Miqtë dhe armiqtë e Iblisit të mallkuar
Vehb b. Munebbihu ka thënë: “Allahu e urdhëroi Iblisin të shkojë te Muhammedi s.a.v.s. dhe t’i japë përgjigje për çdo gjë që ai do ta pyesë. Ai erdhi te i Dërguarit s.a.v.s. në formë të një plaku me shkop në dorë.
I Dërguari s.a.v.s. e pyeti: “Kush je ti?”
Ai i tha: “Unë jam Iblisi.”
“Pse ke ardhur?” – i tha Profeti s.a.s.
“Allahu më ka urdhëruar të vij te ti dhe të përgjigjem në të gjitha pyetjet që do të më pyesësh’.- u përgjigj Iblisi.
I Dërguari s.a.v.s. i tha: “O i mallkuar, sa armiq ke në ummetin tim? “
Ai tha: “Pesëmbëdhjetë kategori njerëzish, prej të cilëve ti je i pari.
I dyti është imami-prijësi i drejtë.
I treti është pasaniku i përulur.
I katërti është tregtari i sinqertë.
I pesti është dijetari i penduar.
I gjashti është besimtari dashamirës.
I shtati është besimtari zemër mëshirues.
I teti është i penduari i cili është i qëndrueshëm në teuben e tij.
I nënti është ai i cili largohet prej haramit.
I dhjeti është besimtari i cili kujdeset që përherë të jetë i pastër.
I njëmbëdhjeti është besimtari i cili jep shumë sadakë.
I dymbëdhjeti është besimtari i cili ka sjellje të mirë me njerëzit.
I trembëdhjeti është besimtari i cili u bën dobi njerëzve.
I katërmbëdhjeti është hafëzi i cili lexon shumë Kur’an.
I pesëmbëdhjeti është ai njeri i cili zgjohet natën dhe falë namaz kur njerëzit e tjerë flenë.
Pastaj i Dërguari s.a.v.s. e pyeti: “E cilët janë shokët e tu prej ummetit tim?”
Ai tha: Ata janë dhjetë kategori:
I pari prej tyre është sundimtari i padrejtë.
I dyti është pasaniku mendjemadh.
I treti është tregtari mashtrues.
I katërti është alkoolisti.
I pesti është ai i cili bartë fjalë dhe bën çrregullime.
I gjashti është i pamoralshmi.
I shtati është ai i cili e shfrytëzon pasurinë e jetimit.
I teti është ai i cili nuk kujdeset posaçërisht për namazin dhe ai që luan me namazin.
I nënti është ai i cili nuk jep zekat.
I dhjeti është ai i cili ka shpresë afatgjatë.
Këta janë vëllezërit dhe shokët e mi”.