gjymtyrë, me duart dhe fytyrën krejt të pastër, me ndërgjegje të kulluar po aq sa të botëve të brendshme të banorëve të qiellit, – kalon nëpër namaz dhe nëpër veprimet para kryerjes së faljes.
Zoti urdhëron kështu në Kur’an:
فَاعْبُدْنِي وَ أَقِمِ الصَّلَاةَ لِذِكْرِي
“Më adhuro Mua dhe fale namazin për të më përmendur Mua.” (Taha :14)
قَدْ أَفْلَحَ الْمُؤْمِنُونَ، الَّذِينَ هُمْ فِي صَلَاتِهِمْ خَاشِعُونَ
“Me të vërtetë besimtarët janë të shpëtuar, ata të cilët janë të përulur në namazin e tyre.” (Mu’minun :1-2)
Namazi e largon njeriun nga ligësitë dhe e çon në shpëtim.
إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَى عَنِ الْفَحْشَاءِ وَ الْمُنْكَرِ وَ لَذِكْرُ اللَّهِ أَكْبَرُ وَ اللَّهُ يَعْلَمُ مَا تَصْنَعُونَ
“Padyshim, namazi të largon nga paturpësia e ligësia. Sigurisht, të përkujtosh Allahun është më i madhi adhurim! Allahu e di se ç’bëni.” (Ankebut :45)